SPAK po i heton dhe Gjykata i vendosi nën masë sigurie, AMP zbulon se për çfarë akuzohen 2 shefat rajonalë të saj dhe kreu i Policisë Bashkiake Devoll (DETAJET)

Jun 18, 2026 | 14:29

Një ngjarje që lidhet me shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënie pasurie ka çuar nën akuzë penale 2 shefa rajonalë të AMP-së së Policisë së Shtetit dhe kreun e Policisë Bashkiake të Devollit.

amp-Agjencia-e-Mbikeqyrjes-Policore

SPAK dhe BKH hetojnë prej ditësh të dyshuarit, kurse Gjykata e Elbasanit ka aprovuar masat shtrënguese të sigurisë për ndalim të daljes jashtë vendit dhe detyrimit të paraqitjes për Glodian Ahmetaj, dejtor rajonal i AMP për Elbasan-Korçë, Devis Ago, shef sektori i AMP dhe Klevis Hoxha, shef i Policisë Bashkiake Devoll.

AMP ka dhënë edhe detaje për dosjen hetimore dhe masat e sigurisë që janë vendosur, të cilat i ka ekzekutuar ditën e sotme.

Mësohet se BKH po sot ka kryer edhe kontrolle të shumta bashkë me prokurorë të SPAK, kryesisht në disa banesa në Devoll. Hetimet lidhem me procedimin penal 238 të këtij viti. Pritet që kjo dosje t’i referohet nga Prokuroria e Rrethit te SPAK për shkak të kompetencës dhe veprës penale.

Njoftimi i plotë i AMP-së për rastin:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të angazhimit të saj të pandërprerë në luftën kundër paligjshmërisë dhe garantimin e integritetit të funksionarëve publikë, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion hetimor në kuadër të procedimit penal nr. 238 të vitit 2026, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, AMP ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj tre shtetasve të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Masat e sigurimit të ekzekutuara janë si më poshtë:

▪️ Glodian Gëzim Ahmetaj, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Devis Ramadan Ago, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Shef Sektori në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Klevis Ramadan Hoxha, me detyrë Shef i Policisë Bashkiake pranë Bashkisë Devoll, ndaj të cilit janë vendosur masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet procedurale të përcaktuara nga gjykata, si dhe janë ushtruar tre kontrolle banesash të autorizuara nga autoriteti procedues, me qëllim administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Ky operacion dëshmon edhe një herë profesionalizmin, vendosmërinë dhe pavarësinë e strukturave hetimore të AMP-së në trajtimin e rasteve ku dyshohet për përfshirje të funksionarëve publikë apo personave të lidhur me institucionet ligjzbatuese në veprimtari të kundërligjshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar zbatimin e ligjit, llogaridhënien institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë. Çdo indicie apo dyshim për shkelje të ligjit do të hetohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta të shtetit të së drejtës”.

© Panorama.al

Te lidhura