“Reforma në shëndetësi është në fazën fillestare. Vetëm 3% e PBB-së shkon për shpenzime në shëndetësi që është sa gjysma e nivelit të shpenzuar nga vendet e BE-së. Rreth 50 deri në 60 për qind e shqiptarëve paguajnë para nën dorë për të siguruar shërbimet shëndetësore”, këtë deklaratë bëri dje ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu. Gjatë tryezës së diskutimit për prezantimin projektit pesëvjeçar që do të financohet nga USAID-i, ishin dje të pranishëm të gjithë aktorët. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke vlerësuar këtë projekt, vuri edhe theksin në rolin e rëndësishëm që ka aspekti menaxherial i sistemit të mjekësisë. Sipas Kryeministrit, këtë vit janë investuar 110 milionë euro për shëndetësinë.
“Ne kemi mjek shumë të aftë dhe shumë të zotë. Kemi klinika të pajisura dhe mund t’i pajisim me çdo gjë që të ketë nevojë. Kemi mbështetje, por nuk kemi zhvilluar dot akoma aftësitë menaxheriale. Nuk ka sukses të vërtetë pa menaxhim”, tha Berisha. Ai u ndal edhe në sistemin privat shëndetësor. “Sektori privat jo vetëm ka ofruar shërbime që mungonin, por ka nxitur për shkak të garës që ndez sektorin publik të zhvillojë kapacitetet e tij. Unë do t’u jap një shembull. Pak vite më parë, në Spitalin Qendror në Tiranë bëheshin 30 deri në 50 ‘By pass-e’. Por sapo filluan që ‘By pass-et’ të kryheshin edhe nga sektori privat, sot ato janë 400 me 400, pra, trajtohen jo më 30-50 të sëmurë, por 800 të sëmurë dhe qindra e mijëra të tjerë janë me stendë apo procedurë të tjera. Ka realisht një progres thelbësor”, u shpreh Kryeministri. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke vlerësuar maksimalisht ndihmën e dhënë nga USAID-i, tha se mirëqenia shëndetësore e çdo qytetari mbetet prioritet. “Në këtë reformë të madhe roli i Ministrisë së Shëndetësisë është përqendruar më tepër në hartimin e politikave, hartimin e strategjive, vendim marrjen, monitorimin dhe vlerësimin e performancës së sistemit dhe menaxhimin efikas të burimeve”, tha Vasili. Ai theksoi se në këtë reformë të madhe, roli i Ministrisë së Shëndetësisë është përqendruar më tepër në hartimin e politikave, hartimin e strategjive, vendim marrjen, monitorimin dhe vlerësimin e performancës të sistemit dhe menaxhimin efikas të burimeve. “Pavarësisht se reforma quhet shëndetësore, në të përfshihen një sërë komponentësh ekonomike, social, etike, legjislative, çka dëshmon së shëndetësia nuk perceptohet më si zotërim i ngushtë i “bluzave të bardha”, shoqatave apo katedrave të tyre, as vetëm i institucionit që merret direkt me të, por si një hapësirë me përmasa shumë më të gjera ku ndërveprojnë një mori faktorësh , që implikojnë ndjeshëm, të sotmen dhe të ardhmen e një vendi”,tha Vasili











