Mungesa e konsensusit mes maxhora-ncës dhe opozitës ka ngushtuar listën e përfitimeve nga amnistia fiskale, duke përfshirë vet-ëm faljet.”Të përjashtuarit” nga ligji janë të gjitha ato biznese që kanë shkelje penale për shkak të evazionit fiskal të kryer dhe të konstatuar nga administrata tatimore. Projektligji i amnistisë, i futur me nxitim për diskutim në Komisionin e Ekonomisë dje, ngjalli debate mes palëve ku opozita braktisi sallën para ardhjes së ministrit në Komision.
Opozita
Deputetët e Partisë Socialiste e kanë akuzuar dje qeverinë se po përshpejton miratimin e amnistisë fiskale për të fituar pikë para fushatës zgjedhore. Deputeti Erion Braçe u shpreh se ligji i sjellë me ngut në Komision kërkon kohë për t’u konsultuar me grupet e interesit, pasi do të sjellë efekte të mëdha në ekonomi. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputetja Mimi Kodheli. “Propozoj që ta fusim në kalendar, në Konferencën e Kryetarëve, këtë ligj të rëndësishëm dhe të mundësojmë një kalendar pune për këtë komision, përndryshe jemi të detyruar t’ju themi se ky është një ligj i bërë natën. Ky ligj na ka ardhur në kasetat postare vetëm dje pasdite, ndaj jam e detyruar të them se po nxitoni që të bëni ndonjë votë më tepër, meqenëqë e kuptoni që jeni në rrugën e humbjes”, tha Kodheli. Pas këtyre fjalëve, duke qenë se maxhoranca ka vijuar me diskutimin e projektligjit me ministrin e Financave, Ridvan Bode, opozita ka braktisur sallën duke ngushtuar kështu përfshirjen e amnistisë. Pa votat e opozitës, Komisioni ka miratuar vetëm pjesën e faljeve.
Falja e gjobave
Ministri i Financave, Ridvan Bode, mbrojti dje para deputetëve ligjin për amnistinë fiskale dhe gjithë specifikat lidhur me tarifat dhe shtrirjen e saj. Bode tha se amnistia është konceptuar në mënyrë të tillë që të përfshijë individët, biznesin e vogël dhe biznesin e madh, duke sjellë sa më shumë përfitime dhe duke u bërë kështu amnistia më e gjerë në rajon. “E gjithë kjo paketë ka vendosur në epiqendër të saj qytetarin dhe mundësinë që të gjithë individët, qytetarët, të mund të deklarojnë gjendjen e tyre fiskale financiare, raportet e tyre ligjore në fushën e taksave, pikërisht në periudhën që shtrihet amnistia fiskale”, tha Bode. Deputetët e maxhorancës kanë kërkuar të dinë mbi mundësinë e tarifave më të ulëta të amnistisë, siç propozohet nga biznesi, por Bode argumentoi se tarifat janë të menduara mirë dhe do të qëndrojnë në këta kufij. Në këtë kuadër ai iu referua si shembull deklarimit nga ana e biznesit të pajisjeve dhe makinerive, të cilat sot mund të deklarohen me zero tarifë, por në të nuk përfshihet amortizimi, ndërsa me ligjin për amnistinë biznesi përfiton. “Nëse rivlerësohet një aset prej 100 milionë lekësh, biznesi do të paguajë sot 6 milionë lekë dhe do të amortizojë në 5-6 vitet e ardhshme një vlerë prej 10 milionë lekësh, pra shteti do t’ia ulë nesër tatim-fitimin 10 milionë. Fitimi neto që bëhet në këtë rast amnistie është 3 milionë lekë dhe kjo ka sens”, – shpjegoi Bode. Një tjetër detaj i zbuluar dje ishte ajo e shtimit të një tjetër përfitimi nga amnistia. Nga falja e gjobave dhe detyrimeve të lindura nga transporti rrugor do të përfitojnë të gjithë qytetarët. Nëse me herët nga Ministria e Financave u deklarua se do të kishte falje vetëm për ata që kishin importuar një makinë deri në fund të vitit 2010 dhe që mund të zhdoganonin makinën e gjysmën e principalit, tashmë gjithë qytetarët përfitojnë falje të gjobave. “Taksat dhe gjobat nga qarkullimi rrugor. Kur themi që individëve u falet çdo detyrim, do të thotë të gjitha llojet e detyrimeve që ekzistojnë në debi të një individit qoftë kjo gjobë, taksë lokale, taksë nacionale. Të gjitha janë të falura”, theksoi ministri.
Falje edhe për faturat e ujit
Jo vetëm faturat e papaguara të energjisë deri më 31 dhjetor 2006 do të bëhen pjesë e faljes. Ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkoi që në këtë ligj të përfshihen edhe faturat e papaguara të ujit të pijshëm, vendim që do të diskutohet së shpejti në Komisionin e Ekonomisë. “Kur të diskutoni ligjin për energjinë elektrike, mund të shtoni dhe pjesën për faturat e ujit. Të përfshihet edhe uji tek energjia. Janë detyrime që nuk kanë të bëjnë me amnistinë fiskale, pasi ato janë detyrime që kanë të bëjnë me ndërmarrje publike. Sigurisht që kanë nevojë për një instrument të përshtatshëm që të bëhet falja”, tha Bode.
Naço: Amnistia, në kohën e duhur
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, gjykon se amnistia fiskale vjen në kohën e duhur për ekonominë shqiptare dhe e ka cilësuar atë si një nga iniciativat më inkurajuese të propozuara nga komuniteti i biznesit. Gjatë një takimi dje me bizneset e Dhomës së Tregtisë, Naço u shpreh edhe lidhur me një nga pikat më të diskutuara të momentit. “Unë besoj se kjo amnisti fiskale vjen në kohën e duhur, pikërisht në një fazë të re të zhvillimit të biznesit shqiptar dhe nevojave të tregut vendas për një proces ‘formalizimi’ tërësor dhe ‘injektim kapitalesh’ të reja në ekonominë shqiptare”, tha ministri.
Amnistia, tarifat për çdo kategori
Individët
– Paratë 3 për qind.
Të gjithë individët që disponojnë shuma monetare që i kanë të palegalizuara, duke paguar një vlerë 3% të shumës, i legalizojnë këto para përmes futjes në sistemin bankar, sistemin financiar apo në forma të tjera të investimit të tyre në ekonominë shqiptare.
– Kapitali 1 për qind
Individët që do të rivlerësojnë kapitalet e tyre fikse mund ta bëjnë këtë me tarifën 1 për qind. Kështu, nëse një apartament i blerë në vitin 2002 kushtonte 30 mijë USD dhe nëse shitet sot kushton 100 000 euro, ka një diferencë në vlerë prej rreth 100 000 USD, çka do të bënte që tatimi në masën 10 për qind të ishte 10 000 USD. Duke bërë rivlerësimin, qytetari do të paguajë vetëm 1000 USD.
– Falen të gjitha taksat dhe tatimet e papaguara
Deri ne fund të vitit 2010, qofshin këto taksa vendore apo kombëtare (falen gjobat e makinave dhe taksat lokale).
– Falen detyrimet e papaguara për makinat e importuara
Deri në fund të vitit 2010, u falen gjobat dhe interesat e llogaritura në doganë, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit.
Biznesi i vogël
– Paratë 3 për qind
Qytetarët që kanë të regjistruar biznes të vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në bazë të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjitha detyrimet tatimore konform ligjit, deri më 31 dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3%.
– Të vetëpunësuarit
Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Kjo kategori, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, falet nga gjobat dhe kamatëvonesat për të gjithë periudhën e kaluar.
-Personave fizikë
Personave fizikë biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatëvonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 dhjetor 2010.
Biznesi me kasë fiskale
– Biznesit të vogël, i cili është pajisur me kasë fiskale deri më 28 shkurt 2011, u falen gjobat e marra për mosvendosjen e këtyre pajisjeve. Të gjithë ata që nuk janë pajisur me kasë fiskale deri në afatin ligjor, 28 shkurt 2011, janë të detyruar të paguajnë detyrimet ligjore dhe njëkohësisht penalitetet e reja që ne propozojmë të vendosen pas kësaj amnistie.
Biznesi i madh
– Bilancet e kompanive
Kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme është 6 për qind e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 7 për qind për makineri e pajisje. Te bilanci do të përfshihet edhe kontributi i ortakut, i cili, nëse për momentin tatohet 10 për qind, në amnisti do të tatohet 3 për qind.
Borxhi tatimor e doganor
Biznesit i falet borxhi tatimor e doganor, me gjithë komponentët e tij, gjoba dhe kamatëvonesa deri më 31 dhjetor 2008.
– Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor për vitin 2009 u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh, ndërsa për vitin 2010, nëse paguajnë 100% të principalit të borxhit doganor, u falen gjobat dhe kamatëvonesat.
– Bizneseve që paguajnë 30% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2009, u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh.
– Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2010, u falen të gjitha detyrimet që lidhen me këtë borxh.
– Bizneseve u falen kamatëvonesat dhe gjobat për detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të papaguara.
– Bizneset mund të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore e doganore të padeklaruara për periudhën deri më 31 dhjetor 2010 dhe nëse paguajnë 50% të diferencës që rrjedh nga ky vetëdeklarim, u falet pjesa tjetër së bashku me gjobat e kamatëvonesat që do të aplikoheshin.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











