Akcizat, ligji kalon pa ndryshimet e Topit

Apr 26, 2011 | 11:16

Me 73 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Parlamenti ka rrëzuar dje dekretin e Presidentit, i cili rikthente edhe njëherë për diskutim ligjin “Për akcizat” në Komisionin e Ekonomisë. Argumentimit të kreut të shtetit Bamir Topi, se ky ligj binte në kundërshtim me MSA-në, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Sapho, iu përgjigj me të tjera argumente, të cilat, sipas tij, tregonin se në ligj nuk ka asgjë që bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.  “Në nenin 15 të direktivës theksohet se çdo shtet anëtar përcakton rregullat e veta lidhur me prodhimin, përpunimin dhe mbajtjen e mallrave të akcizës që janë subjekt i kësaj direktive. Në nenin 39 të po kësaj direktive përcaktohet se shtetet anëtare mund të kërkojnë që mallrat e akcizës të mbajnë pulla fiskale ose shenja dalluese kombëtare të përdorura për qëllime fiskale kur ato hyjnë në territorin e tyre”, shpjegoi Spaho. Ai theksoi se legjislacioni i BE-së i lejon pullat fiskale për të miradministruar mbledhjen e akcizës. Gjatë fjalës së tij në seancë parlamentare, Spaho vuri theksin në faktin që ndryshimet në ligjin e akcizës vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit për shpërndarjen e pullave fiskale, duke theksuar se kjo kontratë është dekretuar pa asnjë kontestim nga vetë kreu i shtetit. “Ky ligj ka qenë objekt diskutimi me BE-në dhe nuk ka pasur objekt kontestimi për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Komisioni, në diskutimet e tij mbështeti argumentet ligjore dhe është i mendimit se ligji ‘Për akcizat’ nuk sjell diskriminim të prodhimit vendas, pasi vendos të njëjtat rregulla të administrimit dhe vjeljes së akcizës si për prodhimet vendase, ashtu dhe ato të importit. Komisioni, me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm në mbledhje, nuk e miratoi Dekretin 6698, datë 12.4.2011 të Presidentit të Republikës, për të kthyer për rishqyrtim ndryshimet në ligjin e akcizave”, përfundoi ai. Automatikisht, ligji, me miratimin e djeshëm të Parlamentit, hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

© Panorama.al

Te lidhura