Atentati, Ardit Kaja nxjerr dy emra

Apr 8, 2011 | 12:11

Kreu i Policisë Bashkiake, Ardit Kaja, ka përmendur me emra konkretë personat që ai dyshon se janë autorë të atentatit të kryer ndaj tij në qendër të Tiranës më 4 prill.Në dëshminë e tij të dhënë për oficerët e Policisë Gjyqësore pas ngjarjes, sipas burimeve nga hetimi, zyrtari i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës ka pretenduar se atentati ndaj tij ka pasur motive politike, referuar përplasjes për posterat eletoralë dhe konfliktit deri në personal me të paktën dy persona. I plagosuri me një plumb në këmbën e majtë është marrë në pyetje pak orë pas ngjarjes, në Spitalin Ushtarak. Atij i është kërkuar të sqarojë nëse ka pasur konflikte apo mosmarrëveshje dhe po ashtu të tregojë emrat e personave tek të cilët ka dyshime. Në këtë dëshmi, e cila ndodhet tashmë në dosjen penale të ngjarjes, 37-vjeçari Ardit Kaja mësohet se ka përmendur emrat e disa personave për të cilët ai dyshon se janë të implikuar në atentat. Megjithatë, burimet hetimore thanë se ngjarja është duke u hetuar në disa pista dhe ende nuk ka prova për një version të caktuar të saj, konflikt personal apo për shkak të detyrës.
Të mërkurën, rreth drekës, policia ka referuar në Prokurorinë e Tiranës dosjen penale me materialet e hetimeve paraprake mbi atentatin ndaj kreut të Ndërtimores në Bashki. Pasi ka shqyrtuar këto materiale, prokuroria tha se ka regjistruar procedim penal me akuzën e “vrasjes me paramendim, mbetur në tentativë”. Dosja është regjistruar për këtë vepër penale, por “pa autor”, pasi nuk ka prova apo të dhëna që mund të shërbejnë për identifikimin e personave që me skafandra në kokë u afruan me një motor te makina e zyrtarit të Bashkisë, duke qëlluar tri herë me pistoletë në drejtim të Ardit Kajës. Nisur nga mungesa e provave për identifikimin e autorëve të ngjarjes, prokuroria tha se ditën e djeshme e ka deleguar dosjen në polici “për zbulim autori”. Organi i akuzës ka porositur policinë për hetime të gjithanshme të kësaj ngjarjeje, duke verifikuar të gjitha pistat. Prokuroria ka urdhëruar policinë për kryerjen e një sërë veprimesh hetimore dhe operative që mund të çojnë në përcaktimin e shkakut dhe autorëve të ngjarjes së ndodhur në qendër të Tiranës. Gjatë hetimeve paraprake prokuroria tha se janë verifikuar edhe imazhet e filmuara nga kamerat e sigurisë të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por ato nuk kanë arritur ta fiksojnë ngjarjen. Kjo për shkak se këndi i tyre i shikimit kufizohet në mënyrë të pjerrët deri në 3 metra larg institucionit, ndërkohë që atentati ka ndodhur rreth 35 metra larg Bashkisë së Tiranës, në distancë të baraslarguar nga ministritë.

3 gëzhoja
janë gjetur në vendin e ngjarjes ku u qëllua me armë Ardit Kaja, drejtues i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës. Atentatorët kanë qëlluar tri herë me armë ndaj zyrtarit

2 emra
personash janë përmendur në dëshminë e Ardit Kajës si persona tek të cilët ai dyshon se janë autorë të atentatit me armë ndaj tij, ndodhur në fillim të kësaj jave në Tiranë

Atentati me silenciator

Ardit Kaja, 37 vjeç, ish-deputet i PS-së dhe aktualisht drejtor i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, u qëllua me armë të hënën, më 4 prill, në orën 09:25, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Ministrisë së Bujqësisë. Ai mbeti i plagosur në këmbë me një plumb, ndërsa dy persona me motor dhe me skafandra qëlluan tri herë ndaj tij dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

 

Trashgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura