“Protesta po lind ndryshimin e modelit të qeverisjes”- Pedagogu Osmani: Ministrat janë kukulla, Rama i kontrollon të gjitha! PS dhe PD janë model autoritar

Jun 18, 2026 | 15:41

Pedagogu Afrim Osmani tha sot nga studio e emisionit të “News24” se protesta qytetare po sjell ndryshimin e modelit të qeverisjes dhe sundimit nga dy partitë autoritare PD dhe PS që kanë kapur sistemin prej vitesh.

afrim osmani

Sipas tij, protesta po sjell ndryshimin e modelit të autokracisë dhe se kryeministri Edi Rama në vend që të merret me thelbin po përpiqet të gjejë armiq.

Pedagogu deklaroi se ky është kontestim i PD dhe PS sepse janë jo vetëm e vjetra, por edhe sepse janë autoritarë.

“Ministrat e qeverisë Rama janë kukulla sepse për gjithçka vendos Edi Rama, deri dhe në kontrollin e 50% të PBB-së”, u shpreh ai mes të tjerave.

I pyetur nëse kjo lëvizje po prodhonte një parti, ai u përgjigj:

“Të gjithë mendojnë a do të lindë një parti por në vetvete është parti ndryshimi. Po ndryshon modeli i autokracisë, të qeverisjes, mosdhënies së transparencës. Si mund të vendosë kryeministri për një territor? “A do lindë partia apo grupim? Ajo nuk quhet parti, por në vetvete ajo është partia e ndryshimit. Aty po lind ndryshimi i modelit të qeverisjes, i ndryshimit të bërjes së gjërave, ndryshimit të mosbërjes së transparencës dhe ndryshimi i autokracisë”.

Për Osmanin, kryeministri i merr vendimet pa pyetur askënd, në mënyrë autoritare dhe kjo sjell pakënaqësi tek shoqëria shqiptare, produkt i të cilës është protesta që vijon prej 18 ditësh.

“E gjithë kjo mundësi autoritare, sepse duhet të themi ky është sundim, që do të thotë se kur i mbushet mendja për ta bërë një gjë e bën. Në mandatin e katërt kryeministri çuditet nga kjo lëvizje e jashtëzakonshme po përpiqet të gjejë armiq dhe jo të merret me thelbin. Kontestojmë PD dhe PS sepse janë model autoritar. Mund të ketë ministra të aftë, por janë kukulla edhe po të mos ekzistonin e njëjta gjë do të ndodhte sepse vendos kryeministri. 50% e PBB-së kontrollohet nga kryeministri. Në thelb është kontestimi i modelit”, deklaroi Osmani.

© Panorama.al

Te lidhura