Arvizu: Policia, siguri më 8 maj

Apr 20, 2011 | 10:55

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kërkon nga forcat e rendit të marrin masa për një situatë të qetë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve.Këtë deklaratë, përfaqësuesi më i lartë i Uashingtonit në vendin tonë e bëri dje në një prononcim për mediat, në përfundim të një takimi për sistemin gjyqësor. Arvziu konfirmoi edhe njëherë mbështetjen për forcat e rendit. “Pata mundësinë që të takoj drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zotin Burgaj. I shpreha dhe i konfirmova atij të gjithë besimin që ne kemi te Policia në këtë situatë të vështirë, pas incidenteve që kanë ndodhur. Gjithashtu, e sigurova që ne do ta përkrahim policinë e Shtetit dhe theksova se është e rëndësishme që Policia të sigurojë një mjedis të qetë dhe neutral për zhvillimin e zgjedhjeve”, është shprehur Arvizu. Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë pas ditë të tëra përplasjesh fizike mes simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, përplasje këto që kanë shkaktuar edhe të plagosur. Dy ditë më parë, përfaqësuesit e SHBA-ve, BE-së dhe OSBE-së bënë së bashku një apel për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur dhunën në fushatën elektorale. Ambasadori amerikan kërkoi nga qyteti i Vlorës plotësimin e standardeve zgjedhore, fushatë e proces të qetë dhe vlerësim të kandidatëve përmes programit. Ai kërkoi bashkëpunim mes klasës politike, në të mirë të zhvillimit të vendit dhe në shërbim të qytetarëve. “Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për optimizëm”, tha ambasadori, ndërsa apeloi për përmbushjen e standardeve në këto zgjedhje. Në fjalën e tij para studentëve, Arvizu dha shembuj nga praktika zgjedhore në SHBA, mënyrën e votimit të buxhetit elektoral etj. Nga ana e tij, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, u shpreh se “qytetarët dhe partitë politike të distancohen nga veprimet e dhunshme në fushatë”. Sipas tij, fushata e vërtetë është ajo pas 8 majit, kur të zgjedhurit e ardhshëm në bashki dhe komuna do të duhet të mbajnë premtimet e bëra në fushatën elektorale. Ndërsa ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, u ka bërë një apel kandidatëve për kryetarë bashkish e komunash në zgjedhjet vendore të 8 majit, se ata nuk duhet të bien pre e interesave politike, por të garojnë me programe të qarta për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Vetëm gara me programe për qytetarët dhe zhvillimin e qyteteve mund t’i shndërrojë zgjedhjet në një garë të vërtetë, përndryshe ato janë një konkurs bukurie. Nuk mendoj se është mirë kur zgjedhje të tilla shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politik midis drejtuesit A të një partie politike dhe drejtuesit B të një partie tjetër”. Po ashtu, Volfarth u tërhoqi vëmendjen liderëve të partive politike, duke theksuar se “të dyja palët arritën në një farë mënyre të gjejnë konsensus në pranverën e vitit 2008, kështu mund ta bëjnë përsëri, nëse duan vërtet”.

Topi

Presidenti Topi, nga qyteti i Vlorës, tha se zgjedhjet e 8 majit duhet të mbyllin situatën konfliktuale politike. I pyetur nga studentët se çfarë pritet të ndodhë pas 8 majit, presidenti Topi u shpreh se duhet të hapet një kapitull i ri. “Nuk do të ndodhë asgjë. Nuk do të ndodhë asgjë, por unë jam i mendimit që ditën që vjen pas zgjedhjeve, politikanët, institucionet duhet të mbyllin një kapitull. Dhe kur them ‘ditën që vjen’, nuk kam parasysh thjesht kohën fizike, 24 orë mbrapa, por si etapë, sepse po na ikën jeta. Sinqerisht po na ikën jeta duke diskutuar për zgjedhjet që ikën dhe për zgjedhjet që vijnë. Ndërkohë që zgjedhjet bëhen për të formatuar jetën tonë”, u shpreh Presidenti.

