Arrestohet kryebashkiaku i Uashingtonit

Apr 13, 2011 | 11:20

Policia e Kongresit amerikan ka arrestuar dje 41 persona, mes të cilëve edhe Kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit, gjatë një proteste të organizuar kundër buxhetit të qeverisë federale, i cili shkurton ndjeshëm fondet për bashkitë. Kryebashkiaku Vinsent Grei, bashkë me anëtarët e Këshillit të kryeqytetit u arrestuan, pasi kishin bllokuar një rrugë në afërsi të një ndërtese të Senatit Amerikan. Kundër tyre është ngritur akuza për tubim të paligjshëm, i cili rezultoi me bllokimin e rrugës. Protestuesit kanë shprehur pakënaqësi me kufizimet e vëna ndaj kryeqytetit, në marrëveshjen e buxhetit federal për vitin 2011. Presidenti Barak Obama dhe ligjvënësit amerikanë arritën një marrëveshje të premten e kaluar, pak minuta para përfundimit të afatit të buxhetit të përkohshëm, duke shpëtuar kështu bllokimin e funksionimit të qeverisë. Vinsent Grei pak orë më pas u lirua.

© Panorama.al

Te lidhura