AMF, pakt për sigurimet me Transportet

Apr 1, 2011 | 12:47

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve nënshkruan dje paktin për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Pakti u firmos dje në ceremoninë e inaugurimit të zyrave të rejat të AMF. “Godina e re konturon ngritjen e një institucioni të ri, i cili, në sajë të një axhende tepër të ngjeshur katërvjeçare, vjen pas rishikimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor që rregullon tregjet financiare jobankare, me miratimin e 6 (gjashtë) ligjeve të rëndësishme, me një treg sigurimesh që reflekton qëndrueshmëri me futjen e kapitalit të huaj, me një metodologji të mbikëqyrjes me fokus riskun dhe me licencimin e shoqërisë së parë administruese të fondeve të pensionit vullnetar”, theksoi kryetarja e AMF-së, Elisabeta Gjoni. Ndërsa kreu i qeverisë premtoi ndryshime të tjera në ligjin për pensionet. “Hapa të tjerë të rëndësishëm do të ndërmerren në reformën e pensioneve, reformë që zgjeron edhe më shumë dhe e bën gjithnjë e më të domosdoshme veprimtarinë drejtuese të Autoritetit Mbikëqyrës të tregjeve Financiare jobankare”. Godina e re përmban 3 kate, në të cilat janë pozicionuar 23 zyra ku punon një staf prej 48 punonjësish, një sistem modern audio-video konference, nga një sallë takimesh në çdo kat. Ajo që është më e rëndësishme, godina e re garanton instalimin e veprave ambicioze të institucionit në drejtim të Teknologjisë së Informacionit si Qendra Kombëtare e të Dhënave të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik dhe platforma elektronike e raportimit të subjekteve në AMF.

© Panorama.al

Te lidhura