“Ajo që ndodhi në Kushtetuese ishte e paprecedentë!”- Bardhi: Gjyqtari ndërroi mendje, kërkoi rivotim! Mbështetje SPAK, në dosjen e Ballukut përmendet më shumë fjala…

Dec 22, 2025 | 21:36

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dha sot nga studio e “News 24” detaje nga dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzime me tenderë dhe me masë sigurie nga GJKKO, si dhe nga votimi që u bë në Kushtetuese, ku u pezullua përkohësisht pezullimi nga detyra dhe u rikthye në post.

gazment bardhi

Ai shpjegoi se ishte një rast i paprecedentë, ku nën presion Gjykata Kushtetuese dhe veçanërisht një gjyqtar, të cilit nuk ia përmendi emrin, pas rezultatit 4 me 4 në votimin e parë, kërkoi rivotim pasi e kishte rimenduar zgjedhjen e tij, duke kaluar në rezultatin 5 me 3 në favor të kërkesës së Kryeministrisë.

“Zoti Berisha ka vlerësuar guximin e prokurorëve për disa çështje. Berisha foli për Gjykatën Kushtetuese, sepse ajo që vendosi ajo ishte e paprecedentë, ka pezulluar vendimin e GJKKO, votimi atje doli 4 me 4, pra në favor të SPAK për pezullimin nga detyra. Por një nga gjyqtarët ka thënë ta rihedhim edhe njëherë në votim sepse e rimendova. Nuk ia di emrin dhe nuk merrem me emra konkretë, por mund të them se po ushtrohet presion i paprecedentë ndaj Kushtetueses. E kam denoncuar edhe te ndërkombëtarët presioni që po bëhej tek Kushtetuesja, e që solli pikërisht këtë situatë ku gjyqtari kërkoi rivotim edhe njëherë. Nuk e di nëse kjo është e paligjshme, por zoti Berisha për këtë foli, për presionin ndaj Kushtetueses dhe faktin e guximit që ka treguar prokuroria”, komentoi deputeti demokrat për këtë rast, ndërsa u pyet për qëndrimin e selisë blu ndaj drejtësisë.

Më tej, ligjvënësi denoncoi qeverinë dhe kryeministrin se po kërkon të përdorë 83 kartonët e mazhorancës në Parlament për të mbrojtur vjedhjet, korrupsionin, Ballukun dhe veçanërisht veten.

“Rama e di nëse do përdorë 83 mandatet kundër drejtësisë, do ketë punë me qytetarët. Siç po ndodh me rastin e Ballukut, ku e merr në mbrojtje edhe pse ka prova, duke përdorur parlamentin. Ai nuk ka merakun e Ballukut, ai ka merakun e vetë, më shumë përmendet fjala K.M., (nënkupto kryeministri) sesa fjala Belinda, unë po e lexoj atë dosje. Ai do që prokuroria të mos shkojë tek ai vetë dhe jo te Belinda. Patjetër unë e mbështes dhe e kam mbështetur SPAK gjithmonë, s’e kam quajtur asnjëherë SKAP, jam një ndër deputetët që kam çuar më shpesh kallëzime në SPAK. Por nuk mund të mbyll sytë kur segmente të prokurorisë bëjnë gabime”, u shpreh ai më tej.

Kreu i deputetëve demokratë nënvizoi gjithashtu se edhe drejtësia bën gabime, siç ishte rasti i krimit zgjedhor që nuk u hetua, teksa shprehu solidaritetin me televizionin “News 24”, që për shkak të hapësirave që i jep opozitës, është sulmuar nga pushteti.

“Unë e vlerësoj faktin se televizioni juaj lë hapësira dhe për këto i ka vuajtur nëpërmjet goditjeve që i janë bërë, por edhe këtu e kam thënë se prokuroria për krimet zgjedhore duhet të kishte bërë më shumë, e kam thënë publikisht, por kjo nuk më jep të drejtën që të flas për punën e përgjithshme të saj. Ky grup i fundit kriminal i strukturuar që ka dalë është i paprecedentë ku shteti është kapur, zyrtarët janë kapur dhe shikojmë se çfarë shteti ka ndërtuar Edi Rama”, u shpreh deputeti demokrat.

© Panorama.al

Te lidhura