Në Shqipëri, numri i aksidenteve është dy herë më i lartë se në vendet e zhvilluara.Gjatë 4 viteve të fundit kanë vdekur 1342 persona dhe 5108 të tjerë janë plagosur. Por, përveç humbjes njerëzore, që për fatin e keq u përkasin moshave 16-44 vjeç, vendi, vetëm gjatë vitit 2009, ka humbur një për qind të GDP-së, ose rreth 106 milionë euro për shkak të aksidenteve. Dje ka hyrë në fuqi strategjia e re, e cila e detyron qeverinë shqiptare të ndërhyjë në sistemin rrugor, në sistemin e sinjalistikës dhe atë të edukimit për uljen e aksidenteve. Sipas parashikimeve, në rast se nuk do të ndërmerren menjëherë masa në këto drejtime, atëherë numri i aksidenteve me vdekje për një periudhë më pak se 8-vjeçare do të arrijë në 600 në vit.
Një ndër ndërhyrjet kryesore është ajo në lejet e drejtimit. Sipas strategjisë, parashikohet përmirësimi i sistemit të pajisjes me leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve në harmoni me kërkesat e sigurisë së BE-së. Kjo do të thotë, instalimi i një sistemi pikësh penalitetesh në nivel kombëtar. Pra, kush gabon në trafik dhe gjobitet, do t’i ulen pikët në patentë deri në heqjen përfundimtare të saj. Nga ana tjetër është parashikuar që për drejtuesit e rinj, pra shoferët që sapo janë pajisur me patentë, të ketë një periudhë provizore prej dy vitesh. “Për të përmirësuar situatën dhe për të parandaluar aksidentet në të ardhmen kërkohet përmirësimi i edukimit të drejtuesve të mjeteve në autoshkolla. Të gjitha procedurat dhe materialet e trajnimit duhet të rishihen nga pikëpamja e kërkesave të sigurisë rrugore dhe të përafrohen me ato të BE-së. Pra do të ketë një ndryshim total të autoshkollave. Parashikohet që të vendoset një kod identifikimi të autoshkollës, në lejen e drejtimit. Kjo në mënyrë që të shikohet se sa të afta janë autoshkollat. “Drejtuesi i mjetit që pajiset për herë të parë me leje drejtimi mjeti duhet t’i nënshtrohet një periudhe prove për të paktën dy vjet, me qëllim testimin e tij/saj në lidhje me njohuritë e marra dhe me sjelljen përkatëse. Kjo do të thotë që në rast të neglizhencës serioze të rregullave të qarkullimit rrugor, d.m.th. në rast të tejkalimit të shpejtësisë dhe drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, gjykata duhet t’ia heqë lejen e drejtimit këtij drejtuesi nëpërmjet një procedure shumë të thjeshtuar. Kjo mund të bëhet në kombinim me sistemin e pikëve penalizuese. Aktivizimi i sistemit të kufizimit për drejtuesit e rinj të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë Kodin Rrugor, p.sh. toleranca “zero” për përqindjen e alkoolit në gjak”.
Një tjetër ndërhyrje që parashikohet për uljen e aksidenteve është detyrimi i prindërve për mbajtjen e fëmijëve në ndenjësen e pasme. “Ndenjëset dhe lidhjet përkatëse për fëmijët janë një metodë efikase në reduktimin e vdekjeve dhe plagosjeve për fëmijët gjatë aksidenteve rrugore. Lidhjet e fëmijëve kanë për qëllim kryesor mbrojtjen e tyre në rast përplasjeje. Shansi për të humbur jetën apo për t’u plagosur është rreth 7 herë më i lartë në rastet kur fëmijët nuk janë të lidhur. Mbajtja e fëmijëve të palidhur dhe në ndenjësen e parë duhet të ndalohet dhe të penalizohet”.
Pesë pikat e aksidenteve
Sipas të dhënave të strategjisë, janë 5 pika që rezultojnë fatale në qarkullimin rrugor. Për këtë arsye është kërkuar që zbatimi i ligjit në rastin e qarkullimit të jetë me tolerancë zero. “Përqendrimi i përpjekjeve për arritjen e zbatimit të ligjit në pesë pika të sjelljes së drejtuesve të mjeteve (shpejtësia, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, mosrespektim i dritës së kuqe të semaforit, ndërrimi i korsive dhe ‘injorimi i tjetrit’), shkaqe të cilat do të mbulonin rreth 78% të vdekjeve dhe 55% të plagosjeve që janë regjistruar gjatë viteve të fundit”.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











