
Policia e Vlorës pohoi dje se ka të dhëna të rëndësishme që mund të çojnë në zbardhjen e atentatit me telekomandë, ku mbeti i vdekur Renato Abazi.Nisur nga precedentët e rëndë kriminalë, për të cilët dyshohet se ka qenë protagonist 38-vjeçari, grupi hetimor po kryhen verifikimet në mënyra të ndryshme, bazuar dhe në deklarime të nevojshme. Abazi ishte nën gjurmim nga policia jo vetëm për disa krime në qytetin e Vlorës, por edhe për një tjetër ngjarje të rëndë në qytetin e Durrësit.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Vlorës konfirmoi faktin se makina “Opel Corsa”, ku u vendos tritoli, ishte e një prej të plagosurve, pikërisht Meklaud Danit, por që prej rreth 3 javësh po e shfrytëzonte viktima Abazi. Me gjithë këtë fakt, autorët kanë ruajtur prej ditësh lëvizjet e 38-vjeçarit, deri në momentin e fundit. Ndërsa pritet të zbardhen autorët e vendosjes së lëndës plasëse dhe shpërthimit të saj në orën 11:30 të së enjtes, në mes të Vlorës, është mësuar itinerari i fundit i kryer nga viktima Abazi. Mësohet se ai ka dalë nga shtëpia e tij, në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, në orët e paradites së 28 prillit, me qëllim për të shkuar në punë, në pikën e loto-sportit që administronte. Gjatë rrugës për në zonën e Skelës ai ka takuar shokun e tij, Meklaud Dani, 34 vjeç, të cilit i kishte marrë makinën për disa ditë. Bashkë me të mësohet se është nisur të marrin dy fëmijët e Danit në kopsht. Vajzën e kanë lënë në shtëpi e më pas me djalin 6-vjeçar në makinë, nga zona e njohur si Fabrika e Orizit, kanë vendosur të vazhdojnë rrugën për t’u ndalur në një kafe pranë dyqanit të Abazit. Vetëm rreth 50 metra nga pika e lojërave elektronike, autorët kanë provokuar shpërthimin e pakos së tritolit, nën sediljen e 38-vjeçarit Abazi. Për pasojë, ai humbi jetën në vend, si dhe u plagos shoku i tij bashkë me të birin dhe 30-vjeçarin, Galitano Zguro, i cili ndodhej shumë pranë makinës në kohën e shpërthimit. Ditën e djeshme, në Spitalin e Vlorës ndodhej vetëm 34-vjeçari, i cili për shkak të dëmtimeve në pjesë të ndryshme të trupit dhe syve, ka qëndruar nën kujdesin e mjekëve.
Burimet nga Policia bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve janë shoqëruar mbi 30 persona në polici për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen e shpërthimit të automjetit. Mes tyre kanë qenë të njohur të viktimës, shokë të tij dhe persona të skeduar nga policia për aktivitete të ndryshme kriminale. Sipas burimeve, po verifikohet në ngjarje konkrete mbi persona me banim jo vetëm në qytetin e Vlorës, por dhe në zona të tjera ku ka ushtruar veprimtarinë kriminale vetë viktima Abazi. Të pyetur nëse viktima ka pasur ndonjë kërcënim direkt për jetën ditët e fundit, burimet zyrtare thanë se kjo pritet të saktësohet pas marrjes në pyetje të familjarëve të Abazit. Për shkak të tronditjes nga vrasja e të birit, ata do të merren në pyetje pas kryerjes së riteve mortore. Trupi i pajetë i Renato Abazit u përcoll mesditën e djeshme drejt banesës së fundit, në varrezat e qytetit të Vlorës.
Skela
Një ditë pas shpërthimit të ndodhur në zonën e Skelës në Vlorë situata dje ishte në dukje e qetë. Asnjë shenjë nuk kishte në vendin e njohur si rrethrrotullimi, pasi policia bllokoi si provë materiale makinën, ndërsa vendi ku ndodhi shpërthimi me tritol, ishte pastruar. Pika e loto-sportit, e administruar nga viktima Renato Abazi dhe të afërm të tij, dje ishte e mbyllur, ashtu si dhe dyqanet e tjera përreth saj.
Hakmarrja
Një atentat për hakmarrje e ka cilësuar Policia ngjarjen e ndodhur në Vlorë, duke nisur hetimet pikërisht mbi këtë pistë. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se krimi, që rrezikoi dhe jetën e personave të tjerë, lidhet me ngjarje të vjetra, ku vetë viktima Renato Abazi dyshohet se ka qenë i implikuar. Madje ai dyshohet se ka qenë autor i vendosjes së lëndëve plasëse në mjete dhe banesa, ngjarje që po verifikohen me imtësi nga hetuesit.
Vlorë, PS: Akt me karakter terrorist
VLORE – Partia Socialiste, dega Vlorë, nëpërmjet kreut të saj, Eltar Deda, e cilësoi një ngjarje me karakter terrorist shpërthimin e ndodhur të enjten në Skelë. “Një akt i rëndë me karakter terrorist u krye në mes të qytetit, në mes të ditës, kur jeta dhe aktiviteti ishte në kulmin e saj. E dënojmë këtë akt të rëndë, i cili ka të bëjë me sigurinë e jetës së qytetareve dhe me pasigurinë dhe frikën e mosfunksionimit të strukturave të shtetit, nëpërmjet organeve kompetente. E vlerësojmë si paaftësi të strukturave të ruajtjes së rendit, pasi situata të tilla sapo vijnë dhe përshkallëzohen në qytetin tonë dhe mosreagimi i strukturave shtetërorë tregon se shteti ka dështuar në këtë sektor”, deklaroi Deda.
Tifozët shtyjnë protestën, shkojnë në varrim
VLORE – Renato Abazi ishte tifoz i zjarrtë i skuadrës vlonjate “Flamurtari”. Sipas kryetarit të shoqatës së tifozëve, Agron Sinani, ata kanë vendosur të mos shkojnë në Tiranë për protestën e planifikuar para Federatës së Futbollit, për të respektuar Renato Abazin, i cili humbi jetën ditën e enjte nga një atentat i shëmtuar. “Abazi duhet respektuar në ceremoninë e varrimit duke shkuar të gjithë anëtarët e shoqatës së tifozëve, sepse ai ka qenë tifoz i skuadrës së futbollit të “Flamurtarit”. “Për ta respektuar, anuluam shkuarjen në Tiranë dhe e respektuam duke e përcjellë në banesën e fundit. Në Tiranë kemi parashikuar të shkojmë një ditë tjetër”, u shpreh Sinani. q.b
© Panorama.al