Tritoli në shtëpinë e Kokës, dështojnë kamerat e sigurisë

TIRANE – Shpërthimi i eksplozivit në derën e apartamentit të kandidatit socialist për Minibashkinë Nr.7 të Tiranës, Erion Koka, ende nuk ka asnjë autor dhe asnjë të dyshuar. Ka dështuar edhe “shpresa” e vetme e grupit hetimor për të identifikuar ndonjë person që mund të ishte futur në pallatin ku banon Koka, në orën kur ndodhi shpërthimi. Mëngjesin e djeshëm forcat e Policisë së kryeqytetit ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë për të sekuestruar kamerat e vendosura përreth shtëpisë së Emiljano Shullazit, që ndodhet përballë pallatit ku ndodhi shpërthimi. Por pasi është vëzhguar me imtësi çdo sekuencë filmike e filmuar nga kamerat, nuk ka rezultuar asgjë e dobishme për hetimin. Burime nga grupi hetimor thanë se kamerat nuk kanë qenë të drejtuar tek hyrja e pallatit përgjatë gjithë ditës së diel dhe ditën e ngjarjes e, në këtë mënyrë, asnjë hyrje-dalje në pallatin ku banon inxhinieri i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë, Erion Kuka, nuk është regjistruar. Burime të rezervuara nga Policia thanë se lidhur me ngjarjen, nuk ka asnjë person të dyshuar dhe asnjë person nuk është shoqëruar deri tani në polici. Ekspertët pranojnë faktin se ngjarje të tilla, që shkaktohen me vendosje eksplozivi, kanë vështirësi në zbardhje, pasi nuk ngelet asnjë gjurmë e autorit. Shpërthimi i eksplozivit në derën e apartamentit të Erion Kokës ndodhi rreth orës 01:50 të mëngjesit të së hënës, duke shënuar incidentin më të rëndë elektoral në Tiranë që prej fillimit të fushatës zgjedhore. Por fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, asnjë prej 6 anëtarëve të familjes Koka nuk pësoi dëmtime nga shpërthimi. Ndërsa lidhur me ngjarjen, vetë kandidati socialist për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, pretendoi se ka prapavijë politike, pasi asnjë motiv tjetër nuk ekzistonte për të ndodhur një ngjarje e tillë.

Policia e Tiranës: Sherri në Kavajë, jo politik

Policia e Tiranës hodhi poshtë pretendimet e Partisë Socialiste për një incident elektoral në Kavajë, ku supozohej plagosja e një militanti të këtij subjekti politik. Sipas burimeve zyrtare të Policisë bazuar në deklarimin dhe kallëzimin e marrë me vullnet të lirë nga Naim Haxhiu, ai nuk ka ngritur pretendime se është goditur apo konfliktuar për fushatën elektorale në Kavajë. “Kështu sqarojmë se rreth orës 01.00, në ambientet e Komisariatit të Kavajës është paraqitur për të depozituar kallëzim penal shtetasi Naim Haxhiu, 43 vjeç, duke deklaruar me vullnet të lirë, se natën e mbrëmshme (të hënën), në qendër Kavajë në afërsi të karburant “Alpet”, dy persona e kanë goditur me grushte”. I dëmtuari nuk ka ngritur pretendime që konflikti i tij midis dy shtetasve të ketë lidhje me fushatën zgjedhore në Kavajë.

Burrel, rrihet simpatizanti i PD-së

BURREL – Shoferi i kandidatit për kryetar komune në Gurrë të Matit plagos një simpatizant të PD-së. Sipas policisë së Burrelit, autori është shtetasi Allaman Selami, 30 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, në fshatin Gurrë, ku Gafurr Lleshi, i njohur si mbështetës i së djathtës në këtë zonë, u qëllua me mjete të forta. Mësohet se Selami është njeri i afërt me kandidatin e PS-së, Sami Çela, aktualisht kryetar i komunës. Pas ngjarjes Lleshi është dërguar në spitalin e qytetit, ku pas ndërhyrjes mjekësore e ka lënë spitalin. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, duke shpallur në kërkim Selamin.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura