Avdyl Loshaj, shqiptari nga Kosova i rrëmbyer dhe i torturuar nga Shërbimi Informativ Kombëtar në tetor 1995, dëshmon se e ka parë Remzi Hoxhën të masakruar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.Loshaj është njëri nga tre personat që u rrëmbyen ato ditë nga SHIK-u. Në një intervistë për “Top Channel”, Loshaj tregon se e ka parë Remzi Hoxhën, i zhdukur pa gjurmë që në tetor 1995, në bazën e SHIK-ut në Lezhë. Ai thotë se bashkë me Remziun është ndodhur në Tiranë për çështjen kombëtare, ndërsa akuzon për dhunën e masakrat ndaj tij ish-kreun e Degës së SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro.
Zoti Loshaj, ju jeni një personazh shumë i diskutuar e njëkohësisht enigmatik, për vetë ngjarjen në të cilën jeni përfshirë 16 vjet më parë. Kush është Avdyl Loshaj?
Vij nga Deçani, Republika e Kosovës. Kam kryer shkollën fillore në fshatin Carabreg. Një vit gjimnaz e kam kryer në Deçan. Pastaj ka qenë viti 1989, që u desh të largohem nga represioni serb pas vrasjes së shokut tim, Ismet Qorraj.
Çfarë aktiviteti keni kryer gjatë kohës që keni qëndruar në Shqipëri?
Aktiviteti im personal ka qenë një ideal si i gjithë grupi ynë njëzetekatërsh, kemi qenë të angazhuar, të betuar për Ballin Kombëtar, me qëllim bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Nëpërmjet një letër-porosie, keni deklaruar se merreshit me çështje pothuajse politike në ndihmë të Ballit Kombëtar. Mund të na tregoni se çfarë veprime konkrete keni kryer gjatë kësaj kohe?
Veprimet konkrete do t’i vlerësojë vetë historia. Veprimet kanë qenë shumë të mëdha, pasi Kosova ka qenë pa nënë pa babë. Si njeri kryesor kemi pasur Sali Cekun. Ai ishte numri një. Numër dy ka qenë Remzi Hoxha. Neve kemi qenë ushtarë nën urdhrat e tyre, të betuar deri në vdekje.
Kur keni hyrë në Shqipëri dhe a e dinit që ishit në survejimin e Shërbimit Sekret Shqiptar, SHIK-ut, siç njihej atë kohë?
Nuk e kam ditur, deri në kohën kur mbërrita në Spitalin Nr.2, të Tiranës. Atje kam pasur vëzhgime. E gjithë dosja e Spitalit Nr.2 në Tiranë është zhdukur. Këtë e ka bërë Shërbimi Sekret Shqiptar, SHIK-u.
Në cilin vit ka ndodhur kjo që sapo thatë?
Në vitin 1992-1993.
Kur ka qenë kontakti i parë që Shërbimi Sekret Shqiptar ka pasur me ju?
Këtë nuk e kam ditur. Çfarë kemi bërë, ka qenë në sekret të plotë. Çdo porosi top-sekrete që kemi pasur, unë, Sali Ceku, Remzi Hoxha, Azem Hajdari edhe ai ka qenë në krahun tonë. I vetmi person që i përket regjimit shqiptar të asaj kohe.
Avdyl Loshaj, kur dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur rrëmbimi juaj në Shqipëri?
Ka ndodhur në vitin 1995. Mund të them dy herë. Njëherë në Sarandë dhe njëherë në Qytetin Studenti.
Çfarë ndodhi në Sarandë?
Në Sarandë ne ishim për një qëllim të caktuar politik. Por ai qëllimi nuk na eci dot. Na ndaloi një vajzë. Nuk ja di emrin që sot e kësaj dite. M’u ndalua të flisja në gjuhën shqipe.
Kush ta ndaloi të flisnit shqip?
Pa dyshim, Shërbimi Sekret, përmes asaj vajze.
Gjatë qëndrimit tuaj në Sarandë, jeni prezantuar si një gazetar austriak me emrin Armando Ditermenze. Kush ta dha pasaportën me këtë emër?
Po ajo vajzë. Po ashtu m’u dhanë urdhëresa shumë të ashpra personale që mos të guxoja të flisja shqip. Ky është dokumentacioni që mund ta përdorni. Ky dokumentacion erdhi nga Shërbimi Sekret, SHIK-u.
Si ju prezantuan personat që thane se ju nuk duhet të flisnit shqip dhe duhet të përdornit këtë pasaportë?
Ka qenë shumë enigmatike. Shikimi i tyre ishte sy më sy. Pasaporta është dhënë nën tavolinë, ndërsa një pistoletë u vendos tek gjuri im. Atje kuptova që isha nën kontroll.
A u prezantuan këta persona që ishin nga Shërbimi Sekret Shqiptar?
Jo. Ajo vajza ka qenë.
Mund ta përshkruash moshën e saj dhe si ngjasonte?
Rreth moshës 26-30 në atë kohë.
Avdyl Loshaj, çfarë ndodhi më pas?
Është angazhuar një makinë e policisë. Komandant i policisë ka qenë Ardian Nuha. Një shofer i tij ka qenë çdo ditë personalisht në dispozicionin tim. Kemi shkuar në Ksamil për të ngrënë drekë ose darkë. Gjithmonë kam qenë i shoqëruar nga policia. Arsyen akoma nuk e di.
Personat e SHIK-ut që ishin me ju, ku të dërguan më pas?
Kanë kaluar dy javë që kemi qëndruar në dispozicion. Gjithmonë në Ksamil është bërë dreka dhe darka dhe pastaj jam kërkuar të takoj një prej oficerëve të Kundra Zbulimit Shqiptar në zyrën e tij dhe më ka thënë që do të kemi punë ne të dy. I kërkova të më jepte një orë afat dhe do të kthehem përsëri. Më besoi. E kam thirrur atë shoferin e Ardian Nuhës ku i tregova se duhet të largohem sa më shpejt nga Saranda. Ka hip në “Mercedesin” e vet, veturë private, jo makinës së policisë. Ai ka qenë me uniformë të policisë dhe ja kam arrit qëllimit t’i largohem këtyre organeve, pasi pashë se çfarë më priste. Kam ikur për Tiranë. Ky person më ka lënë mbi Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Atje ka qenë vendi i fundit që kamë parë shoferin e Ardian Nuhës. Pastaj jam drejtuar rreth Qytetit Studenti.
Pse shkuat pikërisht në Qytetin Studenti?
Aty kam banuar shumë kohë dhe atje kam pasur shumë takime. Kam pasur edhe një njeri që e kam dashur. Ajo ka qenë edhe anëtare e Partisë Demokristiane shqiptare. Kishte mbaruar fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi shqipe përfshi edhe Juridikun. Ka qenë një njeri shumë besimtar.
Çfarë ndodhi pas kthimit në Tiranë kur po qëndronit në Qytetin Studenti?
Pasi u ika nga Saranda organeve të SHIK-ut, kam dalë në Qytetin Studenti të pi kafe, ka ardhur një veturë civile, jo shtetërore. Ishte një burrë tullac me gjithë shoferin e tij dhe njofton me radio se e kapëm ariun. Që nga ai moment, më kanë marrë dhe me kanë çuar në Rajonin Nr.3 të Policisë në Tiranë.
Si rrodhën ngjarjet në Rajonin Nr.3?
Në Rajonin Nr.3 çfarë nuk ka ndodhur. Janë ngjarje që askush nuk mund t’i përshkruaj dot. Personi që më ka kapur mua kam mësuar më vonë për emrin e tij nëpërmjet internetit dhe vetëm ai është Ilir Kumbaro, pas publikimit të fotos së tij në internet, prandaj e di që po ai person është Ilir Kumbaro. Ai më ka kapur edhe në Qytetin Studenti.
Fillimisht më ka marrë në bisedë informative, ku pyeste “Synimet tuaja, armatimi juaj, destinacioni armatimit, stërvitjet ushtarake”… Nuk flisja dot asnjë gjë. Pastaj filloi ajo më e fuqishmja, tortura.
Gjatë kohës që mbaheshit në Rajonin Nr.3, si tentuat për t’u arratisur?
Shumë gazeta apo informata që kam mundur të lexoj më vonë në disa gjera, nuk janë të vërteta.
Atëherë, cila është e vërteta?
Siç e thashë. Gjakun dhe urinën nuk kam mundur ta ndaloja. Ilir Kumbaro ka dhënë urdhër, çojeni këtë qelbësirë në banjo. Nuk mund t`ia duroj erën e urinës dhe ma sillni përsëri. Më kanë shoqëruar dy persona. Jam futur në banjo ku pashë vetëm një dritare. Një kanatiere kam pas veshur. Gjysma e trupit ka dalë jashtë. Kam parë vetëm kontenjerët e mbeturinave. Qëllimi im ka qenë të bie me kokë dhe të marrë fund çdo gjë.
Pra tentuat vetëvrasjen?
Patjetër. Pa diskutim. Njëri më ka kapur nga kanatierja, por është bërë shumë vonë. Është shqyer kanatierja. E falenderoj këtë person që kam rënë me dy këmbët në tokë. Në atë moment, kam parë vetëm një grua që ka qenë në zyrë. Ajo ka kapur kokën me dorë dhe që nga ai moment unë nuk di gjë.
Sapo thatë që keni rënë në tokë, kush të ndihmoi?
Momentin që ajo gruaja më pa, pra punonjësja …. Di që dy veta më kanë kapur nga krahët dhe më kanë çuar në spital. Ca spitali kam qenë… supozohet Spitali Ushtarak… Nuk e di. Kur kam mbërritur në spital kanë filluar dhimbjet më skandaloze që ekzistojnë. Supozohet që në 6 vende, këmbën e djathtë dhe këmbën e majtë në dy vende dhe siç është konstatuar në Hollandë, 2 milimetra neni këmbës futur nga mrena, pasi e gjithë pesha ka rënë në këmbë. Ata më kanë dërguar në spital. Kam kërkuar ndihmë nga një mjek që më ka dhënë morfinë, nëse nuk gabohem antidhimbje për të më futur në gips, por nuk mundën. Kam kërkuar ndihmë që të njoftoj Dh. S nga doktorët në mënyrë sekrete. Kështu ka ndodhur me mua. Ai person, nuk ja di emrin, duhet të jetë gjallë. Më kanë dërguar në një dhomë në spital ku ka ardhur Dh.S me një shoqe të vet, ku i kam treguar me pika të shkurtra. Vetëm qante. Nuk fliste asnjë gjë. Mirë tha do të vij e të vizitoj. Më tha se çdo foto, çdo kujtim që kemi pasur bashkë janë marrë pas bastisjes së shtëpisë nga organet kompetente në goditën 24, nga organet e SHIK-ut.
Sa ditë qëndruar në spital?
Asnjë ditë.
Pse, çfarë ndodhi?
Pas vizitës të Dh. S edhe shoqes së saj, megjithëse kisha dhimbje, më kanë lidhur me çarçaf të bardhë.
Ku ju çuan?
Ashtu siç isha me dhimbje më kanë futur në veturë. Pastaj filloi morfina të më lëshoj. Në veturë ma kanë hequr çarçafin e bardhë dhe më kanë vendosur një thes të zi në kokë. Që nga aty, në drejtim të Lezhës.
Kur mbërritët në Lezhë, ku ju çuan?
Këtë komunë e kam mësuar nga zyrtarë më vonë siç janë Xhevat Hana (prokurori i çështjes) atë vend ku ishte stacionuar SHIK-u.
Mund ta përshkruani çfarë kishte brenda ajo ndërtesë ku ju çuan?
Kam qëndruar në dy dhoma. Njërën dhomë po atë ditë kur erdhi Ilir Kumbaro fjalët e tij kanë qenë; “More qen, deshe të na shkatërrosh me Maqedoninë. Ti e ke bërë atentatin ndaj Gligorovit. Ne jemi shumë të sigurt. Kolegët e tu kanë dash t’i bëjnë atentat Zef Brozit dhe Kiro Gligorov në Maqedoni”. Por mua non stop më ka akuzuar për Kiro Gligorovin dhe shkatërrimin e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë. Ishin rrahje skandaloze që më ka bërë Ilir Kumbaro në atë dhomë. Pastaj më kanë dërguar në një dhomë tjetër ku ishte një krevat i vjetër që e kanë përdorur përpara. Nuk kam pasur pajisje apo mbulesa ose diçka, ashtu më kanë lidhur të gjithë kohën. Një shërbëtore ka qenë që fliste dialekt shkodran. Ajo kishte respekt për mua. Kemi ngrënë bukë njëherë në ditë. Kur vinin dhe më thoshin të nënshkruaja diçka dokumentacioni fshihej dhe e nënshkruaja.
Çfarë dokumentesh ke nënshkruar konkretisht?
Nuk e di. Vetëm më thonin t’i nënshkruaja.
A keni parë persona të tjerë të cilët mbaheshin në këtë bazë sekrete të SHIK-ut?
Një ditë përpara se kam dashur të bëj vetëvrasje, nuk kam arritur ta kryej vetëvrasjen, nuk kisha tjetër mundësi të jetës sime. Po atë ditë, ka qenë një gabim fatal i SHIK-ut. Gabimi i tyre ishte ndryshimi i dhomave. Përballja me Remzi Hoxhën, i deformuar. Ndoshta edhe ai më ka parë mua total të masakruar të deformuar.
Ky ishte i vetmi moment në të cilin keni parë Remzi Hoxhën?
Po, për herë të fundit.
Gjatë kohës që qëndronit në këtë shtëpi, a dëgjonit britma njerëzish që rriheshin? Kush ishin ata?
Ushtarët tanë 100% përfshi këtë viktimën që nuk ka të bëj fare me organizatën tonë, Zizo Kristopulli. Edhe ajo ka mundësi.
Po Zizon e keni parë në ato ambiente?
Jo nuk e kam parë.
Mund të na e përshkruash gjendjen e Remzi Hoxhës në ato pak momente që ju mundët ta shikonit?
Ka qenë i çarë nga buzët. Në anën e kokës ka qenë i gjakosur, i goditur. Fytyra ka qenë shumë e zezë.
Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, a e kishit takuar Remzi Hoxhën.
Po.
Në çfarë rrethanash?
Politike.
Çfarë bisedonit me Remziun?
Asnjëherë nuk kemi biseduar për çështje biznesi. Gjithmonë kemi pasur një ideal, idealin kombëtar.
Cili ishte roli i Remzi Hoxhës në grupin tuaj?
Remziu ka qenë një atdhetar kombëtar shqiptar, shumë i qetë, shumë i matur, shumë i besueshëm. Një njeri që kur ta jep betimin, nuk ndryshon siç kemi vepruar të gjithë dhe prandaj do të luftoj deri në pikën e fundit të di për fatin e tij. Më mungon shumë ai njëri jo vetëm mua, por tërë Kosovës.
Muhamed Veliu











