VIDEO- Akuzat për vjedhjen e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë, Balluku: Nuk do prononcohemi për një çështje nën hetim! Mbështesim Drejtësinë dhe kur prekemi personalisht

Nov 19, 2025 | 13:49

Belinda Balluku e marrë e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë u shfaq në Kuvend, madje mori edhe fjalën. Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se “nuk do të prononcohet për një çështje që është në hetim”.

Numri dy i qeverisë  deklaroi se do të mbështesë drejtësinë dhe SPAK edhe kur siç deklaroi ajo “preket personalisht”.

“Nuk do prononcohem kurrë për çështje nën hetim, pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo.

Unë si kolegët e PS mbështesim reformën në drejtësi dhe produktet e saj edhe kur prekemi personalisht, pasi ndryshe nga sa thoni e mendohet PS është një formacion politik serioz, i vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet dhe fjala e secilit ka peshë. Ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti. Ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, tha Balluku.

Balluku ‘shpërtheu’ ndaj opozitës duke thënë se “keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore dhe parlamente”.

“Ju përmes sulmeve personale mbuloni dështimin tuaj. Dëgjova një thirrje pak më parë, dikush u ngrit nga radhët tuaj dhe tha “të mos merremi me familjarët”. Seriozisht? Kur e vendosët këtë akt etik?! Na njoftoni edhe ne, sepse ju nuk merreni thjesht me familjarët, por ju keni ngritur të vdekurit nga varri dhe i keni sjellë nëpër foltore dhe parlamente. Unë me shumë prej jush jam përballur politikisht dhe jam përballur në fushë betejë, aty ku duhet të dalin dhe përballen burrat. Shumë prej jush i kam ulur në gjunjë”, tha Balluku.

© Panorama.al

Te lidhura