Atentati ku u vra 40-vjeçari me 4 mbiemra, policia zbardh ngjarjen: Një nga autorët e dyshuar me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit

Jul 10, 2026 | 9:44

Policia e Kurbinit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së djeshme (9 korrik) ku u vra në një atentat me armë zjarri, një 40-vjeçar i identifikuar si Ilir Lika, i njohur edhe me mbiemrat Gjini, Kokaj dhe Nure.

vrasja kurbin

Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka identifikuar një nga autorët e dyshuar, shtetasin Emiljano alias Artur Suti, një person me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit.

Policia sqaron se nga verifikimet rezulton se 40-vjeçari Suti ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.

Për kapjen e tij, përveç strukturave të Policisë Vendore të Lezhës dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit vijojnë intensivisht.

LEXO EDHE: Vrasja e Ilir Likës, identifikohet një autor i dyshuar! 40-vjeçari u qëllua me 7 plumba! Pista kryesore ku po hetohet vrasja

Njoftimi: 

Zbardhet dhe dokumentohet autorësia e vrasjes së kryer mbrëmjen e djeshme, në Kurbin.

Identifikohet autori kryesor i dyshuar i krimit, një 40-vjeçar me precedent të theksuar kriminal, brenda dhe jashtë vendit.

Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e tij.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga ekspertë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, menjëherë pas vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. Gj., alias I. L., alias I. K., alias I. N., rreth orës 22:10 të datës 09.07.2026, në Kurbin, u bë i mundur identifikimi i autorit kryesor të dyshuar të këtij krimi.

Konkretisht, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç.

Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte dënuar më parë me 5 vjet burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, si dhe ka precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.

Për kapjen e 40-vjeçarit, në ndihmë të Policisë vendore janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet vijojnë intensivisht.

Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

LEXO EDHE: Ekzekutimi në Kurbin, 40-vjeçari me 4 mbiemra u qëllua sapo zbriti nga automjeti, autorët e ndoqën dhe…

© Panorama.al

Te lidhura