“Amanet” zbardh eliminimet mes udhëheqjes komuniste

Mar 22, 2014 | 12:51

Aktorët Eva Alikaj dhe Amos Muji Zaharia, në filmin me regji të Namik Ajazit
U shfaq dje premiera e filmit me regji të Namik Ajazit

Lufta mes llojit gjatë viteve të diktaturës dhe një homazh bijve të ish-pushtetarëve, që vdiqën nëpër miniera

Pinjoll i një familjeje të përndjekur në tre breza, ishte më se e natyrshme që regjisori Namik Ajazi t’i kushtohej për vite me radhë dokumentarëve mbi personazhe që pësuan gjatë diktaturës komuniste.
Po kaq i natyrshëm është edhe kalimi i tij në filmin artistik me metrazh të gjatë, ku gjithsesi ndihet disi aroma dokumentare, sidomos në fillim e fund të filmit. Dje, u shfaq premiera e krijimit të parë artistik të Ajazit, “Amanet”, duke përmbushur kështu qëllimin për t’i shkuar deri në fund një filmi që denoncon luftën e brendshme në kastën më të lartë të shtetit dhe Partisë së Punës gjatë diktaturës komuniste, por ndoshta edhe plotësimin e një amaneti të prindërve të tij, për të treguar një histori që i përkiste. “Amanet”, një film me skenar të Ruzhdi Pulahës, na kthen pas në kohë, menjëherë pas eliminimit të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ky eliminim do të merrte me vete edhe krerë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, që dhanë urdhër për “heqjen qafe” të tij. Një reaksion zinxhir, fundi i të cilit ishte i qartë për të gjithë. Për të treguar këtë proces eliminimesh, i cili në fakt kishte nisur që para çlirimit të vendit, Ajazi ndalet te historia e njërit prej tyre. E ka quajtur Mentor Hasa, por në të vërtetë është një shumësi personazhesh, copëra historish që të kujtojnë këtë apo atë drejtues të lartë të shtetit komunist. Gjen te portreti i Mentor Hasës, pak nga historia e Kadri Hasbiut, madje e tij është fotografia në të cilën paraqitet duke u dekoruar nga Enver Hoxha, vetëm pak kohë para arrestimit, por gjen edhe pak nga portreti i Feçorr Shehut, Beqir Ballukut… Tek historitë e familjeve të tyre gjen pak nga të gjitha familjet e ish-pushtetarëve që pas dënimit apo pushkatimit të tyre, u internuan, punuan nëpër miniera, disa edhe nuk u kthyen që andej. Disa syresh Ajazi i ka njohur edhe vetë në kampet e punës ku i kishin internuar.
Ngjarja

