
Arrestohet në Aero-portin e Rinasit i kërkuari për vrasje të dyfishtë, të ndodhur 4 vjet më parë në Laç.Shqiptari i dënuar me 25 vjet burg për vrasjet e kryera në bashkëpunim me vëllanë e tij kishte udhëtuar nga kryeqyteti spanjoll, Madrid, duke përdorur një dokument identifikimi me emër të rremë, Klinton Como. Në fakt, emri i tij i vërtetë është Marin Koka, i njohur edhe me mbiemrin Tuçi, dhe akuzohet se në vitin 2007, bashkë me të vëllanë, Tonin Koka, kanë vrarë dy persona brenda ditës, por në vende të ndryshme. Identiteti i vërtetë i të kërkuarit është zbuluar nga sistemi TIMS, gjatë kontrollit të të dhënave në aeroportin “Nënë Tereza”. Verifikimi i gjurmëve të gishtave ka zbuluar se personi i mbërritur nga Madridi nuk ishte Klinton Como, por Marin Koka, 33 vjeç, nga Kurbini, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë.
VRASJA
Marin Koka prej katër vitesh rezultonte person në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar për vrasjen me armë zjarri të Leonard Ramës, 25 vjeç, dhe përplasjen e qëllimshme me makinë me pasojë vdekjen e 72-vjeçarit Lutfi Aliko, në Mamurras. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet Marin Koka ka ndodhur rreth orës 08:30 të datës 14 maj 2007, në qytetin e Laçit. Mëngjesin e asaj dite, vëllezërit Marin e Tonin Koka kishin parkuar makinën e tyre luksoze pranë një lokali në Laç dhe ende nuk kishin zbritur. Ndërsa viktima Leonard Rama, nga fshati Gjormë i Kurbinit, kishte ardhur në qytetin e Laçit për të gjetur ndonjë punë me karrocën e tij me kalë. Në një moment, teksa po kalonte pranë makinës së vëllezërve Koka, kali ka tërhequr me shpejtësi karrocën, duke dëmtuar pjesërisht automjetin e parkuar. Sipas policisë, ka qenë pikërisht gërvishtja e makinës motivi i vrasjes së 25-vjeçarit Rama. Menjëherë pas incidentit, Marin dhe Tonin Koka kanë dalë me nxitim nga makina dhe i janë drejtuar Leonard Ramës, i cili në atë moment kishte ndaluar karrocën dhe po shikonte dëmin që i kishte shkaktuar makinës. Menjëherë i janë drejtuar me kërcënime karrocierit dhe në një moment, njëri prej tyre i ka vënë pistoletën në kokë dhe për disa sekonda e ka shkrepur duke e lënë të vdekur në vend.
AKSIDENTI
Pas vrasjes së Leonard Ramës, vëllezërit Koka kanë hipur në makinë dhe kanë nxituar të largohen nga vendi i ngjarjes, edhe pse janë parë nga dhjetëra dëshmitarë. Janë drejtuar për në qytezën e Mamurrasit, për t’i shpëtuar prangosjes nga policia, por në nxitim e sipër kanë përplasur një të moshuar që ka qenë duke kaluar rrugën. Edhe kjo ngjarje, që sipas policisë ka ndodhur para një agjencie transfertash parash, është cilësuar e qëllimshme nga policia, duke u klasifikuar si vrasje me dashje. Veç vrasjes me armë zjarri të Leonard Ramës, vëllezërit po atë ditë u akuzuan edhe për vrasjen e 72-vjeçarit Lutfi Aliko, të cilin e përplasën me makinë.
TRANSFERIMI
Autoritetet e Komisariatit të Policisë së Rinasit, sapo kanë identifikuar personin në kërkim që vinte nga Madridi i Spanjës, kanë lajmëruar menjëherë Drejtorinë e Policisë së Tiranës për kapjen e një personi në kërkim. Në këtë mënyrë është njoftuar edhe Policia e Lezhës, që e kishte si person të skeduar dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Një furgon policie ka mbërritur pasditen e djeshme për të transportuar të dënuarin nga Rinasi në drejtim të Lezhës.
VELLEZERIT
Dy vëllezërit, Marin dhe Tonin Koka (Tuçi), kanë qenë edhe para vrasjes të skeduar për vepra të tjera penale. Ata njihen nga policia lokale si persona me rrezikshmëri shoqërore dhe kanë qenë të dyshuar si autorë të disa krimeve. Madje, Marin dhe Tonin Koka janë shoqëruar disa herë në polici, por janë lënë të lirë për mungesë provash. Kjo ia ka bërë të lehtë punën policisë lokale për identifikimin e tyre, pasi dëshmitarët okularë e kanë pasur shumë të lehtë t’i njohin nga fotografitë.
Etleva Delia/ Roland Nikolli
© Panorama.al











