AMF: Janar-mars, kontratat e sigurimit u dyfishuan

Apr 26, 2011 | 11:16

Numri i kontratave për periudhën janar-mars 2011 u dyfishua, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kurse të ardhurat u rritën vetëm me 7.7 për qind. Raporti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për 3-mujorin e parë të këtij viti reflekton tendencat në tregun e sigurimeve, ku të ardhurat kanë arritur nivelin 2.2 miliardë lekë, kurse orientimi i tregut vijoi të mbetet te sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën rreth 87.96 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 12.04 për qind. Pjesën më të madhe të të ardhurave e kanë sjellë kontratat që lidhen me sigurimin vullnetar, ku kategori të tilla si portofoli i pronës, përgjegjësive, garancive, portofoli i zjarrit dhe rreziqeve shtesë, apo portofoli i aksidenteve personale dhe shëndetit, kanë pësuar rritje të lartë, sidomos i fundit. Në janar-mars sigurimet e aksidenteve personale dhe të shëndetit  arritën në rreth 254 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 208.7 përqindësh në krahasim me janar-marsin e vitit 2010. Ndërkohë që te sigurimi i detyrueshëm vihet re një rënie te produkti i sigurimit kufitar si në numër kontratash, ashtu dhe në të ardhura. Një detaj tjetër i raportit të AMF-së është edhe pagesa e dëmeve bruto. “Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2011 u rritën me rreth 8.35 për qind, krahasuar me janar-marsin e vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike, me 358 milionë lekë, apo 70.87 për qind të totalit të dëmeve të paguara bruto”, thuhet në raportin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

© Panorama.al

Te lidhura