‘300 nxënës rrezikojnë vitin shkollor’/ Zëdhënësja e PD: Rama dhe Veliaj gënjyen, shkolla nuk u rindërtua. Reagon Bashkia e Tiranës

Sep 12, 2020 | 18:43

1bf6d755-3724-44bf-a740-60732a985a6c

300 nxënës dhe rreth 60 parashkollorë në fshatin Pezë Helmës rrezikojnë vitin shkollor, pasi shkolla e prishur nga tërmeti nuk është bërë gati për vitin e ri arsimor.

Ndaj ata duhet të shkojnë me 4 turne pasdite në shkollën e Vaqarrit.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ishte në këtë shkollë dhe u takua me prindër dhe nxënës.

Gjatë bisedës ata thanë se është krejtësisht e pamundur që të ndiqet procesi mësimor në Vaqarr pasi fëmijët me orare të ndryshme duhet të kenë në dispozicion një njeri për ti marrë e për ti çuar në Vaqarr me makinë pasi vetë fëmijët e kanë të pamundur.

Vetë nxënësit thonë se e kanë të pamundur të ndjekin mësimin normal, pasi me katër turne do të përfundojnë mësimin pasdite në orën 20.00 dhe nuk kanë mundësi të kthehen vetë nga Vaqarri.

Zëdhënësja e PD, Zhupa pasi dëgjoi shqetësimet banorë bëri apel për një zgjidhje të kësaj situate, pasi ata në këto kushte rrezikojnë të mos shkojnë dot në shkollë.

“Kjo është një shkollë që ka mbajtur 300 nxënës dhe rreth 60 parashkollorë që studionin në ambientet e kësaj shkolle.

Kjo shkollë ka një vit që është shkatërruar dhe është lënë në harresë nga shteti.
Ndërkohë që Edi Rama dhe Erjon Veliaj kanë premtuar që do të bënin rindërtimin dhe viti i ri shkollor nuk do të gjente askënd pa shkuar në bankën e shkollës tek shkollat e rindërtuara, ne kemi në fakt një vit të ri shkollor që na gjen pa as edhe një shkollë të rindërtuar.

Sot nuk është rindërtuar asnjë shkollë në të gjithë Shqipërinë, për t’i siguruar nxënësve vazhdimësinë e vitit te ri shkollor në kushte normale.
Janë lajmëruar se do të vazhdojnë në Vaqarr, Vaqarri është shumë larg me Pezë Helmësin dhe duhet transport publik ose makinë.

Është vendosur që nxënësit të bëjnë mësim me nga 20 min me 4 turne duke vazhduar deri në orën 8 të darkës. Pamundësi për edukim cilësorë dhe pamundësi që brenda klasave të merret dija, të bëhen pyetjet e nevojshme nga nxënësit që duan të shkollohen dhe të marrin dije për jetën por më e keqja është se si familjet e tyre do ta përballojnë çuarjen e fëmijëve në këto shkolla dhe kthimin nga shkolla”, – deklaroi Zhupa.

REAGON BASHKIA E TIRANES

Bashkia: Shkolla në Pezë Helmës pjesë e programit të BE

Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.

Përmes një reagimi zyrtar, Bashkia e Tiranës shprehet se “Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur rrugën e shpifjes dhe mashtrimit, si alternativën e vetme që mund t’ju ofrojë qytetarëve të Tiranës”.

“Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.
Në vijim, Bashkia e Tiranës ka qenë vazhdimisht në kontakt me përfaqësinë e prindërve të shkollës dhe ditën e djeshme Administratori i Njësisë Administrative Pezë ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të prindërve, të cilët kanë dakordësuar që të gjithë fëmijët ta kryejnë mësimin në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi” vetëm me një turn.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që shkolla “Vëllezërit Kajtazi”, ku do të zhvillojnë mësimin nxënësit e shkollës së Pezë Helmësit, të pajiset me të gjithë bazën e nevojshme materiale për një mësim normal, duke filluar nga dita e hënë”, thuhet në reagim.

“Pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe spikeret e saj u munduan të mashtronin opinionin, duke sjellë në vëmendje rastin e një qytetari të prekur nga tërmeti, i cili përkundrejt asaj që thoshte PD, ishte trajtuar me bonus qeraje dhe i kishte tërhequr të gjitha paratë që i takonin. Sot ishte hera e disatë që PD-ja dështoi të gjejë një rast që nuk është mbështetur nga Qeveria e nga Bashkia e Tiranës në fatkeqësinë e tërmetit. Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të vjelë vota me mashtrime e gënjeshtra, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019”, theksohet më tej.

© Panorama.al

Te lidhura