Ashpërsohen tonet mes Italisë dhe Francës

Apr 18, 2011 | 11:06

Franca ka bllokuar nga hyrja në territorin e saj të gjithë trenat që ishin nisur nga Italia, si masë për parandalimin e kalimit të emigrantëve ilegalë, të cilët në Itali ishin pajisur me leje të përkohshme qëndrimi për zonën Schengen. Masa parandaluese e Francës ka irrituar zyrtarët në Itali, të cilët për herë të dytë po ballafaqohen me refuzimin e këtij vendi, që, sipas tyre, po shkel marrëveshjet e Schengen-it. Pas “pezullimit një kahësh të trafikut hekurudhor në Ventimilja, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka instruktuar menjëherë ambasadorin e Italisë në Paris të hedhë një hap diplomatik tek autoritetet franceze për të shprehur protestën e vendosur të qeverisë italiane”. Nga Franca, Italia ka kërkuar zyrtarisht sqarime për “masat që duken të paligjshme dhe janë shkelje e drejtpërdrejtë e principeve të përgjithshme europiane”. Edhe konsullata në Nicë është urdhëruar të krijojë kontakte të menjëhershme me autoritetet për çështjen në fjalë. Por përgjigja nga Franca zyrtare ishte se masa është e përkohshme. Autoritetet franceze kanë pezulluar të gjithë trenat që mbërrijnë në kufirin e Francës. As edhe një vagon nuk mund të kalojë në anën tjetër të kufirit, në Mentone. Deri të premten, Franca nuk e kishte problem për të pranuar lejet e përkohshme të qëndrimit nga qeveria italiane. Masa e saj u mor pas mbërritjes së më shumë se 25 mijë emigrantëve të paligjshëm në ishullin Lampeduza në Itali, ku disa prej tyre thuhet se kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi dhe kjo i jep të drejtën të kalojnë edhe në vende të tjera të zonës Schengen, bazuar në ligjet europiane. Qeveria franceze, por edhe ajo gjermane, kanë ngritur kritika të forta në BE kundër Italisë, duke mos pranuar dhënien e lejeve të qëndrimit për emigrantët e paligjshëm. Por vetëm Italia nuk ka mundësi të pranojë fluksin e emigrantëve të ardhur nga Tunizia,Libia, Eritrea, Somalia etj. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme franceze ka deklaruar se bllokimi i trenave është “një masë e përkohshme për arsye të rendit publik , të motivuar nga fakti se po kryhej një protestë pro emigrantëve në stacionin e Ventimiljas. Emigrantëve u ishin shtuar edhe nga ata që kishin mbërritur të dielën në mëngjes dhe disa të rinj të qendrave sociale, që kishin mbërritur në Ventimilja me tren dhe autobusë.

© Panorama.al

Te lidhura