Kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, i shpëtoi mën-gjesin e djeshëm një atentati teksa po lëvizte me makinë.Ai ishte duke lëvizur me makinën e tij nga Ministria e Bujqësisë drejt zyrës te Bashkia kur është qëlluar me armë nga persona ende të paidentifikuar. Kaja arriti t’i shpëtojë objektivit të një arme me silenciator, duke marrë vetëm një plumb në këmbën e majtë, pa dëme për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm, kur kryeinspektori i Ndërtimores në Bashki po udhëtonte me makinën e tij tip “Hyndai” me targë TR 8116 R, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai ka qenë duke lëvizur në hapësirën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme kur është qëlluar me armë. Ardit Kaja është goditur në kofshën e majtë dhe sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës, nisur nga provat në vendin e ngjarjes dhe deklarimet e të plagosurit, thanë se autorët e kanë ndjekur me motor dhe e kanë arritur në hyrje të sheshit “Skënderbej”, nga krahu i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në atë moment Kaja po e drejtonte vetë makinën e me të nuk ndodheshin persona të tjerë dhe sapo ka dalë në rrugën para Ministrisë së Mbrojtjes, motori i është afruar makinës dhe personi që ndodhej mbrapa në motor ka qëlluar në drejtim të tij. Forcat e policisë së kryeqytetit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, të lajmëruar nga vetë kryeinspektori Kaja. Policia e ka transportuar në spital për ndihmë mjekësore Ardit Kajën dhe më pas është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes. Aty janë gjetur tri gëzhoja, që dyshohet se i përkasin një arme tip pistoletë dhe nga të dhënat e të plagosurit, arma ka qenë me silenciator, pasi nuk është dëgjuar asnjë zhurmë.
HETIMI për atentatin
Policia e Tiranës ka ngritur pistat e para në lidhe me atentatin ndaj kryeinspektorit ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja. Drejtuesit e Policisë së kryeqytetit kanë zhvilluar pasditen e djeshme një mbledhje të gjatë, duke analizuar çdo element dhe dëshmi nga hetimi i ngjarjes. Objekt i analizës së detajuar të grupit hetimor kanë qenë edhe konfliktet e mundshme të 37-vjeçarit për shkak të detyrës “problematike” me ndërtimet pa leje. Analiza e të dhënave ka nisur që prej vitit 2002, në kohën kur Ardit Kaja ishte deputet i Partisë Socialiste në Bulqizë. Në atë kohë Kaja pati një konflikt me Gjetan Ndregjonin, kryetar i shtabit elektoral të kandidatit të PD-së për deputet në Bulqizë. Konflikti u shoqërua me rrëmbimin e Gjetan Ndregjonit me forcë në makinë e më pas ushtrimin e dhunës fizike. Për këtë ngjarje u akuzua në atë kohë Ardit Kaja, kandidat për deputet të PS-së. Burime nga grupi hetimor thanë se një ngjarje e tillë, pavarësisht se ka ndodhur disa vite me parë, është verifikuar si një incident i shkaktuar nga Kaja dhe që duhet parë me prioritet mundësia e ndonjë incidenti të ngjashëm që mund të ketë ndodhur kohët e fundit. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka nisur verifikimet në rrugë operative për të zbuluar nëse ngjarja mund të ketë lidhje me ndonjë premtim të pambajtur nga ana e Kajës për ndonjë leje të mundshme ndërtimi, duke qenë se është edhe personi kompetent në këtë drejtim. Një pistë drejt së cilës Kaja i ka drejtuar vetë oficerët e policisë është edhe incidenti i së dielës që Policia Bashkiake dhe vetë Ardit Kaja patën me simpatizantët e Partisë Demokratike dhe të lLvizjes Socialiste për Integrim, gjatë aksionit për heqjen e flamujve nga vendet publike. Policia tha se kjo është një pistë që për grupin hetimor nuk ka shumë baza, megjithatë, është bërë pjesë e verifikimeve. Pjesë e detyrave që u ndanë dje gjatë analizës për grupin hetimor ishte edhe verifikimi i hollësishëm i ndonjë konflikti personal që Ardit Kaja mund të ketë pasur kohët e fundit, që lidhet ose jo me detyrën.
