Historia e Shqipërisë, shpeshherë e përshkruar si një rrugëtim i vështirë drejt modernitetit, ka një anë të errët që rrallëherë analizohet me gjakftohtësi e që ka të bëjë me pasionin e sundimtarëve shqiptarë për “shfaqjen”, “vanitetin” apo fasadën. Është një histori që ndërthuret mes ambicieve të mëdha, shkëlqimit fasadë dhe dëshirës për t’i dëshmuar botës diçka që, në thelb ka qenë shpesh më shumë reflektim i pasigurive personale sesa i nevojave kombëtare. Nga oborret e Egjiptit te bulevardet e Tiranës mbretërore, e deri te qendra e betonizuar e kryeqytetit të sotëm, një fill i kuq bashkon tri figura të ndryshme, Ismail Pashën e Egjiptit, Ahmet Zogun dhe Edi Ramën. Ky fill nuk është progresi, por “kapadaillëku shqiptar”; një sindromë komplekse ku madhështia nuk kërkohet te mirëqenia e qytetarit, por te monumenti që duhet t’i bëjë përshtypje të huajit. Të tre janë produkte të epokave të ndryshme, me sisteme të ndryshme politike dhe ambicie të ndryshme. Ama që të tre ndajnë të njëjtin instinkt: për ta legjitimuar pushtetin përmes spektaklit arkitektonik dhe estetik, duke përdorur emrat më të mëdhenj të kohës si vulë prestigji.
I pari qëndron pas pjesës sime të preferuar klasike, operas “Aida” të Verdit. Atë e porositi Ismail Pasha, sundimtari i Egjiptit, nga dinastia me origjinë shqiptare e Mehmet Ali Pashës, i cili punësoi kompozitorin më të madh të kohës për t’i treguar Evropës sa modern e madhështor ishte vendi i tij. I ndikuar nga kultura evropiane, ai donte që Egjipti i tij të ishte një “pjesë e Evropës”, jo vetëm gjeografikisht, por kulturalisht. Por ky ambicie personale kishte një kosto marramendëse. Në përpjekje për të ndërtuar Kajron e re, për të ndërtuar kanale dhe vepra monumentale, ai e futi vendin në borxhe kolosale ndaj bankave perëndimore. Ky vanitet, ky kapadaillek për të shkëlqyer përpara syve të “të mëdhenjve”, çoi përfundimisht e detyroi në vitin 1875 që t’i shiste Britanisë aksionet e veta në Kanalin e Suezit. Në vitin 1876 u vendos kontrolli i dyfishtë financiar britanikofrancez mbi të ardhurat e Egjiptit që përbënte një humbja reale të sovranitetit. Më pas, në vitin 1879, Ismail Pasha u detyrua të abdikonte dhe tre vjet më vonë, në vitin 1882, Britania pushtoi ushtarakisht Egjiptin. Pra, rruga nga opera, pallatet dhe madhështia evropiane përfundoi te borxhi, kontrolli i huaj dhe pushtimi.
Disa dekada më vonë Ahmet Zogu ndoqi një logjikë të ngjashme ndërkohë që Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra të kohës. Edhe ai u tundua nga madhështia dhe vendosi t’i japë pamjen e një kryeqyteti evropian, ndërkohë që kishte prioritete më të rëndësishme për të adresuar. Me arkitektët italianë më të mirë të kohës si Florestano Di Fausto dhe Armando Brasini, u konceptua boshti monumental i Tiranës; bulevardi madhështorë, ministritë, sheshi, ndërtesat shtetërore. Por edhe këtu paradoksi ishte i madh. Zogu ndërtoi një bulevard madhështor në një vend pa industri, pa kapital, pa klasë të mesme dhe me një popullsi kryesisht rurale e të varfër. Media ndërkombëtare e kohës tallej me Tiranën duke e quajtur “një bulevard pa qytet”. Një fasadë shtetërore për një shoqëri që ende nuk kishte themelet ekonomike për ta mbajtur atë madhështi.
Për ta financuar këtë modernizim, Shqipëria u lidh gjithnjë e më shumë me Italinë fashiste. Në vitin 1925 u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë me kontroll të fortë italian dhe po atë vit u ngrit SVEA, Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë. Huaja kryesore italiane ishte nominalisht rreth 70.5 milionë franga ari, por për shkak të mënyrës së emetimit, shuma neto që përfitonte Shqipëria ishte rreth 50 milionë franga ari. Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kredive nuk shkoi për investime prodhuese apo modernizimin e vendit. Vetëm vila mbretërore në Durrës kushtoi rreth 1.5 milionë franga ari pra 3% e kredisë. Krahas saj, miliona franga nga kreditë italiane u konsumuan për të financuar stilin luksoz të jetës së oborrit mbretëror me udhëtime të shpeshta jashtë vendit, akomodime në hotele luksoze në Romë, Paris, Vjenë e kryeqytete të tjera europiane, shpenzime ceremoniale dhe mirëmbajtjen e një oborri mbretëror që jetonte sipas standardeve të monarkive të pasura, ndërkohë që Shqipëria vazhdonte të mbetej pa rrugë, pa industri, me analfabetizëm masiv dhe me një ekonomi bujqësore.
Varësia nuk mbeti vetëm financiare. Në vitin 1926 u nënshkrua Traktati i Parë i Tiranës, që e fuste Shqipërinë në orbitën politike të Italisë. Në vitin 1927 erdhi Traktati i Dytë i Tiranës, një aleancë mbrojtëse që solli edhe instruktorë ushtarakë italianë në Shqipëri. Në vitet 1932-1933, kur Shqipëria nuk përballonte dot pagesat e interesave, Italia rriti presionin dhe kërkoi kontroll më të madh mbi doganat, monopole, arsimin dhe administratën. Zogu u përpoq herë pas here të rezistonte, por arkitektura e varësisë ishte ngritur tashmë. Shqipëria kishte marrë para, kishte ndërtuar fasada, kishte krijuar një oborr mbretëror me luks evropian, por nuk kishte ndërtuar ekonomi të fortë e as sovranitet real. Më 7 prill 1939, Italia pushtoi Shqipërinë dhe Zogu u largua në ekzil duke u detyruar mandej që të strehohej në Egjipt pranë oborrit të mbretit Faruk, stërnipit të Ismail Pashës. Edhe këtu fasada dhe dëshira për t’u dukur si monarki evropiane kontribuuan në dobësimin e sovranitetit. Jo sepse bulevardi ishte i keq në vetvete, por sepse u ndërtua mbi një shtet që nuk kishte fuqi ekonomike për ta mbajtur pavarësinë.
Kush ta dinte se rreth 9 dekada më vonë, nipi i Vlash Ramës, shoferit personal të Zogut, do të kontaktonte e angazhonte personalisht arkitektët më të famshëm të botës për të ndërtuar madhështinë e vet urbane. Mesa duket, kjo qenka një traditë vanitoze shqiptare, ku dikur porositeshin opera, sot porositen starchitects. Nga Verdi te Bosi e mandej te Stefano Boeri ndryshon epoka, por jo vaniteti. Kryeministri Rama e ka kthyer transformimin urban në instrument kryesor të vetëlegjitimimit. Vetëm se tashmë nuk kemi vetëm bulevard, kemi masterplane, kulla, projekte ikonike, pyje orbitale, arkitektë globalë dhe një Tiranë që shitet si kartolinë ndërkombëtare, ndërkohë që qyteti vuan nga trafiku, ndotja, betonizimi, çmimet e papërballueshme dhe nga mungesa ujit të pijshëm, kanalizimeve, parkimeve, gjelbërimit dhe hapësirave publike reale.
Strategjia është pak a shumë e njëjtë e ka të bëjë me thirrjen e emrave të mëdhenj të botës jo domosdoshmërish për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por për të prodhuar imazh, prestigj, fotografi, kopertina, video dhe iluzion moderniteti. “Albanian Files” e bëri edhe më të dukshme këtë marrëdhënie mes pushtetit, zhvilluesve privatë, parave të mëdha dhe arkitekturës globale.
Për të pasur arkitektët më të famshëm, shpiken projekte si Biblioteka e re Kombëtare, ndërkohë që biblioteka ekzistuese ka hapësirë boll, por ato janë dhënë me qira privatëve; si restaurimi i Piramidës, që kushtoi më shumë sesa ndërtimi i saj; apo kopshti privat “Eden” në zyrën e Kryeministrit, që kushton sa një avion Air Tractor AT-802 për fikjen e zjarreve.
Ashtu si Ismail Pasha dhe Zogu, edhe sundimtari i sotëm duket se beson se madhështia e vendit matet me emrin e të huajit që firmos projektin. Por një vend nuk bëhet modern sepse e vizaton një arkitekt i famshëm. Bëhet modern kur ka institucione që nuk kapen, tendera që nuk manipulohen, monumente e pasuri natyrore që nuk shiten, qytetarë që nuk përjashtohen dhe ekonomi që nuk mbështetet te remitancat, ndërtimi, turizmi sezonal dhe paraja e dyshimtë.
Lidhja mes Ismail Pashës, Zogut dhe arkitekturës së sotme të Ramës është frika nga provincialiteti. Të tre kanë dashur t’i dëshmojnë botës se janë më të mëdhenj sesa realiteti që qeverisin. Ismail Pasha donte ta bënte Egjiptin Evropë me opera e pallate. Zogu donte të krijonte monarki evropiane me bulevarde, vila dhe ceremonial ndërsa kryeministri i sotëm kërkon të bëjë Tiranën metropol global me kulla dhe firma arkitektësh të famshëm. Por në të tria rastet, problemi është i njëjtë, vendi nuk ka qenë kurrë një hapësirë për t’u zhvilluar, por një kanavacë për të pikturuar egon e tyre.
Ndoshta askush nuk e ka përshkruar më mirë këtë sindromë sesa Ismail Kadareja në esenë e tij ”Kapardisja shqiptare”. Ai vëren se tragjedia e politikës shqiptare nuk qëndron vetëm te gabimet e saj, por te mënyra se si pushteti ndryshon karakterin e atyre që e ushtrojnë. “Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit”. Më tej ai shton se kjo gjendje shoqërohet pashmangshëm “nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.”
Prandaj, kapadaillëku shqiptar nuk është thjesht ves karakteri por është bërë herë pas here model qeverisjeje. Fillon me dëshirën për t’i habitur të huajt dhe përfundon duke rënduar mbi shpatullat e qytetarëve. Ismail Pasha donte t’i mahniste oborret e Evropës. Zogu donte t’i tregonte botës se Shqipëria kishte një monarki madhështore. Sot kërkohet që Tirana të habisë revistat ndërkombëtare të arkitekturës. I ndajnë një shekull e gjysmë histori, sisteme të ndryshme politike dhe realitete krejt të tjera por i bashkon një mënyrë e të menduarit. I bashkon bindja se madhështia e shtetit ndërtohet duke mahnitur botën me vepra spektakolare dhe emra të famshëm, ndërsa ekonomia, institucionet dhe mirëqenia e qytetarëve mund të presin pafund. Në të tre rastet, fasada u trajtua si themel, kur në të vërtetë duhej të ishte çatia.
Në fund, madhështia e vërtetë nuk ndërtohet me opera të porositura, bulevarde me para borxh (ose me origjinë të krimit), të cilat mbartin firma të famshme. Ajo ndërtohet me qytetarë të lirë e të begatë, institucione të forta, ekonomi prodhuese dhe një shtet që nuk kërkon të admirohet, por t’u shërbejë qytetarëve të vet sa më mirë. Një komb nuk bëhet i madh kur arrin të impresionojë vizitorët e huaj për disa minuta, por kur qytetarët e tij zgjedhin të ndërtojnë jetën aty dhe jo ta kërkojnë atë diku tjetër. Ky është dallimi mes propagandës dhe progresit. Propaganda prodhon pamje, ndërsa progresi prodhon mirëqenie. E para lë fotografi, e dyta shkruan histori.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












