Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, gjatë intervistës për News 24, u pyet edhe për thirrjen e Sali Berishës për t’u bërë bashkë në thirrjen kundër qeverisë së Edi Ramës.
Ai theksoi se nuk mund të ulen në një tryezë me persona të akuzuar për korrupsion, duke iu referuar faktit se kryedemokrati përballet edhe vetë me akuzë për dosjen Partizani. Duke përmendur protestat e PD-së, ai tha se ndonëse kanë qenë të mëdha, nuk kanë dhënë rezultat kundër qeverisë për faktin se lidershipi i saj nuk ka besueshmëri.
“Nuk mund të ulemi në një tryezë ku krerët e saj janë të akuzuar për korrupsion që nga zoti Berisha, zoti Meta… Ne e shohim luftën ndaj korrupsionit si problemin kryesor në Shqipëri sot, dhe sa kohë nuk ke besueshmëri me këtë problem të shqiptarëve, ne nuk mund të na ketë nga pas. Ne kemi marrë rreth 50 mijë vota të shqiptarëve se mendojnë kështu. Nëse ne shkojmë në një tryezë ku si synim kanë të godasin drejtësinë, e të shpëtojnë karrigen e tyre politike…edhe ne e kemi synimin për të rrwzuar qeverinë por duhet të kesh besueshmëri.
Janë bërë protesta edhe më të mëdha dhe nuk është rrëzuar qeveria sepse duhet të kesh besueshmëri. Protesta është mjet i mirë që të ngresh zërin por duhet të kesh besueshmëri. Duhet ndryshimi i lidershipit. Nuk mund të shkojmë në tryezë.”, u shpreh deputeti.
© Panorama.al












