Reforma Territoriale, Berisha: Maxhoranca do që të kalojë një raport që nuk është paraqitur në Komision! Propozimi i PD? Ne kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazë demografike

Jul 23, 2026 | 12:54

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se po tenton që të kalojë një raport që nuk është paraqitur në Komisionin e Posaçëm të ngritur për Reformën Territoriale.

berisha

Në një komunikim me mediat, pasi doli nga Kuvendi, Berisha tha se Edi Rama po vepron në mënyrë të njëanshme, duke u “ndarë” nga puna e përbashkët që patën nisur për të adresuar reformën si një nga kushtet e BE-së.

“Në parlament, në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport, që kanë sjellë socialistët, është një raport që nuk është paraqitur në komision. Pra është një raport që paraqitet absolutisht kundër ligjit në një kohë kur çdo gjë po ecte sipas një axhende të miratuar bashkërisht për konsultat me qytetarët, e me radhë, Edi Rama ndryshon menjëherë qëndrim kur e pa se në mbarë Shqipërinë qytetarët po kundërshtonin reformën që ai kishte bërë, dhe natyrisht e kuptoi se edhe projektin e tij nuk do ta miratonte njeri, ndërpreu në mënyrë të njëanshme punën e përbashkët në komision dhe tani do të paraqesë raportin në mënyrë të kundërligjshme.”, tha Berisha.

Më pas, i pyetur edhe për raportin e PD-së, Berisha tha se ata propozojnë që të ketë edhe rikthim të komunave mbi bazë demografie.

“Ne kemi projektin tonë, i cili ka një numër bashkish nga 90-110 por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë të modeli i mëparshëm sepse ka ndryshime demografike. Kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme. Ose aty ku kanë qenë dy apo tre komuna mund të krijohet një komunë. “, shtoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura