Të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu zonën e Los Gallardos, në provincën juglindore të Almerías, sipas autoriteteve rajonale të Andaluzisë. Gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Disa nga viktimat u gjetën brenda automjeteve të përfshira nga flakët. Dëshmitarët kanë deklaruar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rënia e një linje elektrike, e cila më pas përfshiu me shpejtësi një zonë të pyllëzuar. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht shkakun e zjarrit.
Rajoni po përballet me një valë të fortë të nxehti, ku temperaturat kanë arritur rreth 40 gradë Celsius, duke favorizuar përhapjen e zjarreve në disa vende të Evropës Jugore.
Në një deklaratë, qeveria rajonale e Andaluzisë bëri të ditur se numri i viktimave është rritur në 12 pas konfirmimit të gjashtë vdekjeve të tjera.
Presidenti i qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi”.
Rreth 150 zjarrfikës janë angazhuar në shuarjen e flakëve në zonën e Bedar. Për shkak të zjarrit janë mbyllur disa akse rrugore, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë evakuuar rreth 1.000 banorë nga zonat e rrezikuara.
Ndërkohë, qindra zjarrfikës vijojnë betejën me flakët edhe në Francë, Portugali dhe Spanjë, ku temperaturat e larta kanë nxitur shpërthimin e dhjetëra vatrave të zjarrit.
© Panorama.al