Myzafer Zifla, në rolin e Mentorit, në filmin “Amanet”
Mentor Hasa është ministër, i cili ka parë dhe ka marrë pjesë në eliminimin e gjithë miqve të tij. Tani është radha e tij. Skenari është i njohur. Gjithçka funksionon si një orë zvicerane. Ditën e shkarkimit nga funksioni, ai regjistron gjithë veprimtarinë e tij, qysh para çlirimit të Shqipërisë, të cilat ia lë amanet të birit. Pas arrestimit, gruaja, Lida dhe i biri Martini, gjimnazist, internohen. Lida nga një grua e bukur Blloku, kthehet në një stalliere, punëtore toke, me duar me kallo, me flokë të shprishura dhe e veshur keq, ndërsa Martini punon në minierë, bashkë me shokun e tij të ngushtë, i cili e kishte parë internimin para tij. Por, Martini ka një amanet. Ai arratiset, arrin të kalojë në Itali dhe ta tregojë historinë e tij dhe të të atit. Ndërkohë në Shqipëri ishin marrë masat. Sapo del nga studioja, Martini ekzekutohet, ndërsa lë një amanet: t’i shpëtojnë të ëmën. Kur e pyet se përse e “vrau” Martinin, Ajazi përgjigjet se duke “vrarë” atë, donte t’u bënte një homazh të gjithë atyre djemve të ish-pushtetarëve të lartë, të cilët nuk u kthyen më kurrë nga minierat ku u internuan, ku u sajuan vdekje aksidentale apo vetëvrasje.
Filmi
Ndonëse në film ngjarjet nuk ndodhin shpejt, nuk ka shumë dinamikë, ai është i ngarkuar me tension. Një lloj tendosjeje që ndihet në çdo veprim të personazheve, të cilët presin të ndodhë diçka. Namik Ajazi është treguar i kujdesshëm në përzgjedhjen e kastit të aktorëve, në mënyrë që t’u përshtateshin karaktereve të personazheve të tij. Mentori, Myzafer Zifla, është një pushtetar që me aq gjakftohtësi sa ka eliminuar shokët e tij, e pret edhe fundin e vet. Zifla i qëndron mirë personazhit, një aftësi e tij për t’u përshtatur, çka ka rënë në sy edhe të regjisorëve të tjerë. Për Eva Alikajn, “Amanet” është kthimi në kinematografi pas 23 vjetësh mungesë. Eva, aktorja e dashur e publikut shqiptar, nuk i shpëton dot rolit të koketës apo llasticës, siç thotë vetë ajo. Por, fundja ajo është një zonjë Blloku, që bën një jetë të mirë, e kuruar, e veshur. Eva flet shumë me portret, sidomos në pjesën e dytë të filmit, kur ngjarjet marrin një tjetër drejtim. Flokët e saj nuk janë më të krehur, thonjtë i ka të zinj, duart e rreshkura, sytë e skuqur.. Amos Zaharia në rolin e Martinit është një premtim për të ardhmen. Duket se ka marrë gjenet e mira familjare dhe me gjithë eksperiencën e pakët si aktor, por edhe moshën e re, arrin të futet në karakterin e një personazhi, që ka jetuar kur ai sapo ka lindur apo edhe më herët. Ndonëse nuk shfaqet për gjatë, Alfred Trebicka është një portret i qëlluar i pushtetarit që ndjen frikën e fundit. Kujdes është treguar edhe në zgjedhjen e personazheve të episodit, që thonë vetëm një frazë në skenën e minierës apo diku tjetër. Kastit të aktorëve shqiptarë i shtohet edhe ai italian, të cilët luajnë pjesën e arratisë në Itali. Sapo nis filmi, ajo çka të bie në sy është fotografia. E realizuar nga mjeshtri i fotografisë Nino Celeste (drejtor fotografie i serialit “Oktapodi”) ajo arrin të krijojë gjithë atmosferën e filmit. Një ngjyrë gri që e shoqëron nga fillimi deri në fund, duke simbolizuar gjithë gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria. Mjaft e kuruar kostumografia, ambientet në të cilat zhvillohen ngjarjet janë të gjitha të zgjedhura me kujdes, në mënyrë që të mos i shpëtonte asgjë. Edhe pse jo e lehtë për t’u kthyer 30 vjet në kohë, Ajazi dhe piktori i filmit Shpëtim Baça, i kishin qëmtuar vendet, ku koha kishte ndalur në vitet ’80. Tërësisht brenda atmosferës dhe tensionit të ngjarjes ishte muzika e Genti Durgës, që kujtonte kolonat zanore të Enio Moricones. Pas mbylljes tragjike të filmit, në ekran shfaqen disa statistika, që lidhen me të dënuarit, internuarit, të pushkatuarit dhe amanetin e papërmbushur për shkak se dekomunistizimi i Shqipërisë nuk është bërë ende. “Nuk janë hapur dosjet, nuk është kërkuar falje”, tha Ajazi. Për të, ky film ishte një detyrim kundrejt brezit të ri, në mënyrë që ata të njohin historinë. E nga “Amanet”, mund të mësosh shumë për diktaturën. Në këtë drejtim janë 800 mijë euro të shpenzuara mirë.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura