Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, ish-deputeti i PS-së, Ardit Kaja, do të rimerret në pyetje në lidhje me atentatin e ndodhur me armë ndaj tij në qendër të kryeqytetit.Grupi hetimor i çështjes tha dje se pyetja e zyrtarit të Bashkisë së Tiranës shikohet si një veprim që mund të ndihmojë zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dy javë më parë. Në lidhje me ngjarjen, ku dy persona qëlluan me armë ndaj tij në qendër të Tiranës, pranë Bashkisë, Ardit Kaja është marrë në pyetje vetëm një herë, kur ndodhej i plagosur në Spitalin Ushtarak, teksa kurohej nga plaga e plumbit në këmbën e majtë. Që pas atij momenti zyrtari i Bashkisë nuk është marrë më në pyetje në lidhje me ngjarjen, e cila nga policia dhe prokuroria konsiderohet ende pa autor për shkak të mungesës së provave të nevojshme. Hetuesit thanë dje se kanë dyshime dhe informacione, sipas të cilave, pas ngjarjes, kur ka dalë nga Spitali Ushtarak, Ardit Kaja është interesuar personalisht për të marrë informacion mbi autorët e ngjarjes. Nisur nga ky fakt, prokuroria i ka kërkuar policisë që ta pyesë drejtorin e Inspektoratit Ndërtimor në Bashki, nëse ka mësuar të dhëna të reja për autorët e mundshëm të atentatit me armë ndaj tij në qendër të Tiranës.
Atentati
Kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, ka qenë duke lëvizur me makinën e tij në qendër të Tiranës, pranë Bashkisë, kur është qëlluar me armë nga një motor që ndoqi automjetin e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:25, më 4 prill 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Ministrisë së Bujqësisë. Si pasojë e tri të shtënave me pistoletë në drejtim të zyrtarit të Bashkisë, policia tha se ka marrë plagosje me armë zjarri në brendësi të automjetit të tij shtetasi Ardit Ramadan Kaja, 37 vjeç, me banim në Tiranë. Policia deklaroi se Ardit Kaja ishte plagosur në këmbën e majtë dhe më pas ishte dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Autorët e ngjarjes u larguan nga vendi ku ndodhi krimi me një motor që mbeti i paidentifikuar. Atentatorët kanë vepruar me shpejtësi pa u ekspozuar shumë në zonë, nisur edhe nga ambienti i hapur në qendër të Tiranës, ku kanë realizuar krimin.
Hetimi
Disa orë pas ngjarjes, hetuesit e policisë mbërritën në Spitalin Ushtarak dhe pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore të Ardit Kajës, e morën atë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Zyrtari i Bashkisë mësohet se ka përmendur emrat e të paktën dy personave për të cilët ai ka dyshime se kanë qenë autorë të ngjarjes. Sipas dëshmisë së dhënë nga Spitali Ushtarak, kreu i Inspektoratit të Bashkisë ua faturoi atentatin përplasjeve që ka pasur në Tiranë me përfaqësues të forcave politike pas aksionit të tij për heqjen e flamujve dhe spoteve elektorale të vendosura në mënyrë të parregullt në hapësirat publike. Ky variant i ngjarjes, sipas hetuesve, ka mbetur i pambështetur në prova konkrete identifikuese dhe për këtë shkak, hetimet po vazhdojnë edhe në pista të tjera.
Trazhgim Sokolaj











