STARTET E TRAJNERVE/ Mehmeti si Daja dhe Gega, Starova mbetet i pakapshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2022 | 23:20

STARTET E TRAJNERVE/ Mehmeti si Daja dhe Gega, Starova mbetet i pakapshëm

Fundi i vitit të shkuar ishte plot dhimbje për Partizanin dhe ajo që e solli gjendjen aty ku nuk mbante më ishte humbja e derbit me Tiranën. Pas kësaj Ilir Daja dhe drejtuesit e klubit arsyetuan se Partizani ka nevojë për njerëz të rinj në krye. Dhe kështu u bë.

mehmeti

Megjithëse të lirë ishin emra të mëdhenj dhe të njohur për klubin, si Shpëtim Duro apo Skënder Gega, krerët e Partizanit vendosën të ulnin në stol Dritan Mehmetin, deri atëherë, trajner i Partizanit U21 dhe pjesë e të kuqve prej vitesh.

HESHTJA E SKEPTIKËVE Dritan Mehmeti erdhi me një detyrë shumë të vështirë te Partizani, sepse zëvendësoi një nga trajnerët më të mirë dhe të suksesshëm të dekadës së fundit, Ilir Dajën.

Gjithsesi, ky nuk ishte i vetmi telash për të, sepse punët për skuadrën dhe klubin nuk kishin shkuar aspak mirë. Shumica e lojtarëve të ardhur në merkaton e verës kishin dështuar dhe u larguan teksa erdhën të tjerë, të cilëve në kohë rekord, trajneri duhej t’u instalonte filozofinë e lojës së klubit dhe personalitetin, që lojtarët e një klubi si Partizani duhet të shpalosin në fushë.

Jemi në muajin e dytë të misionit të tij dhe mund të themi se Dritan Mehmeti ka arritur ta kalojë provimin. Sigurisht është vetëm nisja, por popullin e moçëm shqiptar eksperienca e ka mësuar të thotë se “fshati që duket, nuk do kallauz” apo “koha e mirë duket që në mëngjes”. Të dyja këto shprehje hyjnë në funksion për situatën e Mehmetit dhe projektit të tij të saponisur te “demat”.

START NË EKUILIBËR Në fillimin e aventurës së Mehmetit si trajner i parë i Partizanit, gazeta i bëri një profil 42-vjeçarit dhe shkroi se ai është një shkrirje mes Ilir Dajës dhe Skënder Gegës për mënyrën e të punuarit dhe personalitetin e tij si trajner. Statistikat e vendosura nga Mehmeti në këtë start të tij te Partizani tregojnë pikërisht këtë.

Bilancet e tre trajnerëve në pesë ndeshjet e para në Superiore në drejtimin e Partizanit dëshmojnë se Mehmeti ka rikthyer mbrojtjen e hekurt të Gegës. Një gol pësonte defensiva e Gegës në pesë ndeshjet e para në Superiore dhe po aq ka pësuar edhe skuadra e Mehmetit në kampionat që nga ulja e tij në stol.

Ndërsa sulmi është shumë më “pjellor” se starti i vitit të titullit. Në pesë beteja në kampionat në këtë vit 2022, Partizani ka shënuar 9 gola. Në këtë aspekt, mund të themi se kjo skuadër ngjan me “batalionin” e Ilir Dajës në sezonin e shkuar, kur shënonte 10 gola në betejat e para.

Të tre trajnerët në pesë ndeshjet e tyre të para në kampionat kanë grumbulluar 10 pikë, por statistikat tregojnë se ekipi i Mehmetit është më i ekuilibruari. Por, Starova është ende “mbreti”. Në aventurën e tij në sezonin 2016-2017 mban “kurorën” e më të suksesshmit në vitet e fundit për sa u përket pikëve.

Në pesë ndeshjet e para të kësaj aventure, Starova grumbullonte 13 pikë. Ndërkohë, trajnerët e tjerë si, Agostineli, Lerda, Sormani, Iuliano apo Dalipi, janë të gjithë me statistika shumë më të dobëta se të lartpërmendurit.

statistikat mehmeti

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"