Qeveria dhe Kuvendi kanë gabuar me miratimin e ligjit të ri për akcizat. Për presidentin Topi ligji është kundër Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, kundër bizneseve dhe kundër punësimit.Për këto arsye, Topi ka vendosur të mos firmosë dhe të kthejë sërish në Kuvend ligjin. Ligji për disa ndryshime në ligjin për akcizat, është miratuar në Kuvend më datë 23 mars dhe priste firmën e Topit, që të hynte në fuqi. Ligji parashikonte që prodhuesit e produkteve të akcizës të vendosin pulla fiskale në produktet e tyre. Kjo ishte një kosto shtesë, e cila ndikonte direkt në politikat e kostos të këtyre prodhimeve. “Në mbështetje të nenit 85, paragrafi 1 i Kushtetutës, më lejoni t’ju bëj me dije se kam vendosur të mos e shpall, por ta kthej edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend.”
Shkelja e MSA
Arsyeja për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues. Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligjin nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndër të tjera parashikon se “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë”. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim–Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës. Sipas gjykimit tim, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi sjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendës. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.”
Ndikimi në ekonomi
Por përveç shkeljes ligjore të MSA, ligji ka një ndikim, sipas Topit edhe në ekonomi. “Sipas vlerësimit tim, ndryshimet e shpejta në ligjin e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimin e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt. Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjellë dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’u shkaktojë këtyre të fundit humbjen e vendit të punës.”
Topi shpallet Qytetar Nderi i Bashkisë së Bajram Pashasë
Presidenti Topi është shpallur dje “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Bajram Pashasë në Turqi. I gjendur në Turqi në krye të delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Samitin e 14-të Euro-Aziatik, Presidenti zhvilloi një vizitë të veçantë në Bashkinë e Bajram Pashasë. Sipas njoftimit të Presidencës, Bamir Topi u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Bajram Pashasë, pas vendimit unanim të Këshillit Bashkiak, me motivacionin: “Në shenjë nderimi për popullin shqiptar, me të cilin kemi përvoja të përbashkëta në aspektin historik dhe kulturor.” Po ashtu, presidentit, gjatë një ceremonie solemne, iu dorëzua “Çelësi i Artë i Qytetit”. “Ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje të veçantë! Dëshiroj t’ju përcjell përshëndetjet më të zjarrta të popullit shqiptar. Populli shqiptar dhe populli turk e kanë farkëtuar miqësinë e tyre historike dhe tradicionale ndër shekuj. Prandaj ndihem shumë i nderuar nga mikpritja vëllazërore në Bajram Pasha, sepse ka në vetvete pjesë nga historia e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona. Ne sot jemi dy vende jo vetëm miq dhe aleatë në NATO, por po përpiqemi të thellojmë dhe zgjerojmë edhe bashkëpunimin ekonomik, siç e demonstron edhe pjesëmarrja në Samitin e 14-të Euro-Aziatik. Edhe një herë ju falënderoj në emër të popullit shqiptar për këtë nderim të veçantë”, theksoi Topi. Gjatë punimeve të Samitit, Topi ndoqi seancën mbi energjinë ku u diskutuan “Bashkëpunimi rajonal dhe çështjet energjetike. Energjia bërthamore. Projektet e ardhshme”, dhe takoi e shkëmbeu pikëpamje me organizatorin dhe Drejtuesin e Forumit “Marmara”,, dr. Akan Suver; me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov; me ish-Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe me shumë personalitete të larta si ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.











