Dëmtimi i Çanit, Moxhi e kthen sulmuesin në Itali dhe kërkon “garanci”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 15:39

Dëmtimi i Çanit, Moxhi e kthen sulmuesin në Itali dhe kërkon “garanci”

Edgar Çani mbetet një nga shqetësimet që e ka përndjekur Partizanin që nga fillimet e përgatitjeve për sezonin e ri. Problemet nuk kanë të sosur për lojtarin, i cili, edhe pas garancisë që mori nga mjekët italianë, përsëri vijon të ketë dhimbje në gju. Të lodhur nga kjo situatë pa zgjidhje, drejtuesit italianë të skuadrës kanë vendosur që Çani të shkojë në Itali, pikërisht te klinika ku është operuar për të gjetur zgjidhjen e duhur.

cani shameti krkotic

Sulmuesi i Kombëtares u bë pjesë e të kuqve, pas eksperiencës së fundit te Piza, por 28-vjeçari nuk ka ardhur në kondicionin e duhur. Në mes të majit të këtij viti, Egar Çani ka kryer një ndërhyrje në gjurin e djathtë, ku ka operuar pjesën e jashtme të meniskut. Ndërhyrja është kryer në një nga klinikat më të njohura në Romë, “Villa Stuart”, dhe është operuar nga prof. Pier Paolo Mariani.

Përpos paralajmërimit nga gazeta për mungesën e gjatë në verë, klubi dha garanci se Çani do të ishte gati që në fillim të kampionatit. Sulmuesit i është dashur shpesh që të përdorë akull në seancat stërvitore, duke mos e marrë ngarkesën e duhur. Në fillim të sezonit, mjekët italianë i kanë konsideruar normale dhimbjet që kishte lojtari dhe dhanë garanci se, pas një muaji, ai nuk do të kishte më probleme.

Cani4

Pas ndeshjes me Skënderbeun, Çani nuk ka zbritur në terrenin stërvitor, por ka vijuar me seancat riaftësuese. Trajneri Iuliano, i lodhur nga kjo situatë, madje i vënë në siklet edhe për aktivizimin e lojtarit, që, duke mos qenë totalisht i gatshëm, nuk jepte maksimumin në fushë, ka kërkuar takim me Luçiano Moxhin për të gjetur një zgjidhje.

Pas ngritjes së shqetësimit të trajnerit “Big Luçiano” ka marrë një vendim, duke e dërguar lojtarin në Romë, pikërisht te klinika që e ka operuar dhe që ka dhënë garanci për aktivizimin e Çanit. Mësohet se lojtari është urdhëruar që të vijojë fazën riaftësuese pikërisht te “Villa Stuart” dhe të kthehet vetëm kur të jetë i gatshëm.

Edgar Cani

E sigurt është që Çani nuk luan ndaj Lushnjës, por data e kthimit nuk dihet, pasi riaftësimi mund të zgjasë dy javë, një muaj… apo më shumë. Moxhi ka vendosur që lojtari të mos kthehet pa u riaftësuar plotësisht dhe me garanci nga mjeku Mariani për të luajtur.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"