
Kryetari i PS-së, njëkohësisht dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ishte dje në shoqërinë e ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu duke shëtitur së bashku me biçikletë. Rama dhe Arvizu shfrytëzuan ditën ndërkombëtare të tokës për të dhënë një mesazh pro mbrojtjes së ambientit dhe kundër ndotjes. Rama bëri prezent dhe projektet e realizuara nga Bashkia e Tiranës për lehtësimin e lëvizjes së këmbësoreve, duke përmendur këtu krijimin në mjaft akse të korsive të biçikletave. Por dhe projekte të tjera të Bashkisë së Tiranës për pastrimin dhe gjelbërimin e kryeqytetit. Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe vendosja e shumë koshave në bulevard. Fillimisht, Rama dhe Arvizu janë abonuar te pika e dhënies me qira të biçikletave në Parkun Rinia, duke u bërë dy anëtarët më të rinj. Ambasadori amerikan tha se “kjo lëvizje nisi në mënyrë krejt spontane, por që shërben për ndërgjegjësimin e qytetarëve”.
Takimet
Gjatë paradites së djeshm-e, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi kandidatët e koalicionit të majtë në qarkun e Dibrës. Rama prezantoi në Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Burrel kandidatët për kryetar bashkie, Ilir Vranici, Myfit Durici, Mexhit Sina, Adelina Farrici si dhe kandidatët për 31 komuna të qarkut Dibër. Duke folur në tubimin e zhvilluar në qytetin e Peshkopisë, Rama theksoi: “Shihni, hidhini sytë rreth e rrotull në qytet, u thashë miqve në Maqellarë, socialistëve që ishin mbledhur në takim të së njëjtës rrugë me plot gropa, në rrugën ku nuk sheh asnjë gjë që ka të bëjë më zhvillimin e demokracinë në qytetin ku fuqia blerëse vjen gjithmonë e në rënie”, tha Rama. Duke i kërkuar banorëve të Burrelit që me 8 maj të votojnë kandidaten e majtë, Afelina Farricin, Rama i kërkoi qytetarëve të mos e shesin për asnjë arsye votën e tyre që do të sjellë ndryshimin. “Vota e lirë është fuqia jonë. Mos e shisni votën në pazarin e ndyrë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i themi Saliut ‘Kurrë më”, tha Rama.
Ruçi në Memaliaj: Krizë sigurie në vend
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, hapi fushatën në Memaliaj, ku dhe ka prezantuar kandidatin e kësaj force politike për Bashkinë e qytetit. PS-ja kandidon për zgjedhjet vendore për Bashkinë e qytetit me Lulëzim Mecin. Gjatë fjalës së tij në këtë qytet, Ruçi ka thënë se aktualisht vendi është në një krizë sigurie. Sipas tij, janë disa ngjarje të cilat ende nuk janë zbardhur nga drejtësia si “çështja Gërdeci, vrasja e Fatmir Xhindit si dhe ngjarjet më të fundit të 21 janarit”.











