Zbulohen shifrat: Piramidat, paratë që ndahen për çdo kompani

May 9, 2014 | 9:02
SHPËRNDAJE

Fondi i detajuar, 403 milionë lekë për “Vefa”, 425 milionë për “Gjallicën”, 73 milionë për “Kamberin” e “Populli” 23 milionë.

Të dhënat e grupit mbikëqyrës. Për katër firma, 923 milionë lekë.

Të gjithë ata që nuk kanë përfituar më parë para nga procesi i kthimit pas falimentit të skemave piramidale, do të mund të marrin pjesën që u përket sipas koeficientit përkatës.
Gazeta zbardh sot fondet që kanë katër prej kompanive për të cilat vijon procesi i kthimit.
Kompanitë
Në total u fol për një fond 12 milionë dollarë që është gjendje nga bllokimi i llogarive dhe shitja e aseteve të ish-firmave piramidale pas falimentimit të tyre. Zyra e administrimit të këtyre ish-kompanive shprehet se fondi i mbetur është i destinuar vetëm për ata që nuk kanë marrë asnjëherë më parë para nga ky proces. Por sa është fondi për secilën kompani? Gazeta mësoi nga grupi mbikëqyrës i procesit se për kompaninë “VEFA” fondi në dispozicion është 403 milionë lekë, për “Gjallicën” 425 milionë lekë, për “Kamberin” 73 milionë lekë dhe për fondacionin “Populli” 28 milionë lekë. Të gjitha këto do t’iu ndahen sipas koeficienteve kreditorëve që rezultojnë të mos kenë përfituar më parë asnjë këst.

VERIFIKIMI
Procesi në vetvete ka shumë vite që ka filluar dhe pjesa më e madhe e kreditorëve kanë tërhequr një fond. Bëhet fjalë për 20 për qind të
kreditorëve të mbetur që nuk kanë përfituar. Këta të fundit  do të duhet që me kontratën origjinale apo me mandatin e dorëzimit të paraqiten për të tërhequr edhe paratë që u takojnë sipas koeficientit. Për çdo rast, të dhënave nga ana e institucioneve po u bëhet një verifikim për të qartësuar situatën.
Verifikimi do të konsistojë në pjesën e listave të kreditorëve dhe shumave të përfituara dhe atyre që janë në transferim e sipër për kreditorët. Me ligj zyra e administrimit të ish-firmave piramidale e mbyll procesin e saj në
vitin 2017, por sipas kreut të saj, Zini Tollozhina, praktikisht puna e saj ka mbaruar që tani, pasi janë vetëm 6 kompani për të cilat po shpërndahen paratë dhe dy të tjera që do të çohen në gjykatë.  NERTILA MAHO

FONDI PER ISH FIRMAT
VEFA
• 403 milionë lekë
Gjallica
• 425 milionë lekë
Kamberi
• 73 milionë lekë
Populli
• 28 milionë lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura