Aventura e Arsenalit për të fituar Premier Ligën këtë sezon praktikisht është mbyllur një ditë më parë, pas humbjes 2-1 në “Reebok Stadium” kundër Boltonit.Skuadra e Vengerit tani e sheh veten 9 pikë pas kryesuesve të Junajtid, ndërkohë që kanë ngelur dhe 4 ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund. Një gol në minutën e 90-të të ndeshjes nga Tamir Kohen, pas një goditje me kokë solli dhe përplasjen e shishes së ujit me nervozizëm nga trajneri francez, i cili realisht nuk beson më se mund ta kapë Mançesterin në krye. “Djajtë e kuq” duhet të humbasin në 3 ndeshje, ndërkohë që duhet të gabojë edhe Çelsi, që “topçinjtë” të shpresojnë në një mrekulli. Londinezët kontribuuan në një ndeshje spektakli, ashtu siç kanë dhuruar shpesh këto javët e fundit, por që rezultati la për të dëshiruar si përherë. Në sulm ishin krijues, ndërsa në mbrojtje gabimet ishin foshnjarake. Një skuadër e bukur për t’u parë, por pak finalizuese. Është me të vërtetë shumë pak për një skuadër që pretendon t’i japë fund shterpësisë së trofeve, të cilët mungojnë në vitrinën e Arsenalit jo pak, por prej 6 vitesh. Rastet nuk do të mungonin për të dyja skuadrat, por do të vinte minuta e 38-të kur Daniel Starixh (sulmuesi i Çelsit i huazuar tek Boltoni këtë janar) do të ndëshkonte Arsenalin me një skemë që u përsërit dhe në rastin e golit të fitores. Sulmuesi 21-vjeçar që shënoi golin e 7-të sezonal ishte protagonist dhe në një sërë rastesh të tjera. Dejvis pati shansin ta mbyllte krejt takimin, por ekzekutimi i 11-metërshit nga sulmuesi u ndal nga Szczesni. Arsenali nuk dha shenja dorëzimi dhe me të përhershmin Van Persi solli optimizmin e një kthese të shpejtë, kur sulmuesi holandez shënoi menjëherë pas daljes nga dhomat e zhveshjes. Atëherë kur presioni i miqve ishte në maksimum, një goditje këndi u dha goditjen përfundimtare “topçinjve”, që me një tjetër paraqitje të luhatshme marrin atë çfarë kanë dhënë gjatë gjithë këtij sezoni.











