Vepra të ndryshme, dënime të njëjta

Jul 10, 2026 | 9:39

Florjan KalajaFLORJAN KALAJA

M’u desh të rikthehem sërish te rregullimet e dënimit me gjobë në projektin e Kodit të ri Penal. Sikurse mund të kuptohet nga sistematiciteti tashmë i konfirmuar i gabimeve dhe keqrregullimeve të kudondodhura të instituteve të së drejtës penale, projekti i “Kushtetutës Negative 2025” paraqet problematika të gjithanshme por se keq e më keq konstatoj se është rregulluar dënimi me gjobë. Ndryshe nga shkrimet e tjera, më duhet të ndaj me lexuesin se hartimi i këtij shkrimi më ka marrë kohën parapërgatitore më të madhe, pasi më është dashur të hulumtoj në mënyrë të krahasuar të gjitha dispozitat e Kodit Penal, Kodit Penal Ushtarak dhe projektit të Kodit të ri Penal në të cilat rregullohet dënimi me gjobë, me qëllim që në mënyrë telegrafike të paraqes konkluzionet e një analize që më rezulton se ka munguar gjithmonë në tekstet studimore apo punën përgatitore të çdo grupi pune që ka ndryshuar ligjet penale në Shqipëri.

Paraprakisht më duhet të sjell në vëmendje se ky shkrim duhet të lexohet si pjesa e dytë e shkrimit “Keqkuptimi i madh”, konkretisht Dilema mbi Kodin e ri Penal (23), shkrim i botuar me datë 06.03.2026 në gazetën “Panorama”. Gjithashtu paraprakisht më duhet të sqaroj se shkrimi parësisht trajton problemet e konceptimit të dënimit me gjobë për personat fizikë. Por gjithsesi disa nga këto probleme janë të përbashkëta edhe për dënimin me gjobë ndaj personave juridikë. Megjithatë në mënyrë më të personalizuar problemet – akoma më të mëdha të këtij projekti – për konceptimin e dënimit me gjobë për personat juridikë do të jetë objekti i një shkrimi të posaçëm.

Nga hulumtimi i Pjesës së Posaçme të Kodit Penal në fuqi rezulton se dënimi me gjobë është parashikuar në 184 dispozita. Nga këto dispozita rezulton se dënimi me gjobë parashikohet edhe për rastet e veprave penale që janë krime por edhe për veprat penale që janë kundërvajtje penale. Nga të gjitha këto parashikime të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal rezulton se 92 prej tyre sanksionojnë dënimin me gjobë për vepra penale që janë kundërvajtje penale. Nga këto rezulton se vetëm në 4 raste Kodi Penal ka individualizuar masën minimale dhe maksimale të dënimit me gjobë, që do të thotë se ligji ka parashikuar marzhe konkrete dënimi dhe se në këtë mënyrë nuk është mjaftuar vetëm marzhet abstrakte dhe universale të paragrafit të katërt të nenit 34 të Kodit Penal. Nga ana tjetër rezulton se ka në katër rastet unike të dispozitave që kanë individualizuar marzhet minimale dhe maksimale të dënimit me gjobë vetëm një prej tyre e sanksionon dënimin me gjobë si masë fikse, konkretisht bëhet fjalë për nenin 170/a të Kodit Penal. Ndërkohë rezulton se tej këtyre 92 parashikimeve ligjore të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal ku sanksionohen kundërvajtje penale që dënohen me gjobë, Kodi Penal gjithsej 7 dispozita të tjera në të cilat kundërvajtjet penale i dënon vetëm me burgim. Nga ana tjetër konstatohen gjithsej 7 dispozita në të cilat dënimi me gjobë parashikohet si sanksion i vetëm për sa i takon kundërvajtjeve penale dhe tek të cilat nuk parashikohet dënimi me burgim.

Ndërkohë rezulton se në radhët e veprave penale që përbëjnë krime rezulton se Pjesa e Posaçme e Kodit Penal në fuqi ka gjithsej 111 parashikime të dënimit me gjobë krahas dënimit me burgim. Nuk rezulton në asnjë rast që një nga këto parashikime të ketë në strukturën e sanksionit vetëm dënimin me gjobë por se në secilin prej tyre sanksioni i dënimit me gjobë parashikohet të jetë alternativë e dënimit me burgim. Nga ana tjetër konstatohet se nuk ka asnjë rast ku dënimi me burgim të përjetshëm të ketë si alternativë dënimin me gjobë, duke u kuptuar se në asnjë nga dispozitat që sanksionojnë dënimin me burgim të përjetshëm për krimet nuk ka asnjë parashikim të dënimit me gjobë. Nga këto 111 parashikime ka dy dispozita të cilat Ligji nr. 8/2026 i ka paqartësuar nëse janë krime apo kundërvajtje penale, konkretisht bëhet fjalë për nenin 149/a dhe nenin 149/b të Kodit Penal, pasi nga njëra anë paragrafët e dytë të këtyre dispozitave vetëshpallen kundërvajtje penale dhe nga ana tjetër dënimi me burgim për ato parashikohet deri në 3 vjet.

Nga hulumtimi në Kodit Penal Ushtarak rezulton se ka gjithsej 100 dispozita, ku 14 janë të Pjesës së Përgjithshme dhe 83 janë të Pjesës së Posaçme, duke pasur edhe 4 dispozita tranzitore. Në këto norma rezulton se dënimi me gjobë merr dy rregullime në Pjesën e Përgjithshme dhe më tej 41 rregullime në Pjesën e Posaçme. Rezulton se gjithsej në Kodin Penal Ushtarak ka 41 vepra penale të cilat në strukturën e dënimit kanë të parashikuar edhe dënimin me gjobë si dënim kryesor për krimet dhe kundërvajtjet penale ushtarake. Ndër to ka gjithsej 11 vepra penale të klasifikuara si krime ushtarake dhe 30 vepra penale të klasifikuara si kundërvajtje penale ushtarake, të cilat sanksionojnë edhe dënimin me gjobë.

Ndër 41 sanksionet me gjobë nuk rezulton të ketë asnjë parashikim për individualizimin e minimumit dhe maksimumit të këtij dënimi në pjesën e posaçme. Kjo do të thotë se 11 krimet ushtarake të ndryshme dënohen njëlloj me gjobë, konkretisht duke iu referuar paragrafit të tretë të nenit 9 të Kodit Penal Ushtarak, gjoba të cilat nisin në minimumin 5000 Lekë dhe përfundojnë në maksimumin 1.000.000 Lekë. Kjo do të thotë se 30 kundërvajtjet penale ushtarake të ndryshme dënohen njëlloj me gjobë, duke iu referuar paragrafit të katërt të nenit 9 të këtij Kodi, gjoba të cilat nisin në minimumin 3000 Lekë dhe përfundojnë në maksimumin 100.000 Lekë. Masat e gjobës, pavarësisht se në Kodin Penal kanë ndryshuar disa herë ndër vite, në Kodin Penal Ushtarak kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 1995.

Më tej konstatohet se nuk ka asnjë krim ushtarak që dënohet vetëm me gjobë. Njëlloj nuk rezulton të ketë asnjë kundërvajtje penale ushtarake që dënohet vetëm me gjobë. Nga ana tjetër konstatohet se nuk ka asnjë rast kur dënimi me gjobë të jetë parashikuar si i atashueshëm dhe i kumulueshëm me një dënim tjetër penal kryesor. Dënimi me gjobë, në 41 veprat penale të evidentuara në këtë Kod, parashikohet gjithmonë ose si alternativë e dënimeve penale kryesore, qoftë e dënimit me burgim, qoftë si alternativë e dënimit të uljes në gradë apo qoftë si alternativë e dënimit të nxjerrjes në lirim. Nga ana tjetër rezulton se dënimi me gjobë nuk paraqitet si sanksion alternativ apo kumulativ në asnjë nga dispozitat që parashikojnë krimet ushtarake të dënueshme me burgim të përjetshëm.

Në projektin e Kodit të ri Penal rezulton se dënimi me gjobë përmendet në 449 rregullime normative. Nga këto rezulton se 55 rregullime i kushtohen dënimit me gjobë në Pjesën e Përgjithshme dhe 394 rregullime i kushtohen këtij dënimi në Pjesën e Posaçme. Nga hulumtimi nëpër 952 dispozitat e projektit të Kodit të ri Penal rezulton se gjithsej ka 289 vepra penale të cilat në strukturën e sanksionit parashikojnë dënimin me gjobë. Ndër këto parashikime ligjore rezulton se ka 149 vepra penale të klasifikuara si krime dhe ka 140 vepra penale të klasifikuara si kundërvajtje.

