Interpelanca me ministrin e Brendshëm, Lamallari nuk është i pranishëm! Bardhi: S’mund të shtyhet se shkon në tualet!

Jun 11, 2026 | 13:23

Mungesa e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, në seancën plenare ka shkaktuar debate mes opozitës dhe drejtueses së seancës.

Deputetët e opozitës kishin kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me ministrin Lamallari, por ai nuk ishte i pranishëm në Kuvend. Drejtuesja e seancës, Klodiana Spahiu, sqaroi se ministri ndodhej në një takim dhe për këtë arsye nuk mund të merrte pjesë në seancë.

Ky shpjegim u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi të pajustifikuar mungesën e ministrit.

“Nuk ka takim apo telefonatë ministri që ti shmanget kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kushtetua e detyron të jetë prezent në Kuvend, ministri mund të ketë nevojë të shkojë edhe në banjo  dhe të thotë nuk do bëj interpelancën se do shkoj në banjo. Por ky nuk është justifikim. Nuk e shtyn dot interpelancën, rendi i ditës shtyhet me votim. Kush je ti që mohon të drejtat kushtetuese?! Kemi kërkuar interpelancë urgjente, sepse cështja është urgjente. Ministri duhet të vijë këtu dhe të japë llogari”, tha Bardhi.

© Panorama.al

Te lidhura