21 janari, PS: Prova për kallëzimin ndaj Bashës

Apr 22, 2011 | 14:23

TIRANË- Kallezimit penal të PS-se  ndaj krerëve të policisë dhe ish ministrit te Brendshem për ngjarjet e 21 janarit i janë bashkuar sot prova te tjera në adresë të Lulzim Bashës, aktualisht në garë për bashkinë e Tiranës.

Deputeti socialist, Taulant Balla ka deklaruar sot se ka dorëzuar në prokurori prova te tjera që implikojnë Bashën në ngjarjet e 21 janarit, ku 4 demonstrues humbën jetën gjatë protesës së opozitës para kryeministrisë.

“Basha nuk shpëton dot pa u ndjekur penalisht. Këto janë prova të papublikuara që do ti shohë Prokuroria”, tha Balla.

Kallezimi ndaj Bashes, Hysni Burgajt dhe Sajmir Mucës u depozitua ne 21 mars ne prokurori dhe mban firmen e nga 24 deputetëve të PS-së.

Kallezimi

Në kallezimin e bere nga PS thuhet se “kallëzojmë si urdhërues të krimit ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, epror i drejtpërdrejtë i Gardës, pa urdhrin e të cilit, në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetën e tyre, gardistët nuk kishte se si të qëllonin. Ka dyshime të besueshme se ata që janë urdhëruar të qëllojnë, kanë ekzekutuar një urdhër kriminal dhe këtë urdhër nuk kishte të drejtë ta jepte askush tjetër përveçse eprori i tyre i drejtpërdrejtë hierarkik, i kallëzuari prej nesh, Lulzim Basha”. Nisur nga deklaratat e ministrit të Brendshëm se gjatë zhvillimit të ngjarjeve ka qenë në Kryeministri, PS-ja thotë se Basha në momentin e përdorimit të armëve të zjarrit ka qenë pranë krerëve të gardës dhe shumë afër trupave që kanë përdorur armët ndaj demonstruesve. “Këto fakte dëshmojnë se ministri Lulzim Basha, ka qenë jo vetëm urdhërdhënësi, por edhe autoriteti i lartë drejtues i pranishëm në këtë ngjarje që transmetohej “live” nga media”. PS-ja akuzon policinë se ka kryer veprime të dhunshme ndaj dy deputetëve të PS-së, të cilët sipas opozitës tentuan të ndihmonin disa qytetarë që po keqtrajtoheshin nga forcat e rendit.

© Panorama.al

Te lidhura