Ndër këto vepra penale rezulton se nuk ka asnjë rast në të cilin një vepër penale e klasifikuar krim të sanksionohet vetëm me dënimin me gjobë. Nga ana tjetër rezulton se ka 36 vepra penale të klasifikuara si kundërvajtje penale në të cilat struktura e sanksionit ka parashikuar vetëm dënimin me gjobë si dënim kryesor. Më tej konstatohet se, pavarësisht parashikimit të pikës 2 të nenit 66 të projektit të Kodit të ri Penal, ku sanksionohet se dënimet kryesore për kundërvajtjet penale janë burgimi, gjoba dhe heqja e së drejtës së ushtrimit të funksionit publik, ka vetëm një kundërvajtje penale në të cilën nuk sanksionohet asnjë nga dënimet kryesore të Pjesës së Përgjithshme. Bëhet fjalë për nenin 681, ku sanksioni i vetëm penal i parashikuar janë dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë përkatëse dhe konfiskimi i sendeve që lidhen me veprën penale. Në këtë dispozitë, ndryshe nga sa ka sanksionuar neni 69 i këtij projekti, ku rregullohen dënimet plotësuese për kundërvajtjet penale, Pjesa e Posaçme i përdor dënimet plotësuese në strukturën e sanksionit si dënime kryesore.

Rezulton se projekti i Kodit të ri Penal ka vetëm një dispozitë në të cilën një vepër penale e klasifikuar si kundërvajtje dënohet vetëm me burgim. Bëhet fjalë për parashikimin e paragrafit të 2 të nenit 572 të projektit. Nga tërësia e 149 veprave penale të ndryshme që përbëjnë krime, për të cilat parashikohet edhe dënimi me gjobë, nuk rezulton të ketë asnjë dispozitë që të individualizojë në mënyrë të posaçme kufijtë minimalë dhe maksimalë të dënimit me gjobë, duke u zbatuar sakaq në mënyrë komplementare për të 149 krimet njëlloj parashikimi i Pjesës së Përgjithshme mbi kufirin minimal dhe maksimal të gjobës për krimet, konkretisht shkronja “a” e pikës 2 të nenit 74. Kjo do të thotë se krimet se të 149 krimet e ndryshme, që dënohen edhe me gjobë, masën e dënimit e kanë të njëllojtë, nga 100.000 deri në 10.000.000 Lekë.

Ndërkohë nga 140 vepra penale të ndryshme të klasifikuara si kundërvajtje penale rezulton se vetëm dy dispozita parashikojnë masë të posaçme minimale dhe maksimale të dënimit me gjobë. Bëhet fjalë për paragrafin 1 të nenit 411 dhe për nenin 865 të projektit. Kjo do të thotë se për 138 kundërvajtje penale të ndryshme projekti i Kodit të ri Penal parashikon se masa minimale dhe maksimale e dënimit me gjobë është e njëllojtë, konkretisht parashikimi i shkronjës “b” të pikës 2 të nenit 74. Në këtë mënyrë rezulton se projekti i Kodit të ri Penal parashikon dënim të njëjtë me gjobë për 138 kundërvajtje penale të ndryshme, gjobë e cila nis nga shuma 50.000 Lekë dhe shkon deri në 3.000.000 Lekë.

Nga hulumtimi nëpër dispozitat e Pjesës së Posaçme rezulton se nuk ka asnjë parashikim sanksionues ku dënimet kryesore të kumulohen njëherazi. Kjo do të thotë se në çdo rast të 289 veprave penale, për të cilat parashikohet edhe dënimi me burgim edhe dënimi me gjobë, nuk ka asnjë rast ku dispozitat e Pjesës së Posaçme të parashikojnë dhënien njëherazi të këtyre dy dënimeve. Nga ana tjetër konstatohet se nuk ka asnjë rast në Pjesën e Posaçme që të parashikohet dënimi me gjobë krahas dënimit me burgim të përjetshëm për veprat penale që klasifikohen krime. Kjo do të thotë se dënimi me gjobë nuk parashikohet as si alternativë dhe as si kumulues i njëkohshëm i dënimit me burgim të përjetshëm. Më tej rezulton se ka vetëm një parashikim në të cilin dënimi me gjobë i atashohet në mënyrë të kumuluar dënimit kryesor me burgim, konkretisht bëhet fjalë për pikën 6 të nenit 288 të projektit të Kodit të ri Penal. Por në këtë rast, krejt ndryshe nga sa ka parashikuar neni 66 për dënimet kryesore dhe neni 67 për dënimet plotësuese, pika 6 e nenit 288 e ka konceptuar dënimin me gjobë si dënim plotësues dhe jo si dënim kryesor.

Pas këtyre konstatimeve empirike por kuptimplota nga hulumtimi në tre korpuset kryesore të së drejtës penale materiale natyrshëm shtrohen disa pyetje për të cilat duhet që Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi t’i kenë parasysh në vijim, sikurse edhe grupi i punës së projektit të Kodit të ri Penal apo çdo grup pune që do të formësohet në të ardhmen me qëllim për reformimin apo ndryshimin e ligjeve penale materiale të Republikës së Shqipërisë. Pyetjet po përpiqem t’i ndërtoj si vijon:

1) A ka proporcionalitet kushtetues në dënimin e njëjtë me gjobë të krimeve të ndryshme?

2) A ka proporcionalitet kushtetues në dënimin e njëjtë me gjobë të kundërvajtjeve penale të ndryshme?

3) Përse nuk individualizohet në mënyrë të posaçme edhe dënimi me gjobë sikurse dënimi me burgim në çdo dispozitë të Pjesës së Posaçme?

4) Përse nuk kumulohet dënimi me gjobë krahas dënimit me burgim të përjetshëm, dënimit me burgim, dënimit të uljes në gradë, dënimit të nxjerrjes në lirim apo dënimit të heqjes së të drejtës për të kryer funksione publike, kur gjykata vlerëson se kumulimi është i përshtatshëm?

5) Përse nuk parashikohet mundësia e gjykatës për të kumuluar njëherazi dënimet penale kryesore në rastet kur një individualizim i tillë i përgjegjësisë penale është i përshtatshëm?

6) A mund të ketë norma që e ndërtojnë strukturën e sanksionit penal në Pjesën e Posaçme të Kodit Penal vetëm me dënim plotësues?

7) A është e pranueshme që një dënim kryesor i Pjesës së Përgjithshme të trajtohet në Pjesën e Posaçme të Kodit Penal si dënim plotësues?

8) A mund të jenë të pranueshme për rendin juridik gjoba të caktuara para 31 vitesh në vlerë absolute dhe që vijojnë të mbeten të njëjta edhe pas evoluimit të ekonomisë në më shumë se tre dekada?

9) A ka kuptim që marzhet e gjobave të fiksohen në vlerë absolute në ligj apo duhet të konceptohen si vlera relative të referuara me pagën minimale në mënyrë që të sigurohet proporcionaliteti i tyre në çdo kohë pa qenë e nevojshme të ndryshohet ligji penal?

10) A mund të kumulohen njëherazi si dënime gjoba dhe burgimi, në këndvështrimin e Vendimit 47/2012 të Gjykatës Kushtetuese, për vepra penale të cilat nuk gjenerojnë përfitime financiare, qoftë edhe duke e konsideruar dënimin me gjobë si dënim plotësues?

11) A mund të ketë kundërvajtje penale që në strukturën e dënimit të përmbajë vetëm dënimin me burgim?

12) A është kuptuar apo mbajtur parasysh jurisprudenca ndër vite e Gjykatës Kushtetuese në ndërtimin e dënimit me gjobë në projektin e Kodit të ri Penal?

13) A është lexuar se si ndërtohet dënimi me gjobë në kodet penale në Europë gjatë punës hulumtuese që ka paraprirë formësimin e Kodit të ri Penal?

14) A mund të konsiderohet projekt i denjë i Kushtetutës Negative ky draft Kodit të ri Penal për Shqipërinë në prag anëtarësimi apo anëtar në Bashkimin Europian?

Sigurisht që mund të ketë edhe pyetje të tjera. Me dashje nuk i kam përfshirë ato dhe pyetje të tjera dëshpëruese që rrjedhin nga konceptimi i grupit të punës të gjobave ndaj personave juridikë. Në çdo rast secila nga pyetjet të ndërtuara më lart apo e pangritur në këtë shkrim është e tillë që merr një përgjigje të paekuivoktë: JO!

AUTORI, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura