VIDEO/ Skënderbeu nuk njeh rivalë, mposht 3-0 Laçin

Oct 5, 2015 | 17:45
SHPËRNDAJE

Skënderbeu nuk di të ndalet në kampionat. Ekipi korçar mposhti sot Laçin 0-3 në Krujë. Ishte një ndeshje që i pati të gjitha, lojën e bukur, luftën sportive, kartona të verdhë e të kuq, penallti të shënuara, por edhe të humbura, madje në të dy skuadrat, që e mbyllëm takimin me nga 10 lojtarë në fushë. 

laci-skenderbeuKampionët kalojnë në avantazh që në minutën e 19′, pas daljes me të kuq të Shetës. Salihi konverton në gol penalltinë duke i dhënë avantazhin skuadrës. Dhe pse në disavantazh dhe me një lojtar më pak, kurbinasit krijojnë aksione sulmi për të barazuar shifrat por nuk ja dalin, duke mbyllur kështu pjesën e parë 0-1.

Janë përsëri korçarët të cilët i nisin 45 minutat e dyta me gol. Këtë herë mesfushori korçar Sabjen Lilaj realizon golin e dytë për skuadrën.

Djemtë e Cungut kanë shansin të ngushtojnë rezultatin nga pika e bardhë me anë të Xhejms, por pa rezultat. Sulmuesi nigerian nuk arrin ta kthejë në gol. Momente të vështira për kurbinasit, të cilët kanë pësuar dy gola ndërsa skuadra e Josës vihet në kërkim të golit të tretë, dhe nuk vonon.

Pesë minuta pa përfunduar takimi, është përsëri bomber shkodran që mposht gardianin malazezë duke plotësuar tripletën triumfuese të korçarëve. 

Kjo është fitorja e gjashtë radhazi për Skëndërbeun në gjashtë javë kampionat që rimer sërish kreun me 18 pikë duke lënë pas Partizanin, ndërsa humbja e parë për Laçin që mbetet në kuotën e 9 pikëve.

Flamurtari nuk ndalet në Ballsh, shkatërron Tërbunin 7-0

 Flamurtari ka fituar me rezultatin 7-0 ndaj Tërbunit. Vlonjatët e patën të lehtë fitoren në takimin e zhvilluar këtë të diel në Ballsh, duke dominuar lojën në pjesën më të madhe të saj.  

Flamurtari - Terbuni
Flamurtari – Terbuni

Flamurtari gjeti golin e parë në minutën e 3′ të takimit, me anë të Grecës. Ish-mesfushori i pukjanëve përfitoi nga gafa e portierit Ujka, i cili nuk largoi dot topin nga zona, ndërsa Greca e shtyri në rrjetë.

Pas këtij goli djemtë e Levit nuk i ndalën aksionet e sulmit në kërkim të golit të dytë, i cili erdhi nga Nderim Nexhipi (27′). Ish-mesfushor i Partizanit realizon golin e parë me fanellën e Flamurtarit.

Kanë mjaftuar dy gola për të mbyllur pjesën e parë për të rezervuar dhe 5 të tjerë në të dytën. Një “shuplakë” e rëndë që e shkatërron ekipin e Nikajt, i cili nuk gjen qetësinë në pankinë.

Goli i tretë erdhi në minutën e 49’ me anë të një goditje nga Zeqiri, i cili ndodhej i vetëm në zonë. Rreth dhjetë minuta më pas Tsakadadze mboshti sërish mbrojtjen pukjane duke realizuar golin e katërt.

Dy golat e tjerë për Flamurtarin u shënuan në minutat e 66′ dhe të 70′ nga Telushi dhe Morina. Ndërsa në minutën e 83′ Futsar gjen golin e radhës duke i çuar shifrat në 7-0. 

Në ndeshjen tjetër të Superligës, Teuta fitoi lehtësisht ndaj Bylisit me rezultatin e pastër 3-0. Kjo fitore e ngjit Teutën në kuotën 12 pikëve duke u pozicionuar në vendin e tretë në tabelën e rënditjes.

Të besuarit e Maganit u rikthyen te rezultatet pozitive duke dominuar ndaj Bylisit në të gjithë takimin.

***

VIDEO/ Partizani fiton derbin me Tiranën, Sukaj është heroi i ndeshjes (Ndeshje e luajtur të shtunën)

Kryeqyteti është i Partizanit. Të kuqtë e Sulejman Starovës kanë fituar sërish kryendeshjen me rivalët e tyre historikë duke vazhduar njëkohësisht edhe serinë e fitoreve në kampionat.

Ata kanë mundur sot 1-0 Tiranën mes spektaklit të tofozerive falë golit të Xhevahir Sukajt i cili shënoi në minutën e 51-të sfidës.

Tirana u zgjua shumë vonë dhe bëri shumë pak për të kërkuar golin e barazimit, kjo edhe falw perfomancës së mirë të ekipit të Partizanit. Në fund mbyllet gjithçka 1-0 dhe të kuqtë marrin fitoren e radhës në kampionat ku ngjiten në kuotën e 16 pikëve.

Pjesa e parë

Ishin 45 minuta pa raste në “Qemal Stafa”. Si Partizani, ashtu edhe Tirana tregohen mjaft të kujdesshme në qarkullimin e topit duke shmangur çdo gabim të mundshëm. Të kuqtë e Starovës përpiqen të shfaqen më agresivë dhe qëndrojnë më afër portës së frashërit, por kërcënimi duket ende shumë larg. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-0.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë nis menjeherë me gol. Janë të kuqtë ata që shënojnë në minutën e 51-të të sfidës me antë të Xhevahir Sukajt. Sulmuesi gjendet në kufijtë e zonës dhe pasi merr një pasim dhe godet tokazi me të majtën drejt portës, gjuajtja e tij edhe pse e lehtë, përfundon në kuadrat.

Në avantazh Partizani dhe shpërthen festa në shkallët e stadiumit. Pas golit të pësuar, Tirana fillon të zgjohet dhe hidhet në sulm pëe të tentuar golin e barazimit, port ë kuqtë mbyllin cdo hapësirë. Në fund mbyllet gjithçka 1-0 dhe Partizani merr fitoren e radhës ku ngjitet në kuotën e 16 pikëve.

REZULTATE DHE RENDITJE

Rezultate-Superliga1 Renditje Superliga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura