Ndodh jo rrallë që kur sheh një slogan, apo dhe ndonjë parullë që të del shpesh përpara, vetanaliza e brendshme e lidh me gjëra të njohura qw ti në të shkuarën i ke parë, dëgjuar, lexuar apo studiuar diku. Në këtë vetarsyetim të ndikon shpesh dhe shtypi mediatik që mundohet t’u japë një shpjegim dyshimeve të tua. Por, në rastin për të cilin po shkruaj këto dy rreshta, lidhja nuk ka të bëjë me atë shpjegim të thjeshtë të një ekuivalence të ngjarjeve që të përsëriten, por pikërisht me titullin e një libri që ti e ke lexuar me shumë dëshirë në të shkuarën dhe që pa dashur e lidh me atë që lexon dhe e sheh të përsëritur shumë këtë periudhë. Dhe, kur është fjala për një libër humoristik, me tendencë të theksuar të një sarkazme të fortë, e një autori mjeshtër të kësaj gjinie, bëhet më i vështirë përqasja e titullit me atë që sheh në rrugë, por jo dhe i pamundur. Në këtë rast bëhet fjalë për shkrimtarin turk Azis Nesin dhe librin e tij “E vetmja rrugë”.
Romani “E vetmja rrugë” i Azis Nesinit, ashtu si dhe shumë libra të tjerë të tij, të jep një ngjashmëri me realitetin tonë. Libri në fjalë të duket sikur je brenda psikologjisë sonë dhe ajo që gjen shpesh në librat e tij, pavarësisht kohës kur është shkruar, të duket sikur ngjarjet janë të momentit në të cilin ti jeton dhe personazhet që ai përshkruan të japin dimensionet e atyre personave që takon çdo ditë në rrugë, në punë, në jetë apo në pllakate e slogane elektorale që të dalin çdo ditë para. “E vetmja rrugë” që si shumë të tjera të kësaj natyre, dallohet për humorin e këndshëm dhe nervin impulsiv në demaskimin e veseve si mashtrimi, vjedhja, keqbërja etj, duke ndërthurur tregimin në vetën e tretë për personazhin qëndror të librit me ndërhyrjet në vetën e parë të autorit, të cilat nga mënyra si janë shkruar dhe mesazhet që japin, duken si një e përbashkët. Që në fillim të librit duke të njohur me personazhin e vet me emrin Pazhazade, që autori jo pa qëllim i bën dhe një zbërthim të emrit të tij (dmth bir pashai, Pasha=gjeneral), ai shkruan: “…S’mund të them që tipi që përshkruaj është i njëjti person. Madje do të thosha që s’është ai. Por…Pazhazade që njoha ishte burim frymëzimi që të përshkruaj në librin tim, këtë keqbërës…! Dhe duke dashur të jap diçka nga mënyra e konceptimit të personazhit të vet, ai përshkruan fizionominë e personazhit të vet… që …ishte një rrëfimtar i zoti, që historitë që rrëfente i paraqiste si të tijat… që i përsërsite shpesh… dhe …përsëritjet e shpeshta kishin sjellë si rezultat, që dhe ai vet ti besonte ato që rrëfente…!” Gjithmonë konseguent në personazhin e vet, Azis Nesin, në funksion të idesë të cilën merr përsipër të trajtojë në këtë libër, pra “E vetmja rrugë” duke dashur të na njohë më shumë me karakterin e “kësaj rruge të vetme”, me këtë personazh kaq humoristik, por dhe grotesk në mënyrën si shfaqet, i cili “i ngatërronte pseudoheronjtë me vetveten, që ka filluar të mbytet në gënjeshtrat e veta, duke e trajtuar atë dhe aspektin e tij familiar, ai shkruan: “Një ditë më thoshte se prindërit, motrat, fëmijëria, kujtimet i dukeshin si të rreme, kurse peripecitë që tregonte… poshtë e lartë, nëpër rrugë, mitingje, takim me popullin e vet… i dukeshin si reale”.
Dhe duke qenë i ndërgjegjshëm për rrugën e vetme që ka zgjedhur, ai personazhi pra, Pashazade (dmth bir pashai, mos ngatërroni, jo bir bllokmeni!), pohon (natyrisht jo për të tjerët që e ndjekin dhe e dëgjojnë nëpër mitingje, por më shumë që ta kishte ndërgjegjen e qetë): “E vetmja rrugë që më ka mbetur është hileja, deziluzioni. Për mua nuk ka rrugë tjetër veç hilesë. Të gjitha rrugët para meje janë të mbyllura. Vetëm njëra ka mbetur e hapur…”. Pra ky njeri, apo personazh, quheni si të doni, që autori e ka vënë në qendër të romanit të vet, ky që do ti bëjë të gjitha vet, ndoshta kjo dhe për shkakun e të vetndjerit të një auto-persekutimi,pasi kudo që punonte, kur e zbulonin kush ishte, e përzinin nga puna… ky hero romani, apo jete, stigmatizojeni dhe këtë si të doni, i cili në të gjitha donte të ishte i pari, i aftë për të gjitha punët, i cili… Në çdo rast nevoje, kryen detyrën e kuzhinjerit, të drejtorit dhe të kryegarsonit… që për çdo gjë që bën ai vet është e përkryer, falë kjo dhe mënyrës si i tregon dhe përshkruan bëmat e veta, që me krenari pohon: “…Unë jam në gjendje të paraqes si gjellë të kategorisë së parë edhe çorapen time të palarë…!”
“E Vetmja rrugë” e Azis Nesin, përveç humorit e groteskut që e përshkruan, ka nën vetvete dhe ironinë e thellë dhe të paevitueshme të diktimit të një rruge të vetme të mënyrës së të parit të gjërave ashtu si i mendon dhe i koncepton vetëm ai, personazhi Pashazade dhe në këtë drejtim konseguent në faktin që sipas atij, personazhit të vet, mënyrat e këndvështrimit janë nga më të ndryshme, rregulli numër një është që ti lexuesi (apo ndjekësi, votuesi, quhet si të duash) nuk ke alternativë tjetër veç asaj të diktuar si më e mira dhe si e vetmja mundësi që ti ke në zgjedhjen tënde. Dhe këtë autori e përcakton si një ide të çmendur e një njeriu që jo rastësisht është e tillë, duke shkruar: “…Një çmënduri tjetër e tij ishte idea për të vetmen rrugë. Këtë mendim e kishte që kur ishte shumë i ri… Kështu mendonte se s’smund ta ngarkonin me përgjegjësi, se fajin e kishte shoqëria e cila i kishte mbyllur të gjitha rrugët dhe i kishte lënë vetëm një të lirë…!” Dhe ky njeri i fiksuari i rrugës së vetme, duke folur dhe nëpërmjet gjuhës të një personazhi tjetër të romanit dhe ky pasues i rrugës së vetme, i përshkruan në një mënyrë cinike ata, pasuesit e vet, ata ndjekësit e rrugës së tyre të vetme, duke u shprehur: “…Të gjithë ata budallenj dhe shumë të tjerë, gjithe sa jetojnë në këtë qytet… (flet për ata që e dëgjojnë dhe i shkojnë pas, që lutju zotit të mos jenë shumë) …punojnë për mua… dhe më pas autori shton …besonte se edhe unë isha një nga budallenjtë, që shihte para tij…! (e natyrisht këtë vetëpohim e bën dhe kushdo që lexon “E vetmja rruge”).
“E vetmja rrugë” e Azis Nesinit, në përshkrimin që i bën rrugës së vetme që ka zgjedhur personazhi i tij, e lidh me shumë ngjarje të ndryshme të jetës së vet që nëpërmjet mashtrimit dhe gënjeshtrës i ka bërë moto të asaj që ai ka zgjedhur duke e lidhur fatin e vet dhe me shumë personazhe të tjerë, viktima dhe njëkohësisht dhe protagonistë të rrugës së tij të vetme. Me interes nga shumë ngjarje dhe personazhe do veçoja ato kur ai flet për zgjedhjet, votat, demokracinë në zgjedhje, deputetët etj. Natyrisht ai flet për Turqinë e vet, por ngjashmëria nuk është e pakët (sa përqasje ka në këtë shkrim do thoni ju!). Kur flet për Burhanin, që vjen të flasë me zgjedhësit e tij, ai shkruan: “…Që atëherë kur sollën demokracinë në vendin tonë, puna e deputetëve u vështirësua. Një herë në vit, ose nga votimet në votime, vijnë… që të flasin me zgjedhësit… Punë e vështirë…! Dhe po në këtë llogjikë, gjithmone dhe për atë që popullit i duhet të zgjedhë (pra rrugën e vetme që ai i thotë), autori jep një marrdhënie të ideatorit të rrugës së vetme me ata, të cilëve ai ju drejtohet për t’a votuar duke shkruar: “…Cdo kope ka padronin, bariun dhe qenin e vet. Mund të ketë shumë barinj e qenër, por padroni është vetëm një. Populli ngjan me një kope…!”, ide kjo që edhe në një pasazh para këtij citohet si një mundësi e drejtimit dhe e komandimit të të gjithave qenieve që vegjetojnë në pyllin apo malin që jetojme: “…Që të bëhesh mbret i maleve, s’duhet të kishte bandë tjetër veç asaj që kryesonte ai… dhe shton më vonë …edhe në mal s’duhet të ketë më shumë se një bandë vjedhësish.” (thënë në gjuhë tjetër, se nuk ke rrugë tjetër veç kësaj që të them unë). Duke qenë e njohur shpesh teoria e kulaçit dhe kërbaçit, përveç kërbaçit duke përdorur një bandë hajdutësh, të vërë në sundim bandën tjetër përdor dhe demagogjinë për të bërë për vete ata që i ndjekin, pra popullin. “Duhet të përulem para teje që populli të bëjë salto” – është kjo përgjigja që i jep dikujt njëri nga personazhet i cilë i ankohet, se një ditë para e kish poshtëruar dhe tani po i puthte dorën. Dhe si çdo rrugë e vetme që do të të diktohet, duke të thënë se, kjo dhe vetëm kjo, është e vetmja, është e qartë se bezdija është e natyrshme dhe të vjen në majë të hundës duke u munduar të gjesh vet rrugëdaljen nga e vetmja rrugë, gjë të cilën dhe vet Azis Nesin ta jep nëpërmjet gojës së kryevjedhësit Mejko që permend ato që i ka thënë zotëria e tij: “Kur do të notosh në dimër, zhytesh dhe del shpejt nga deti. Kështu duhet të hysh edhe në mes të popullit. Do të hysh dhe do të dalësh shpejt. Ne qofte se rri shumë u dogje!” (e qartë, nuk do shumë që njeriu i shkretë të kuptoj se, ata që të detyrojnë të bësh vetëm atë që duan ata, për tre apo katër mandate, shpejt do detyrohen ta lenë atë rrugë, për një tjetër, puna është se sa shumë e hanë këtë deri sa të vij ai moment).
Duke pranuar një dyzim të vetvetes, ndërmjet atij që është dhe atij që do të jetë (“Ai që dëshëroj të jem, i dhemb zemra për atë që jam”) personazhi ynë, nga fundi i librit pohon një të vërtetë, (që në fakt ne që po e lexojmë e dimë që në fillim, por është më mirë kur e thotë vet personazhi me gojën e vet): “…kur një njeri mbështet se “nuk gjen zgjidhje tjetër” dhe si shpëtim sheh vetëm një rrugë, fillon të mashtrojë veten… dhe më vonë shton …Megjithatë kisha përshtypjen se mashtroja të tjerët… (megjithatë duhet të kuptojmë se ky ndërgjegjësim i mashtrimit të të tjerëve arrin në fund të romanit, por sa e hanë këtë deri sa të venë në fund, është problem tjetër dhe do ishte mirë ta diskutojë këtë problem që në nisje).
Dhe pikërisht në një bashkëbisedim të autorit me personazhin Pashazade, ky i fundit, ideatori i çmendur i kësaj rruge të vetme jep vet një përgjigje të shumë pyetjeve apo dyshimeve që i dalin kujtdo që lexon “E vetmja rrugë” apo dhe kushdo tjetër pasues i rrugës së vetme të Pashazades (birit të Pashait ose më shqip birit të bllokmenit). Këto dyshime nga goja e vet personazhit të rrugës së vetme, që për hirë të vërtetës arrijnë në fund të tregimit të vet, tregojnë qartë dhe pa ekuivoke se, dhe ai, ideatori i kësaj rruge të vetme, ai që në jetën e vet i bëri të gjitha dhe të tjerëve ju predikonte idealet e shumta të jetës së vet, si e vetmja rrugë, pa të drejtë zgjedhje të mundësive të ndryshme që ke para, e pranon se njeriu e ka përgjegjësinë e vet për rrugën që zgjedh, sepse sipas tij jemi njerëz, nuk jemi makina. Në rastin e makinave thotë ai, ka dy të papritura, ose t’i rregullosh që të vihen në punë ose do t’i lësh të prishura. Në rastin e njeriut nuk ka dy të papritura: Janë të panumërta dhe duke thënë se, “nuk ka shpëtim tjetër” mbështet, se i ka mbetur hapur, vetëm një rrugë. (sa shpesh po e degjojmë këtë periudhën e fundit, a thua se ti nuk ke vesh dhe sy dhe duhet dikush tjetër të të thotë me arrogancë, zgjidh këtë rrugë që të them unë, se kjo është e vetmja dhe nuk ka shpëtim nga ajo, qoftë dhe me dhunë dhe me force…!) …Me fjalë të tjera, gënjen vetveten dhe bëhet viktimë e shkeljes së tij…”
Duke u thelluar më tej në arsyetimin e vet, autori, duke ju referuar mendimit të personazhit të vet (pra Pashazadeja, heroi kryesor i “E vetmja rrugë”) pohon se dhe ai vet: “…kishte mendimin se jo vetëm njerëzit, disa organizma, shoqëria etj por dhe qeveritë vetëmashtrohen me zgjedhjen e një rruge të vetme. Si shembull sillte (Pashazadeja) futjen e Turqisë në luftën e Parë Botërore… Ndërsa në mbështetje të kësaj autori vet shton: “…Edhe Lufta e Dytë Botërore ishte si rezultat i mashtrimit të popullit gjerman… Sepse besoi se e vemtja rrugë ishte lufta”. Dhe duke ju kthyer përsëri personazhit të tij është ineresant reflektimi që autori na jep nëpërmjet rrëfimit të heroit të vet: “…Kur e ndjeu që vetmashtrohej ishte tepër vonë. Gjeti si zgjidhje zëvendësimin e tij nga persona të tjerë. Që këtej e tutje, do ishte dikush tjetër dhe s’do ta mashtronte veten me idenë e “rrugës së vetme” dhe shton …Njeriu ka përpara rrugë të panumërta…! (kujtojmë që ndërsa vetë e zgjidhi dilemën, të tjerët tashmë e kanë ngrënë idenë e tij të rrugës së vetme).
Natyrisht kush më shumë se ne, populli shqiptar e di këtë të vërtetë që pohon autori, pra një popull që më shumë se 50 vjet vuajti pasojat e zgjedhjes së të vetmes rrugë totalitare, që ja diktuan ata që i vodhën lirinë, duke ju hequr të drejtën e çdo prespektive që të jep zgjedhja e lirë e rrugëve të panumërta në të cilën do të ecësh.
Por Azis Nesin shkruajti për Turqinë e vet dhe nuk kish detyrë të merej me hallet tona të atëhershme apo dhe me hallet tona që shfaqen dhe tani, megjithëse miku i tij i mirë, kolosi i humorit tonë, Dritëro Agolli, pohon në kujtimet e tij, që Azis Nesini dhe në punët tona dikur ka dashur “të fus hundët”. Pikërisht gjatë një vizite të tij në Shqipëri, humoristi turk, duke pirë një raki me homologun e vet shqiptar, në malin e Djatit, i habitur për bunkerët e shumtë, pyetjes së vet, përse ju duhen këta dhe përgjigjes që i jepet se, “për t’u mbrojtur nga armiqtë” i përgjigjet me ironinë e tij: “Po pse harxhoni kur vet mali i Dajtit është një bunker i madh që jua ka falur zoti”. A thua dhe tani ky autor me këtë roman të tijin që e ka shkruar vite më parë, ka dashur të fus hundët që atëherë në punët tona të tanishme të pluralizmit, duke na ngatërruar me një titull të një libri, se në fund të fundit dhe këtë vënie titulli ai nuk ka dashur t’a përqas me asnjë të ngjashme me të, ai thjesht shkruan: “…Ky ishte shkaku që romanit tim i vura titullin “E Vetmja rrugë”. Doja të shkruaja historinë e atyre që notojnë në det të hapur dhe humbasin busullën …! (më mirë se kaq nuk ke çfarë të thuash më).
Dhe së fundi do të doja t’i mbyllja këto pak rreshta, duke i’u referuar dhe vet autorit të këtij romani, të shkruajtur në një libër tjetër të tij, pra Azis Nesinit: “Humori i ngjan një vajze që do të hipi në autobuz, por e ka fundin e shkurtër! Te duket se, në këtë libër, si gati në të gjitha veprat e këtij kollosi të humorit, që shquhet për potencialin e lartë dhe densitetin e mendimit, për mesazhet e fuqishëm që ai përcjell nëpërmjet sarkazmës së vet, “E vetmja rrugë”, si pjesë e humorit të Azis Nesinit mund të shihet si vajza me fund të shkurtër, e cila mundohet të mbuloj, ç’farë ka të zbuluar, por…!!!”.
© Panorama.al












