Misionarët e “Shqipërisë së re”

Jul 9, 2026 | 9:30

besim ndregjoniBESIM NDREGJONI

Në ditën e 40 të protestës madhështore për një “Shqipëri të re”, heroit e fjalës së lirë, këta shqiponja që nuk i mposhti vapa ekstreme, as kompeticioni botëror i futbollit po ndeshen në të dyzetat e pushtetit famëkeq, përbuzës të rilindjes komuniste me denigrime, fyerje e divizioneve urrejtëse të komanduar nga Kryeministri Edi Rama, ndaj kërkesave kombëtare të protestuesve paqësorë kundra establishmenti politik stalinist, të instaluar në Shqipëri nga viti 1990 e në vazhdim, para pak ditësh mori poezinë Dritëro Agollit “Një i çmendur një vend e çmend”. Dhe etiketoi luftëtarët e lirisë si të çmendur, kur është e kundërta, pushtetin e ka një i çmendur. Çdo ditë proteste kryeministri i fyen: korba, sorra bulevardi, e gjithë propaganda e pushtetit të tij është denigrim, fyerje, mbasi nuk u ngop me “fuck you” në shtypin botëror, vazhdon me 800.000 adresa falsë që merren me denigrimin e protestuesve paqësore e liridashës, që me misionin e tyre e kanë lartësuar Shqipërinë në arenën botërore, duke paraqitur një Shqipëri tjetër, një Shqipëri me kulturë, një Shqipëri paqësore, një Shqipëri që di të mbrojë lirinë e saj dhe jo atë Shqipëri të drogës, jo atë Shqipëri të krimit të organizuar sunduese e institucioneve demokratike! Të gjithë propagandën staliniste të veshur me petkun demokratik këta shqiptarë të mirë e të zgjuar e shkërmoqen për 40 ditë para botës demokratike dhe e nxorën lakuriqësinë e propagandës së tij. Dhe protestuesit paqësorë, në ditën e 40 fyerjeve, denigrimit të enveristëve të rinj u përgjigjen me poezinë brilante dhe aktuale të poetit martir Havzi Nela të shkruar në vitin 1977 në burgun famëkeq të Burrelit:

Ma mirë, nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gurë e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shanë!

Padrino i Shqipërisë nuk i ka lexuar  poezitë e këtij trimi hero, se partia e tij e vari poetin në gusht të vitit 1988, kur Europa shembte Murin e Berlinit, por ai mendjendrituri poet e parashikonte shembjen e diktaturës dhe paralajmëronte se vdekja me nder është me ndershme se me të sunduar një zuzar!

Ma mirë lis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullot bagëtie,
Ma mirë mos me t’njohë kurrkush
Kur zuzari t’rrin mbi krye!

Korbat e zinj, sorrat e komunizmit janë hedhur në sulm ndaj misionarëve të Shqipërisë së re dhe këtij sulmi halabakësh, mbrojtësit e xhelatëve të komunizmit, misionarët i përgjigjen me poezinë e poetit martir, që u var në litar për një Shqipëri të re, për këtë Shqipëri që shqiptarët po luftojnë kundra Shqipërisë staliniste të Edi Ramës.

Shqipëria e re është mision i pandalshëm i shqiptarëve dhe nuk mundet kurrë një pushtet diktatorial që drejtohet nga një forcë politike që u ka shkaktuar shqiptarëve humbje jetësh njerëzore, vuajtje me qindra-mijëra burgime politike, që kanë shpopulluar vendin nga shqiptarët, të bëhen sundimtarë të përjetshëm e ta ndalojnë lirinë e demokracinë e shqiptarëve! Vargjet e poetit martir të shkruara para 49 vitesh në gulakun e burgut famëkeq të Burrelit, sot janë udhërrëfyese të misionarëve të Shqipërisë së re prej 40 ditësh dhe kambanë alarmi për diktatorët që duan të mbajnë pushtetin me forcë. Paqja e misionarëve ka fituar mbi pushtetin e diktatorëve! Këtë na e tregon historia botërore e revolucioneve demokratike. Mjaft është mjaft, Edi Rama! Shqipëria nuk është pengu juaj, por atdheu i të gjithë shqiptarëve. Shqipëria e re po agon me diell, e vjetra po humbet në errësirë

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura