Idenë që Shqipërisë i duhet një amnisti fiskale, e mbështesin të gjithë palët, biznese e qytetarë, opozitë e mazhorancë, veçse, mënyra se si duhet të jetë ajo, konceptohet ndryshe.Këtë e tregoi më së miri dje debati në takimin e organizuar nga Biznes Albania ku të ftuar ishin të gjithë aktorët, përfshirë opozitën e cila nuk ka qenë prezente në takimin e parë zhvilluar nga Ministria e Financave. Takimin e hapi presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi, i cili komentoi edhe draftin e amnistisë fiskale që tashmë është bërë publik. Sipas Bregasit, duhet parë me kujdes pjesa e përqindjes së tarifave të cilat duhet të inkurajojnë vetëdeklarimin, dhe jo të bëjnë të kundërtën. “Kur një pasuri është deklaruar pjesërisht dhe vlera e deklarimit kontabël pjesor është e madhe, 6% e diferencës midis vlerës së rivlerësimit dhe asaj kontabël nuk është shumë e madhe, por për një pasuri ku diferenca midis vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuri të paluajtshme është e madhe, tarifa 6% duhet konsideruar e lartë. E lartë na duket dhe tarifa e tatimpaguesit, i cili deklaron detyrimin real që është gati 50%”, tha Bregasi, duke komentuar konkretisht një nga pikat e projektligjit. Ndërkaq, një pikë tjetër e rëndësishme sipas Presidentit të Biznes Albania është ajo e diskutimit të gjerë të ligjit me grupet e interesit para zbatimit final të tij. “Si një ligj që nuk bëhet gjithmonë, ai duhet “pjekur”, sigurisht pa u “djegur”, që do të thotë se qeveria duhet t’i lërë kohë biznesit për t’u njohur e për të dhënë mendime dhe sigurisht dhe kohën e nevojshme për ta kaluar në këshillat konsultativ të biznesit, para se ai të kaloj në Parlament”, vijoi Bregasi. Ndërkaq, lidhur më rishikimin e tarifave është shprehur edhe kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, duke kërkuar përqindje më të ulëta. Dy ekspertë dhe njëkohësisht edhe deputetë të mazhorancës, Sherefedin Shehu dhe Sybi Hida, kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin, ndërkohe që, lidhur me tarifat, kanë theksuar të dy faktin që kjo mund të negociohet. Kurse opozita, e cila për herë të parë ulej në një tryezë për të folur konkretisht rreth amnistisë fiskale, u shpreh pro nismës, por kundër kohës kur është ndërmarrë ajo. Për deputetin e PS-së, Arben Malaj, nuk është momenti i duhur që amnistia të sillet në kulmin e fushatës zgjedhore të 8 majit, pasi iniciativa të tilla që diskutohen në këto momente, më tepër rëndojnë situatën, sesa sjellin rezultat. Të njëjtin opinion ka ndarë edhe Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave, i cili e konsideron momentin si të gabuar, pasi është një moment elektoral. Nga ana tjetër, Angjeli ka kërkuar që qeveria të jetë më transparente lidhur me këtë ligj dhe t’i lërë biznesit kohën e duhur për të diskutuar.
35 per qind
Deri në këtë masë llogaritet që të jetë niveli i ekonomisë informale në vendin tonë, e cila përmes amnistisë fiskale do të formalizohej dhe do të sillte rreth 3.5 miliardë lekë të ardhura
Debati ne tryezen per amnistine fiskale
Luan Bregasi: Dimensioni tarifor mbi të cilin do të bëhet rregullimi i pozicioneve fiskale, duhet të jetë i tillë që të mos i bëjë sipërmarrësit apo individët që të hezitojnë për përfshirjen e tyre në këtë projekt, përkundrazi, të ndihen të motivuar dhe përfitues në angazhimet e tyre amnistuese. Dimensioni i lirisë së deklarimit të shoqërive apo personave juridike, duhet të jetë i tillë që sipërmarrësit të mos ndjejnë frikën nëse duhet të deklarojnë të ardhurat, apo jo, duke rregulluar përfundimisht pozicionin fiskal të tyre dhe të shihet në projektligj, që kontrollet tatimore të mos bëhen për pjesët që sipërmarrësit apo individët vetëdeklarojnë. Ky projektligj është i rëndësishëm për sipërmarrësit, për qytetarët për ekonominë kombëtare. Parë nga ky këndvështrim, ne mendojmë se ai duhet të ketë gjithë garancitë ligjore, çka kërkon edhe angazhimin e opozitës për ta votuar këtë projektligj.
Nikolin Jaka: Dhoma e Tregtisë ka disa propozime lidhur me projektligjin. Një prej tyre lidhet me tarifat: a-Tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për sipërmarrjen, jo më shumë se 3%, b-Tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive, jo më shumë se 5%, (Shtohet pika c), c-Tarifa për vlerësimin e emrit dhe markës së kompanive në treg, jo më shumë se 2% e vlerës së plotë.
Arben Malaj: Nuk është momenti i duhur që amnistia të sillet në kulmin e fushatës zgjedhore të 8 majit, pasi iniciativa të tilla që diskutohen në këto momente, më tepër rëndojnë situatën sesa sjellin rezultat. Formalizimi i ekonomisë ka disa elemente dhe amnistia nuk është formule magjike.
Sherefedin Shehu: Në tarifat që janë vendosur, duhet të mbahen parasysh edhe shtresat që nuk përfitojnë nga amnistia dhe reagimin e publikut. Gjithsesi, problemet që ngre biznesi janë reale dhe ka hapësira për negocim.
Anastas Angjeli: Për këtë nismë duhet konsensus. Qeveria nuk zhvilloi asnjë tryezë diskutimesh me biznesin me përjashtim të një takimi informues të ministrit të Financave. Në këtë pikë shfaqen një sërë problemesh, duke filluar nga koha e pamjaftueshme për opozitën politike, tek transparenca e qeverisë për këtë akt dhe sidomos nga mungesa e një paketë të gjerë e të plotë ligjore e nënligjore që duhet të shoqërojë këtë draft.
Agim Binaj: Çdo vit, ekonomia shqiptare humbet rreth 1 miliard euro nga evazioni fiskal. Ne duam të dimë, cili është treguesi kosto-përfitim nga miratimi i këtij ligji. Tarifat e amnistisë nuk mund të jenë më të lartë se 1.5 deri në 5 % dhe me miratimin e këtij ligji, nuk duhet të ligjërohet hajdutëria apo fshehja e të ardhurave.
Arben Ahmetaj: Partia Socialiste nuk ka qenë dhe nuk është kundër një amnistie fiskale. Kjo forcë politike e shikon transparencën e procesit si një element të rëndësishëm. Drafti duhet të ketë kohen e duhur në dispozicion për t’u diskutuar e debatuar mes grupeve të ndryshme të interesit. Le t’i referohemi fqinjit tonë, Italisë, i cili sapo ka kryer një amnisti. Biznesi debatoi për një ligj të tillë rreth 22 muaj.
Sybi Hida: Nuk mendoj se drafti përbën ndonjë element për përfitime politike, por ai mund të ketë edhe kosto politike, po të mendosh se ka njerëz që për 20 vjet kanë paguar rregullisht taksat dhe tatimet. Në lidhje me tarifat mund të ketë debate dhe është e vështirë të gjesh një normë tarifimi fikse, por kjo mund të diskutohet.











