Është gjetur këtë të enjte, 18 qershor, trupi i pajetë i Eglant Koçit, 34 vjeçarit të zhdukur në fillim të qershorit, dhe që dyshohet se u vra nga miku i tij, Armand Shakaj.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se trupi i 34-vjeçarit, i pikasur gjatë kontrolleve me dronët e policisë, është gjetur në zonën mes Tiranës dhe Elbasanit, në një humnerë në fshatin Cerujë, ndërsa polumbarët e RENEA-s po punojnë për të nxjerrë trupin e tij.
Për këtë ngjarje në kërkim është shpallur 41-vjeçari Armand Shakaj, ndërsa u vu në pranga kamarieri i lokalit të tij, Enea Zyferi.
Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se Armand Shakaj është filmuar nga kamerat e sigurisë duke transportuar një çantë dhe një qese të zezë, në të cilat dyshohet se ndodhej trupi i pajetë i 34-vjeçarit. Më pas, ai dyshohet se i ka vendosur ato në automjetin e tij, ku trupi besohet se ka qëndruar për rreth 24 orë.
Sipas hetuesve, Shakaj ka siguruar më pas një karrotrec për të transportuar automjetin deri në zonën e Ibës, me pretendimin se kishte pësuar defekt. Pas kësaj, ai është larguar me mjetin e tij dhe i ka kërkuar kamarierit të lokalit të tij ta dërgonte për larje në lavazh.
Gjatë kontrollit të automjetit, grupi hetimor ka gjetur gjurmë gjaku, si dhe mjete pune, përfshirë lopatë me baltë.
Njoftimi i policisë:
-Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet dhe verifikimet me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit.
© Panorama.al











