Partizani “zbor” Çanit, klubi i jep urdhër të stërvitet i vetëm në pikun e vapës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2018 | 22:51

Partizani “zbor” Çanit, klubi i jep urdhër të stërvitet i vetëm në pikun e vapës

Edgar Çani është duke kaluar një nga momentet më delikate të karrierës së tij. Nuk është hera e parë, sepse vuajtjet e kanë shoqëruar thuajse gjithnjë, duke filluar që nga dëmtimet e rënda, deri te klubet në prag falimenti, si Specia. Këtë herë është ndryshe. Ai u prit si hero sezonin e kaluar te Partizani, me shpresën e madhe që së bashku me të, të kthehej titulli kampion. Asgjë nuk funksionoi.

Qendërsulmuesi vuajti një dëmtim që e mbajti jashtë fushave më shumë se gjysmën e sezonit dhe në fund e mbylli me vetëm 1 gol. Partizanit i sosi durimi dhe vendosi të “divorcohej” me blerjen më të bujshme që ka bërë prej rikthimit në Superiore. Por, ja që edhe divorci është i vështirë, sepse kot nuk thonë që sa më e madhe të ketë qenë dashuria, aq më e fortë është dhimbja. Pa le pastaj kur mendon se në mes janë edhe një mal me para (afro 400 mijë euro).

Cani

STËRVITJE NË PIKUN E VAPËS

“Alo, Edgar! Duhet të paraqitesh sot në stërvitje në orën 10:00. Klubi kështu ka vendosur. Do jesh vetëm ti dhe përgatitësi atletik”. Ky ka qenë pak a shumë komunikimi që i bëri klubi sulmuesit dje në orët e para të mëngjesit. Çani nuk kundërshtoi. “Panorama Sport” mësoi se sulmuesi është paraqitur fiks në orar për stërvitje, që u zhvillua në kompleksin “Internacional” në Pezë. Lojtari është habitur kur ka mbërritur aty. Nuk ka gjetur asnjë lojtar tjetër, por vetëm përgatitësi atletik Jovanoviç. Ai i ka komunikuar se kishte porosi nga drejtuesit që ta trajnonte lojtarin në mënyrë të veçuar. Më pas ka nisur seanca e gjatë, e lodhshme dhe mbi të gjitha në pikun e vapës. Lojtari ka zbatuar urdhrat dhe e ka përfunduar seancën deri në fund.

PRESIONI

Partizani i ka kërkuar Çanit që të largohet, pasi nuk e ka më në planet e veta, por lojtari ka refuzuar të prishë kontratën që i skadon pas një viti. Klubi i ka provuar të gjitha mënyrat që të gjejë gjuhën e përbashkët, por kur e ka parë që sulmuesi është i vendosur t’i shkojë deri në fund kësaj pune, atëherë, me sa duket, ka vendosur t’ia bëjë jetën të vështirë Çanit. Ky i fundit ua ka bërë të qartë drejtuesve se ka vetëm dy mënyra për ta larguar: të shlyhet për pjesën tjetër të kontratës, ose të përfundojnë në gjyq. Kjo ka një kosto të lartë financiare për “demat”, të cilët kanë vendosur që të ndjekin linjën “e hekurt” ndaj Çanit, duke e bërë atë shembull edhe për të tjerët që do të guxojnë të sfidojnë klubin e kuq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"