Shaqiri do largimin: Pep s’beson tek unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2014 | 8:30

Shaqiri do largimin: Pep s’beson tek unë

ShaqiriXherdan Shaqiri nuk është as në tokë as në qiell te Bajerni i Mynihut. Ka ndodhur shpesh këtë sezon që mesfushori kosovar të humbë besimin e trajnerit Pep Guardiola, i cili e ka aktivizuar vetëm 35.2 për qind të ndeshjeve. Por, ndryshe ndodh në Kombëtaren e Zvicrës ku ka marrë imazhin e një lideri. Para ndeshjes ndaj Sllovenisë, Shaqiri, gjatë një interviste për sajtin zviceran “nzz.ch”, flet mbi të ardhmen e tij, Guardiolën, konkurrencën dhe kombëtaren.
Shaqiri, para dy vitesh, kur u bëtë pjesë e Bajernit, patët thënë se realizuat një ëndërr. Keni të njëjtin mendim edhe sot?
Po jetoj këtë ëndërr që prej 2.5 vitesh. Jam përmirësuar dhe falë kësaj pune, shkëlqeva edhe në botëror me Zvicrën. Por, pritshmëritë nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Këtë sezon nuk keni luajtur shumë minuta. Çfarë ju josh të jeni ende pjesë e Bajernit?
Gjithnjë është një privilegj të luash në një superklub. Për më tepër që kam edhe një kontratë deri në 2016-n. Po provoj ta respektoj këtë kontratë me profesionalizëm.
Të premten festoni 23-vjetorin. Prej vitit 2009, ju jeni shpallur kampion çdo vit. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Kjo do të thotë që unë të vazhdoj të fitoj tituj dhe të përmirësohem hap pas hapi. Praktika ma mundëson këtë gjë, sidomos aktivizimi në superndeshje ku të ndiej edhe besimin e trajnerit.
Cilin qëllim nuk keni arritur ende?
Nuk kam arritur të realizoj të gjitha qëllimet. Në verë doja më shumë minuta. Kjo dihet tashmë. Ne diskutuam me Bajernin për këtë temë dhe m’u bë e qartë që duhet të qëndroja. E pranova atë vendim. Në dimër do ulemi sërish për të mësuar të rejat e fundit.
Si ua komunikuan që duhet të qëndronit?
Kur nuk ke të njëjtin mendim, është e vështirë. Por, këtë marrëdhënie e trajtova me profesionalistët. Kam një kontratë afatgjatë me klubin dhe ai vendos. Kur më komunikohet se nuk duhet të shitem dhe largohem, atëherë edhe unë ndihem mirë.
Konkurrenca te Bajerni është e fortë në pozicionet që ju luani. Roben, Riberi, Gëce dhe Myler janë të fortë…
E kam thënë shpesh se unë jam një lojtar që mund të luaj nga minuta e parë. E kam treguar mjaftueshëm që mund të konkurroj me ta.
Çfarë mësoni nga kolegët tuaj si Riberi dhe Roben?
Ne jemi të gjithë profesionistë. Nuk mund të shkoj çdo ditë tek ata dhe t’i pyes si e bëjnë këtë apo atë gjë.
Ndoshta mësojnë edhe të tjerët diçka nga ju…
Nga lojtarët e kombëtares nuk më ka ardhur askush të më pyesë.
Ju vjen inat që nuk po fitoni shumë minuta nga trajneri Guardiola?
Për të dhënë rezultat, së pari duhet të kesh marrëdhënie të mira me trajnerin dhe të ndiesh besimin e tij. Për mua nuk ka ndodhur gjithnjë. Unë kam nevojë për këtë besim dhe minutat e mia për të treguar atë çfarë di të bëj. Prandaj, doja më shumë praktikë në verë. Isha i gatshëm për të provuar edhe diçka të re.
E shihni si disfavor faktin që Guardiolës nuk i erdhi mirë kur ju donit të largoheshit?
Ndoshta, nuk e di. Nuk jam i vendosur sepse trajneri e dinte. Nuk ishte e thjeshtë për mua. Por, marrëdhëniet e mia me Guardiolën janë të mira, në të kundërt nuk do më jepte shans të luaja titullar ndaj Hanoverit fundjavën e kaluar.
Ju ka nervozuar fakti që Guardiola i besonte numrin 10 një 17- vjeçari si Gaudino dhe ju linte juve në stol?
Sigurisht që të vjen inat. Nuk është bukur të shohësh që në stol qëndron një lojtar kyç kombëtareje dhe luan një 17-vjeçar pa eksperiencë.
Me kombëtaren shkëlqeni. Cili është objektivi parësor?
Mua më pëlqen më shumë të luaj në qendër të mesfushës sesa në krah. Në këtë pozicion kam më shumë hapësira, ndërsa kur luan në krah, humbet shumë energji sepse duhet edhe të mbrosh. Për ne kualifikimi në “Euro 2016” është detyrim, në të kundërt do ishte një zhgënjim i madh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"