Kryeinspektori Kaja, protagonist i konfliktit për posterat në Tiranë
TIRANE – Ditën e diel, kreu i Policisë Ndërtimore, Ardit Kaja, ka marrë pjesë në 3 incidente që ndodhën në Tiranë me forca të ndryshme politike. Ai dhe efektivat në varësi të tij, në orët e drekës, ditën e diel, shkuan për të hequr flamujt dhe posterat e LSI-së pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Ngjarja u kthye në incident pasi mbështetësit e kësaj force politike kundërshtuan heqjen e posterave në këtë zonë. Ndërsa në orët e mbrëmjes së të dielës, Ardit Kaja është bërë përsëri protagonist i incidenteve në qendër të Tiranës dhe te zona e Zogut të Zi. Fillimisht ai ka organizuar një aksion për heqjen e posterave të PD-së dhe LSI-së në qendër të Tiranës, por është kundërshtuar nga punonjësit që kanë qenë duke i vendosur ato. Më pas, e njëjta situatë ka ndodhur edhe në zonën e Zogut të Zi në Tiranë. Policia e Tiranës ka pohuar se në asnjërën nga këto ngjarje nuk ka pasur persona të lënduar dhe po ashtu nuk ka pasur kallëzime apo ankime penale nga palët. Ditën e diel, në të tria rastet, kreu i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, veç angazhimit të efektivave të sektorit të tij, mësohet se ka thirrur në ndihmë edhe efektiva të Policisë Bashkiake të Tiranës.
Rama: Kaja u përball me harbutërinë e LSI
Kryetari i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, menjëherë pas vizitës në dhomën e Kajës, në Spitalin Ushtarak, përmes një deklarate, e lidhi atentatin me incidentin e një dite më parë në kryeqytet për heqjen e flamujve të LSI-së. “U qëllua një shërbëtor i shtetit, i cili, në zbatim të ligjit është përballur me dhunën dhe harbutërinë e asaj force politike që me paratë e vjedhura që gjithë Shqipëria i pa në bllokun e turpit, ka dhunuar dhe ndotur qytetin tonë”, tha Rama. Sipas tij, “flamuj partish nëpër shtylla dhe pemë të qytetit nuk shihen në asnjë qytet evropian, në asnjë vend të botës së civilizuar dhe dua të nënvizoj se pavarësisht se PS nuk disponon mjetet e pallogaritshme financiare që ka pushteti i korrupsionit, ne jo vetëm që nuk kemi flamuj për të vendosur në shtylla e pemë, por asnjë poster nuk do të ngjisim jashtë vendeve të lejuara, sepse qytetin e duam të pastër dhe Shqipërinë e duam të pastër”, theksoi ai.
LSI: Rama të përmbahet dhe të presë hetimet
Lëvizja Socialiste për Integrim dënoi “aktin kriminal” të plagosjes së kreut të Inspektoratit të Ndërtimit, Ardit Kaja. “LSI e dënon këtë akt kriminal dhe inkurajon organet e zbatimit të ligjit për një hetim të shpejtë e profesional, për të vënë para drejtësisë autorët dhe cilindo që mund të rezultojë i implikuar me ta”, u shpreh nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Blerina Kazaferi. Në reagim të deklaratës së kreut socialist, Rama, ajo i kërkoi atij të përmbahet me akuzat politike dhe të presë përfundimet e hetimit. “Kryebashkiaku të mos nxitojë që të bëjë policin, prokurorin dhe ekspertin, se përpjekjet për ta transferuar pistën e hetimit pa pritur përfundimet e hetimit, janë dëshmia më e qartë e panikut dhe e frikës për humbjen që e pret në zgjedhjet e 8 majit”, u shpreh Kazaferi. Ajo shtoi se “LSI e dënon këtë akt kriminal dhe inkurajon institucionet e zbatimit të ligjit që të vënë përpara drejtësisë autorët dhe cilindo që mund të rezultojë i implikuar me ta”.
KAMERAT
Policia e Tiranës ka grumbulluar një sërë provash e të dhënash në lidhje me atentatin e ndodhur dje në qendër të Tiranës. Veç dëshmive dhe provave në vendin e ngjarjes, mësohet se për të ndihmuar me identifikimin e autorëve, policia ka bërë një kërkesë për sekuestrimin e kamerave të sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, pranë të cilave ndodhi ngjarja. Imazhet e fiksuara nga këto kamera po shqyrtohen me hollësi nga oficerët e Policisë së kryeqytetit.
BASHKIAKET
Bashkia e Tiranës i ka shkruar dje një letër Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, në të cilën kërkon bashkëpunim për “luftën” kundër vendosjes së posterave elektoralë në shtyllat dhe në pemët e qytetit. Sipas letrës së Bashkisë, Kodi Zgjedhor
dhe ligjet në fuqi parashikojnë qartë mënyrën dhe ambientin ku duhet të vendosen posterat dhe mesazhet e fushatës. Për këtë arsye dhe me qëllim shmangien e incidenteve, Bashkia i kërkon policisë së rendit mbështetje në aksionet e saj.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











