Atentati mafioz në Rinas, Berisha: Institucionet që punësuan Muçi Sheqerin në AMP, të përfshira kokë e këmbë në krim!

Nov 13, 2025 | 13:11

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në konferencën e tij me gazetarët, lidhur me atentatin mafioz në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri.

sali berisha

Berisha tha se institucionet që punësuan Sheqerin në AMP duke anashkaluar procedurat dhe protokollet janë të lidhura me krimin.

Kreu i PD tha se drejtori i AMP-së është në dijeni të lidhjeve të Sheqerit me krimin, por po përpiqet “të lajë duart” për të shmangur përgjegjësinë dhe për të mbrojtur ish-ministrin Hoxha.

Sali Berisha: “Muçi Sheqeri ka shkuar në AMP si njeri i pastër. Institucionet që e kanë marrë në punë janë institucione të përfshira kokë e këmbë në krim, të udhëhequr nga krimi. Fuqia e bandës jo vetëm vesh Sheqerin me uniformën e policisë, por i jep vendin e shoferit të shefit të shërbimit inteligjent të policisë, de facto një nga vendet më nevralgjike. Po pse? Sepse vetë drejtori i tij është i lidhur me bandat, se ndryshe nuk ka se si. Nuk e dinte ai? Ai po të merrte videot, po të pyeste Saimir Tahirin për këtë, ai e gjente Sheqerin aty me të gjithë veprimtarinë e tij. Pra, pastaj kjo është një mënyrë e turpshme e drejtorit për të larë duart se e mori për lidhjet që kishte me krimin, dhe natyrisht për të mbrojtur Ervin Hoxhën, ish-ministër që zgjedhjet i fitoi me banda dhe kriminelë. Kjo është”

Kujtojmë se lidhur me rastin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy efektivë të Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, janë ndaluar Nënkomisar Bruno Cara, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Të dy këta punonjës policie dyshohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Hetimet e deritanishme tregojnë se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar në mënyrë të parregullt “Vërtetimin e Besueshmërisë” për Muçi Shaljani, duke mos pasqyruar të dhëna që përbënin shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.

Kjo ka bërë të mundur punësimin e Muçi Shaljani pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Muçi Shaljani ishte shoqëruesi i Gilmando Danit gjatë atentatit të djeshëm dhe u plagos me disa plumba, dy prej tyre në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në koma.

© Panorama.al

Te lidhura