Kandidatit i Lidhjes Demokristiane dhe i koalicionit të djathtë Aleanca për Qytetarin në komunën Balldren të Lezhës, Zef Doçi, ishte kërcënuar rreth një javë para se të plagosej në atentatin e organizuar ndaj tij, mbrëmjen e së shtunës.Këtë fakt e pohoi dje nga Spitali Ushtarak në Tiranë, Gjon Doçi, vëllai i Zef Doçit, kandidatit të koalicionit Aleanca për Qytetarin. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Gjon Doçi tregon se ende nuk ka arritur të komunikojë më të vëllanë për dyshimet që ai ka rreth ngjarjes dhe rrethanat se si ndodhi atentati, por është i bindur që motivet e ngjarjes janë politike. Sipas tij, ngjarja është pasojë e një lufte brenda llojit, siç e quan ai, duke lënë të nënkuptohet se kandidatura e tij nuk është pritur mirë nga anëtarët e tjerë të koalicionit. “Vëllai im ishte kërcënuar. Dhe këtë ma ka thënë vetë para disa ditësh. Dikush i ka dërguar një mesazh kërcënues në telefon, pa u prezantuar. Nuk më ka treguar se çfarë shkruhej në atë mesazh, por vetëm më tha se e kanë kërcënuar me jetë”, shprehet vëllai i Zef Doçit. Ai tregon se kërcënimi i ka ardhur pasi janë shpallur listat zyrtare me emrat e kandidatëve për komunën Balldren në Lezhë.
A keni arritur të mësoni se në ç’rrethana është plagosur vëllai juaj?
Dje (të shtunën) pasdite, vëllai im ka qenë duke zhvilluar një takim elektoral në fshatin Kakarriq, të komunës Balldren bashkë me anëtarë të tjerë të shtabit elektoral. Kur po kthehej, me aq sa kam dëgjuar nga familja e tij, të cilëve u kishte treguar për ngjarjen, vetëm disa minuta para se të arrinte në shtëpi, gjatë rrugës, i kanë dalë para dy makina. Në momentin kur ai ka zbritur për t’iu kërkuar që t’i hapnin rrugën, ata e kanë qëlluar, mesa kam mësuar unë, katër herë. Por për fatin e tij të mirë, vetëm një plumb e ka kapur në këmbë, duke i shpëtuar vdekjes. Më pas, autorët kanë hipur në makina dhe janë larguar nëpër errësirë, pa u parë nga askush.
Zef Doçi ndodhej vetëm në makinë, apo ishte i shoqëruar?
Në atë moment, ka qenë vetëm. Miqtë dhe anëtarët e tjerë të shtabit elektoral kishin udhëtuar me mjetë të tjera drejt shtëpive të tyre, sepse ishte vonë edhe Zefi po kthehej në shtëpi, në Balldre. Pasi është plagosur, ka hipur në makinë dhe ka arritur të afrohet deri pranë shtëpisë së tij, ka lajmëruar familjarët, të cilët më pas kanë njoftuar policinë dhe ambulancën që e ka transportuar fillimisht në Spitalin e Lezhës e më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në gjaknxehtësi, ai ka mundur të lëvizë vetë edhe pse pak më vonë është këputur dhe e ka pasur të pamundur që të lëvizë.
A keni arritur të bisedoni me vëllanë tuaj tani që e ka kaluar rrezikun për jetën?
Ai ndodhet ende në reaminacion dhe po merr mjekim, sepse ka humbur shumë gjak. Sipas mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën, por gjithsesi duhet të mbahet nën kontroll të rreptë mjekësor, të paktën për 24 orë. Plumbi e ka goditur në pulpën e këmbës së djathtë dhe i ka dëmtuar një nga venat kryesore, për këtë arsye edhe ka humbur shumë gjak. Jam futur në dhomën e tij vetëm sa për ta parë si është, por nuk kam dashur ta mundoj që të sforcohej për të folur. Pasi gjendja e tij të përmirësohet, atëherë do ta pyes se si ka qenë puna, edhe pse pak a shumë dyshoj se e di se çfarë mund të ketë ndodhur.
Sipas jush, çfarë motivesh kanë pasur autorët që i zunë pritë Zef Doçit?
Në të gjithë qarkun e Lezhës askush nuk mund të dyshojë se Zefi është qëlluar dhe kanë tentuar ta vrasin për ndonjë arsye personale të tij. Pasi ai është një njeri i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë. Dhe këtë nuk e them vetëm pse Zefi është vëllai im. Por asnjëherë nuk ka pasur konflikte personale me njeri dhe aq më pak deri aty sa dikush të tentonte ta vriste dhe t’i zinte pritë në errësirë, ashtu siç edhe ndodhi. Unë vetë, duke u nisur edhe nga ato që më thoshte im vëlla, dyshoj se gjithçka është politike. Mbi të gjitha ai ishte paralajmëruar.
