Analiza/ Genc Burimi: Shumë e vërtetë Edi Rama, problemi nuk janë flamingot, problemi je ti!

Jun 18, 2026 | 14:31

protesta genc burimiNga Genc Burimi

Nuk është e nevojshme të kesh bërë Institutin e arteve si piktori, as shkollën e mesme, biles as shkollën fillore kur sheh ata fëmijë që marrin mikrofonin për të kuptuar se flamingot qenë shkëndija fillestare, por sot protesta ka vetëm një kauzë, largimin e Edi Ramës.

I fortë ky sesi e kuptoi këtë të vërtetë kaq të thjeshtë në postimin e tij të fundit. Më mirë vonë se kurrë Kryeministër.

«Problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë » shkruan në forme monologu Edi Rama duke bërë paragrafe me lajka të neveritshme për kauzat ambientaliste.

«Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi», guxon pa pikën e turpit dhe të memories të shkruajë ky që tallej me gjuhë e gjeste me flamingot e protestës kur kjo nisi në fillim të qershorit.

Aq shumë i imitonte flamingot me përçmim sa e zuri dhe tortikolija. I ndodhi Rames ekzakt ky përkufizim mjekësor: «Torticollis është një gjendje që karakterizohet nga një deformim cervikal ku koka pozicionohet në mënyrë anormale, e prirë në njërën anë në krahasim me vijën e mesme të trupit, shpesh me përkulje anësore dhe/ose rrotullim të qafës në drejtim të kundërt. Kjo mund të ketë origjinë kongjenitale, të jetë e fituar ose idiopatike».

Dhe ja sot Kryeministri tregon se vuan nga simptoma te reja, amnezike. Edhe flamingot po shkrihen gazit kur dëgjojnë këtë sharlatan t’u thotë se i do ata që ngrihen për flamengot.

Por për fat të keq, shton Rama, nuk janë flamingot që u interesojnë. Dhe këtu i themi bravo Kryeministrit se kur të dhemb zverku nga tortikolija fillon dhe kupton.

Nëse e kuptove mesazhin e vërtetë të flamingove, ndonëse gati tre jave me vonesë, beje realitet, ik vetë.

© Panorama.al

Te lidhura