Pergjaket fushata/ Zef Doçi, kandidati i maxhorancës në komunën Balldren të Lezhës, është plagosur dje në mbrëmje, pas mbylljes së një takimi elektoral.
50-vjeçari që përfaqëson partinë e Nikollë Lesit, është qëlluar me 4 plumba nga dy persona, të cilët nuk janë identifikuar. Vetëm një plumb e ka goditur në këmbë. Doçi është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Një ditë pas incidentit me armë në komunën e Dajtit, flasin dy kandidatët. Viktima Besim Kuka: “S’dua të besoj se sherri ishte politik”. Kandidati i PS, Qefalia: “Ylli Hidri u provokua nga rivali ynë”
Nga burime të policisë mësohet se po udhëtonte me mjetin e tij nga fshati Kakariq për në qendër të komunës Balldren, rreth orës 20:15, kur dy makina të tjera i kanë zënë pritë, duke bllokuar rrugën e kandidatit 50-vjeçar. Kandidati i koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”, i përzgjedhur nga partia Lidhja Demokristiane Shqiptare, është qëlluar me pistoletë nga të paktën dy persona që i kishin zënë pritën. Sipas policisë, një plumb e ka marrë në këmbë Zef Doçin, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 4 gëzhoja plumbash. Autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa vetë Doçi ka arritur të lidhet në telefon e të njoftojë për atentatin. I plagosuri është gjetur pak minuta më vonë, duke u transportuar me urgjencë për në Spitalin e Lezhës. Mjekët kanë dhënë ndihmën e shpejtë, duke konfirmuar paraprakisht se 50-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë konfirmuar se një plumb e ka plagosur në gjymtyrë Doçin, ndërsa ka dhe shenja të tjera në këmbë, duket nga plumbat e tjerë që i kanë kaluar pranë. Pavarësisht se gjendja nuk ishte kritike, është konkluduar në dhënien e një ndihme më të specializuar në Spitalin Ushtarak. Me anë të një autoambulance, Doçi është nisur rreth orës 22:00 nga Spitali i Lezhës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Me të marrë informacionin, forca të policisë së Lezhës, nën drejtimin e drejtorit të saj, Muharrem Furriku, janë nisur drejt vendit të ngjarjes, në rrugën Balldren-Kakariq. Ata kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe kanë nisur kërkimet për autorët e mundshëm të atentatit, në pritje të dëshmisë që vetë kandidati për kryekomunar do të japë për grupin hetimor. Nga verifikimet e para, ka rezultuar se takimi elektoral në fshatin Kakariq, pjesë e komunës Balldren, ka qenë normal dhe aty nuk është shënuar ndonjë incident. Por, autorët, duke pasur dijeni për këtë takim të ndodhur në orët e vona të pasdites të së shtunës, i kanë zënë pritë. Mënyra e organizimit të ngjarjes dhe fakti se e kanë qëlluar disa herë me armë zjarri, ka hedhur dyshimet për policinë nëse autorët kishin si qëllim eliminimin fizik të Zef Doçit apo kërcënimin e tij, duke e qëlluar me paramendim në pjesën e poshtme të trupit. Plagosja u shënua në një rrugë të errët, pa ndriçim dhe jo shumë të frekuentuar, për shkak të amortizimit. Nga ana e grupit hetimor po punohet në pistën kryesore, atë të një atentati për shkak të politikës, pasi dhe ngjarja ndodhi menjëherë pas takimit elektoral. Gjithashtu po verifikohet nëse Doçi ka pasur ndonjë konflikt, çka pritet të sqarohet nga vetë dëshmia e tij.
Kandidati
Zef Doçi kandidon për herë të parë në zgjedhjet vendore të 8 majit, i përzgjedhur nga koalicioni i djathtë përballë kandidatit socialist, Gjek Cali, i cili kërkon mandatin e tretë. Mësohet se 50-vjeçari Zef Doçi njihej si biznesmen në zonën ku jeton, pasi posedon një baxho qumështi. Emri i tij nuk është lakuar më parë për ndonjë konflikt apo problem.
Reagimi
Kreu i LDKSH-së, Nikoll Lesi, ka qenë mbrëmë në Spitalin Ushtarak, sapo ka mësuar për ngjarjen që rrezikoi jetën e kandidatit, anëtar i partisë së tij. Ai reagoi, duke u shprehur se “fushata ka nisur shumë keq dhe egër nga ana e opozitës”, duke nënkuptuar dhe shkaqet e atentatit ndaj Zef Doçit. “Presim që organet e policisë dhe të drejtësisë të zbardhin ngjarjen”, deklaroi Lesi për gazetën “Panorama”.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











