Fushata parazgjedhore e kandidatit të qeverisë për Bashkinë e Tiranës çdo ditë e më shumë po më sjell në kujtesë fëmijërinë, kur me shumë dëshirë e ankth prisnim festat e fundvitit dhe luteshim që Babagjyshi të na sillte një dhuratë sa më të mirë. Asokohe kishte pak argëtime për fëmijët, ndaj festat e Vitit të Ri konsideroheshin si një mundësi për të gjithë që të ëndërronim për lodrën më të mirë, ani pse kishte pak të tilla. Sot, kohët kanë ndryshuar dhe lodrat nuk blihen domosdoshmërisht vetëm për festa apo për rezultate të mira në shkollë. E, megjithatë, magjia e Babagjyshit apo Santa Klausit, ka mbetur e pandryshuar për fëmijët. Të gjithë i shkruajnë me shpresën se ai do t’ia përmbushë dëshirat.
Ndoshta, Lulzim Bashës do t’i ketë pëlqyer shumë si personash Babagjyshi i Vitit të Ri dhe ka zgjedhur ta imitojë në mënyrë të sforcuar atë, duke ngatërruar kohën, vendin dhe kontekstin. Si një babagjysh i sforcuar po shëtit mbi slitën elektorale të qeverisë rrugëve të Tiranës disa muaj përpara ndërrimit të viteve, duke premtuar shkolla, kopshte, çerdhe, biblioteka për çdo rrugë, tramvaje, galeri e plot mrekulli të tjera që do të vijnë më pas, a thua se këto gjashtë vjet ka qenë në opozitë e jo një ndër ministrat më të pushtetshëm.
Ka vendosur të shfaqet si një Babagjysh zemërgjerë e t’i trajtojë qytetarët e Tiranës sikur të ishin të gjithë fëmijë 3-4-vjeçarë. Kësaj radhe ka zgjedhur të imitojë përkohësisht, në mënyrë të sforcuar, Babagjyshin dhe jo Berishën, të cilin ka gjashtë vjet që e ndjek në përdorimin e retorikës asgjësuese ndaj kundërshtarit dhe në politikën e shpëlarjes së trurit.
Thotë se do të ulë dhe do të reduktojë 60 taksa e tarifa që paguajnë qytetarët dhe bizneset e Tiranës. Në të vërtetë ai nuk di kontributin e përcaktuar në ligj të një familjeje apo biznesi ndaj Bashkisë së Tiranës, e as kontributin e një familjeje apo biznesi ndaj qeverisë ku bën pjesë që nga dita e hyrjes në politikë. Kjo më shtyn në dyshime të thella mbi përmbushjen e detyrimit ligjor të tij si qytetar, në radhë të parë, për Tiranën. Pasi kontributi politik i deritanishëm është i lidhur me shkatërrimin e mbikalimit të Zogut të Zi, faturën një milion euro të së cilës ende nuk e ka paguar që pas shpalljes antikushtetuese të shkatërrimit nga Gjykata Kushtetuese dhe vrasjeve të katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar, mu në zemër të Tiranës, për të cilat nuk ka kërkuar ndjesë e as ka mbajtur përgjegjësi politike e morale.
Flet për mungesën e transportit të qytetarëve të Tiranës, edhe pse këto gjashtë vite të qëndrimit në Shqipëri nuk i është dhënë rasti të përdorë asnjë herë transportin publik, privat, motorin, biçikletën apo të jetë këmbësor i këtij qyteti. Rrjedhimisht, nuk ka sensin e orientimit të lëvizjes së qytetarëve që përdorin transportin publik, shpërndarjen dhe cilësinë e shërbimit, kapacitetin dhe cilësinë e rrjetit rrugor, por i duhet të premtojë mrekullinë.
Si ministër Transporti nuk e kam parë asnjëherë të promovojë të paktën një politikë që do ta nxirrte transportin hekurudhor dhe tokësor nga primitiviteti. Përkundrazi, e kam parë duke i bishtnuar ligjit dhe drejtësisë, në kurriz të parimeve të shenjta të shtetit të së drejtës dhe vetë procesit të liberalizimit të vizave.
Si ministër përgjegjës për decentralizimin e pushtetit vendor nuk ka qenë kurrë i interesuar të dijë se si gjenerohen të ardhurat e Bashkisë së Tiranës në funksion të shërbimeve më të mira për qytetarin, por veç ato të pushtetit. Ai nuk pati kurajën të njohë përgjegjësitë e tij politike teksa Raporti Analitik i Komisionit Europian vuri në dukje bllokimin e procesit të decentralizimit nga pushteti që ai përfaqëson.
Ai e ka të vështirë të kuptojë zhvillimin e transformimin e Tiranës si një lumë ku bashkohen energjitë e individëve, familjeve dhe komuniteteve përbërëse të saj, pavarësisht pengesave të panumërta të pushtetit, ndaj është vënë në kërkim të pusetave e jo të vërtetave. Lulzim Basha ka vetëm një element thelbësor në manifestin e tij elektoral për Tiranën, pavarësisht se i duhet në mënyrë të përkohshme të imitojë Babagjyshin: kthimin e Bashkisë së Tiranës në një zgjatim të pushtetit të Berishës.
© Panorama.al