Ju po thoni që Zef Doçi ishte kërcënuar para se të ndodhte atentati?
Po, ishte kërcënuar. Dhe këtë ma ka thënë vetë para disa ditësh. Dikush, person i panjohur, i ka dërguar një mesazh kërcënues në telefon, pa u prezantuar. Nuk më ka treguar se çfarë shkruhej në atë mesazh, por vetëm më tha se e kanë kërcënuar me jetë.
Sa kohë ka që i kishte ardhur ky mesazh kërcënues?
Saktësisht nuk di të them se kur, se mbase edhe ai nuk më ka treguar menjëherë pasi i kishin sjellë mesazhin, por di që ka ndodhur pasi janë shpallur listat zyrtare me emrat e kandidatëve për kryetar të komunës Balldren. Shumë njerëz nuk e kanë pritur mirë emrin e tij si kandidat. Kjo edhe për faktin se ai kandidon për herë të parë për këtë komunë, por edhe duke qenë se papritur u bë pjesë e një koalicioni të rëndësishëm, duke u përzgjedhur nga vetë Nikollë Lesi.
Sipas jush, kush nuk e kishte pritur mirë kandidimin e tij?
Nuk kam emra konkretë. Thjeshtë di të them se është një luftë brenda llojit dhe nuk dua të zgjatem më shumë.
MJEKET
Kandati i koalicionit të djathtë në Lezhë, Zef Doçi sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën. Bluzat e bardha pohojnë se ai do të mbahet në spital edhe për dy ditë me mjekime dhe trajtim më pas do të nxirret nga spitali. Mjekët thanë se Doçi ka marrë një plumb në këmbë, i cili i ka prekur një prej arterieve kryesore dhe për pasojë ka pësuar humbje të një sasie të madhe gjaku.
4 HERE është qëlluar me armë zjarri në drejtim të Zef Doçit mbrëmjen e së shtunës në Balldre të Lezhës. Njëri prej plumbave ka prekur kandidatin e djathtë në këtë komunë, duke u shkaktuar plagë në këmbë
Arrestohet autori i plagosjes, policia përjashton motivet politike
LEZHE- Zbardhet atentati i kandidatit të djathtë për komunën e Balldrenit në Lezhë. Policia arrestoi si autor të plagosjes me armë zjarri të Zef Doçit, shtetasin Almarin Marinaj, 27 vjeç nga fshati Kakariq i Lezhës. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se kandidati i Aleancës për Qytetarët, u plagos dy netë më parë në një pritë. Autori i krimit mësohet se u arrestua mëngjesin e djeshëm në afërsi të banesës së tij, por blutë ende nuk kanë gjetur armën e krimit. Policia përjashtoi dje pistën e plagosjes për shkaqe politike, pasi edhe Almarin Marinaj është pjesë e të njëjtës parti, që i përket edhe kandidati për kryetar në Komunën e Balldrenit. Sipas saj, ngjarja ka pasur motive të dobëta dhe nuk ka lidhje me fushatën elektorale. I plagosuri Zef Doçi ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Por grupi hetimor ka arritur t’i marrë një dëshmi paraprake, gjë që ka zbardhur edhe autorin e krimit. “Po udhëtoja nga fshati Balldren për në Gjadërn për të dalë në rrugën kryesore që lidh Shkodrën me Lezhën. Gjatë rrugës, në fshatin Kakariq hasa në pritë. Dy makina më kishin bllokuar rrugën”, është shprehur Doçi. Mësohet se para se të plagosej, ai ka debatuar me 27-vjeçarin dhe më pas ky i fundit ka nxjerrë pistoletën që e mbante pa leje, duke e qëlluar dhe plagosur në këmbë”. Policia e Lezhës ka marrë në pyetje edhe të arrestuarin, i cili ka mohuar të ketë pasur bashkëpunëtor në krimin e kryer. “Disa ditë më parë kisha një konflikt me Zef Doçin. Mbeta i fyer me fjalorin që përdori në prezencë edhe të personave të tjerë, ndaj mendova të hakmerresha. Pasi pashë që Doçi kishte kaluar në fshatin Kakariq në një takim elektoral, përgatita planin për plagosjen e tij, dhe i zura pritë. E prita të paktën dy orë në rrugë. Plagosjen e kam realizuar i vetëm. Nuk kam pasur asnjë bashkëpunëtor”. Kështu është shprehur në policinë e Lezhës 27-vjeçari pas arrestimit, ndërsa ka shfaqur pendesë. Policia e Lezhës ka ngritur akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje” për 27- vjeçarin Marinaj. Mësohet se i riu do të martohej në muajin korrik të këtij viti, por plagosja e kandidatit të forcës politike që ai përfaqëson, duket se do të shtyjë më tej dasmën pasi ai tashmë duhet t’i nënshtrohet proceduarave ligjore, derisa gjykata të thotë fjalën e fundit. r.n
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











