Shkëndija fiton kupën “Pavarësia”

Nov 28, 2012 | 12:22
SHPËRNDAJE

Shkëndija e Tetovës është shpallur fituese e kupës “Pavarësia 2012”, turne ky i cili u zhvillua dje në stadiumin e Vlorës me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Skuadra tetovare, e drejtuar Artim Shaqiri, ka arritur t’i fitojë të dyja takimet e turneut: ndaj Flamurtarit dhe Prishtinës, falë penalltive. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë katër skuadra, dy nga kampionati shqiptar (Tirana dhe Flamurtari), një nga kampionati kosovar (Prishtina) dhe një nga kampionati maqedonas (Shkëndija e Tetovës). Takimi i parë do të ishte ai mes Tiranës dhe Shkëndijës së Tetovës, i cili do të përfundonte me fitoren e skuadrës maqedonase. Miqtë në fakt ishin më kërkues në lojën e tyre dhe arritën ta gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 12-të me anë të sulmuesit Ejupi. Pavarësisht përpjekjeve të dy sulmuesve Çota dhe Morina, Tirana nuk arriti që të realizonte, ndaj Shkëndija vazhdoi më tej duke shkuar në finale të turneut. Në ndeshjen e dytë, atë mes Flamurtarit të Vlorës dhe ekipit të Prishtinës, do të ishin penalltitë që do vendosnin fatin e finalistes tjetër. Takimi përfundoi 1-1 pas golave të Nelajt për vlonjatët dhe Fazliut për Prishtinën. Me penallti, kosovarët u treguan më të saktë duke kaluar në finale, ku i priste Shkëndija e Tetovës. Koha e rregullt e këtij takimi do mbyllej në barazim pa gola, ndaj edhe një herë të dyja skuadrat do të afroheshin te pika e bardhë e penalltisë. Këtu lojtarët e ekipit të Shkëndisë së Tetovës do të tregoheshin më të saktë duke shënuar të pesta gjuajtjet, ndërkohë që lojtarët e Prishtinës do të arrinin të realizonin vetëm tri të tilla.

Mazrekaj, lojtari i turneut
Në mbyllje të këtij aktiviteti për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i ka dorëzuar kupën ekipit të Shkëndisë së Tetovës. Ndërsa skuadrës së Prishtinës do t’i jepej medalja e vendit të dytë. Lojtari më i mirë i turneut u shpall mesfushori i FC Prishtina, Mentor Mazrekaj. Ky i fundit konsiderohet dhe një nga zbulimet e sezonit të sivjetshëm në futbollin kosovar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura