Andi Lila: Tirana nuk toleron askënd

Apr 23, 2011 | 10:28

Teksa kanë mbetur edhe katër javë kampionat, Tirana do të kalojë provën e saj të ndershmërisë, duke qenë se do të përballet me dy skuadrat e kreut dhe dy që luftojnë për mbijetesë. Mirëpo, në kampin bardheblu këto i konsiderojnë thjesht paragjykime, pasi ata do ta tregojnë në fushën e lojës se nuk bëhen palë me askënd. I së njëjtës linjë është edhe kapiteni Andi Lila, i cili gjatë një deklarate të dhënë për mediat thekson se Tirana nuk do t’i bëjë favore askujt. “Ndaj Skënderbeut, por edhe në katër ndeshjet e mbetura, do të shihni të njëjtën Tiranë që keni parë gjithnjë, e cila nuk toleron kurrë dhe që nuk bëhet palë e poshtërsive të tilla. Personalisht, kam ardhur deri këtu me forcat e mia. Askush nuk më ka falur gjë, ndaj dhe unë s’mund t’i fal gjë kujt. Prandaj, prisni një lojë burrnore. Por ndërkaq unë shpresoj dhe për një gjykim korrekt. Përflitet se shumë ekipe nuk kanë bërë lojë të ndershme, si ndaj Skënderbeut, edhe ndaj Flamurtarit. Unë jam 25 vjeç dhe jam në kulmin e karrierës, për rrjedhojë nuk më falet të bëj gjëra të tilla, pasi më dëmtojnë si futbollist. Për mendimin tim, ndeshja do të jetë e fortë. Futbolli është lojë burrash, ndaj le të fitojë më i miri. As që më intereson se kush e merr kampionatin, le ta zgjidhin mes tyre. Unë jam futbollist dhe paguhem për të luajtur e fituar, kështu që mos prisni asgjë më tepër”, – përfundoi kapiteni i bardhebluve.

© Panorama.al

Te lidhura