Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka folur në protestën e 46-të radhazi, ku kritikoi reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës, duke thënë se protestuesit nuk janë njohur nga ai si qytetarë të revoltuar, por si agjentë.
“A i mbani mend reagimet e para të kryeministrit? Në fillim na tha se kemi agjentë grekë, më pas na quajti agjentura të tjera, herë iraniane, herë serbe. Asnjëherë nuk na njohu si shqiptarë të revoltuar që e përbuzin regjimin e tij oligarkik, autokratik dhe kriminal”, u shpresh ajo.
Vatnikaj përsëriti kërkesën kryesore të protestës, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ritheksoi edhe kërkesën për kufizimin e mandateve të kryeministrave.
“Për 46 ditë i kemi kënduar një refren të cilin ai, me arrogancë, detyrohet ta dëgjojë. Kemi kërkuar dhe kërkojmë në mënyrë të menjëhershme: “Dorëheqje!” Për 46 ditë kemi kërkuar me qëndresë që t’i vijë fundi një sistemi ku një kryeministër herë është president, herë kryetar partie, herë kryebashkiak, por kurrë nuk largohet nga qeveria. Kërkojmë që në Shqipërinë e re kryeministrat të kenë vetëm dy mandate gjatë gjithë jetës politike”, tha ajo.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Jemi në ditën e 46-të të një proteste që askush nuk e priste të zgjaste kaq shumë, që të bashkonte kaq shumë shqiptarë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, në Elbasan dhe në të gjitha qytetet evropiane e në Amerikë, ku jetojnë shqiptarët.
Për 46 ditë kemi protestuar për tërheqjen zvarrë të një protestuesi, i cili në fakt nuk është tërhequr zvarrë vetëm ai. Para 46 ditësh, kur një protestues që protestonte kundër një ndërtimi në zonat e mbrojtura u tërhoq zvarrë përpara syve të Policisë së Shtetit, është tërhequr zvarrë një Shqipëri demokratike. Është tërhequr zvarrë ëndrra jonë për një Shqipëri që nuk qeveriset nga bandat dhe krimi.
Jemi sot këtu për 46 ditë, ditë pas dite. A i mbani mend reagimet e para të kryeministrit? Në fillim na tha se kemi agjentë grekë, më pas na quajti agjentura të tjera, herë iraniane, herë serbe. Asnjëherë nuk na njohu si shqiptarë të revoltuar që e përbuzin regjimin e tij oligarkik, autokratik dhe kriminal.
Për 46 ditë i kemi kënduar një refren të cilin ai, me arrogancë, detyrohet ta dëgjojë. Kemi kërkuar dhe kërkojmë në mënyrë të menjëhershme: “Dorëheqje!”
Për 46 ditë kemi kërkuar me qëndresë që t’i vijë fundi një sistemi ku një kryeministër herë është president, herë kryetar partie, herë kryebashkiak, por kurrë nuk largohet nga qeveria.
Kërkojmë që në Shqipërinë e re kryeministrat të kenë vetëm dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
© Panorama.al











